Aksident me tre automjete në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, një i plagosur

Një aksident rrugor me përfshirjen e tre automjeteve është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Grabjanit, në drejtim të Lushnjës.

Si pasojë e përplasjes, njëri prej drejtuesve të automjeteve ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se aksidenti ka nisur pasi drejtuesi i një automjeti ka humbur kontrollin dhe është përmbysur në rrugë. Për të shmangur përplasjen me të, drejtuesi i një automjeti tip “Benz” ka frenuar, por më pas tre automjetet janë përplasur njëri pas tjetrit.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e trafikut, ndërsa grupi hetimor po dokumenton rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Ndërkohë, zjarrfikësit e Lushnjës po kryejnë pastrimin e karrexhatës nga mbetjet e automjeteve të përfshira në aksident.