Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre shqetësime për transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit: Nuk iu bë i ditur urdhri dhe arsyet konkrete

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësime për procedurën e transferimit të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke evidentuar mungesën e transparencës mbi arsyet e vendimit dhe mosvënien në dispozicion të urdhrit të transferimit.

Pas pretendimeve të bëra publike nga Veliaj, përfaqësues të KShH-së zhvilluan më 30 tetor 2026 një mision monitorimi në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier. Gjatë vizitës, monitoruesi zhvilloi një takim konfidencial me Veliajn, inspektoi ambientet ku ai mbahet dhe u takua me drejtuesit e personelin e institucionit.

Sipas raportit, Veliajt i është njoftuar transferimi më 28 tetor, por pa iu dorëzuar dokumentacioni përkatës dhe pa iu bërë fillimisht e ditur institucioni ku do të dërgohej.

Monitoruesi arriti të këqyrë për një kohë të kufizuar urdhrin e transferimit, ku motivacioni ishte shënuar në mënyrë të përgjithshme si “për arsye sigurie”. Dokumenti mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet.

KShH vlerëson se transferimi për arsye sigurie parashikohet nga legjislacioni, por duhet të mbështetet në rrethana konkrete, të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Komiteti ngre gjithashtu pikëpyetje mbi bazën ligjore të klasifikimit të urdhrit, duke theksuar se nga shqyrtimi paraprak i ligjit për informacionin e klasifikuar nuk rezulton e qartë përse dokumenti duhet të klasifikohet në interes të sigurisë kombëtare.

“Siguria e një institucioni penitenciar dhe siguria kombëtare nuk janë domosdoshmërisht koncepte të barasvlershme”, thekson Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Sipas KShH-së, mungesa e transparencës mbi arsyet e transferimit dhe moskomunikimi i urdhrit mund të pengojnë ushtrimin efektiv të së drejtës së ankimit.

Në raport evidentohen gjithashtu shqetësime lidhur me komunikimin me familjarët, vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor dhe kushtet e trajtimit në paraburgim.

Komiteti thekson se statusi i të paraburgosurit nuk e privon një person nga të drejtat që nuk i janë kufizuar me ligj ose me vendim gjykate, ndërsa autoritetet penitenciare kanë detyrimin t’i garantojnë këto të drejta pa diskriminim.