Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas raportimeve për takimin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, duke mohuar kategorikisht pretendimet se i ka përcjellë një mesazh kërcënues në emër të kryeministrit Edi Rama.
Gogu konfirmon se është takuar me Veliajn të premten, por thekson se vizita është kryer në kuadër të përgjegjësive të tij institucionale, për t’u njohur nga afër me kushtet e trajtimit të kryebashkiakut dhe për të dëgjuar ankesat e bëra publike nga avokati i tij.
Ministri shprehet se me Veliajn e lidh një miqësi e hershme, ndërsa deklaron se është i befasuar nga ato që i cilëson të pavërteta të publikuara në media.
“Dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni”, shprehet Gogu.
Ai mohon se mund të ketë shqiptuar mesazhet që i janë atribuar, duke theksuar se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
“Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme”, deklaron ministri.
Në përfundim, Gogu shprehet se beson që koha do të nxjerrë në pah të vërtetën.
“Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”, përfundon reagimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.










