Veliaj publikon letrën e takimit me Toni Gogun: Rama më kërcënoi me 100 vite burg, sfidoj të nxjerrë prova për protestat

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, duke publikuar një letër që pretendon se përmban të vërtetën e bisedës mes tyre.

Veliaj mohon kategorikisht pretendimet se ka organizuar apo financuar protestat studentore, ndërsa sfidon kryeministrin Edi Rama të publikojë prova për këto aludime.

Në reagimin e tij, Veliaj thekson se nuk synon të sulmojë Partinë Socialiste, por nuk do të lejojë që të cenohet dinjiteti i tij.

“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.

Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkruan Veliaj.

Ai i cilëson “haluçinacione bolshevike” pretendimet se ka organizuar apo financuar protestat, ndërsa thotë se letra e publikuar prej tij përmban të vërtetën e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.

“Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.

Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”, deklaron Veliaj.

Çfarë shkruan Veliaj për takimin me Gogun?

Në letrën e publikuar, Veliaj shënon se takimi me ministrin e Drejtësisë është zhvilluar të premten, në orën 22:30, pas një periudhe prej 20 muajsh pa u takuar.

Sipas versionit të Veliajt, gjatë bisedës, Toni Gogu i ka përcjellë mesazhe që ai ia atribuon kryeministrit Edi Rama, lidhur me transferimin në burgun e Fierit dhe kushtet e qëndrimit të tij.

Në letër, Veliaj pretendon se mesazhet përmbanin tri kërkesa:

Të pranonte përfshirjen në çështjen e “Flamingove” dhe protestat studentore, në të kundërt do t’i shtoheshin akuzat për “prishje të rendit kushtetues”, me kërcënimin për 100 vite burg.

Të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia delegonte drejtimin Arbër Hajdarit.

Të mos këshillohej më me Plarent Ndrecën.

Veliaj pretendon gjithashtu se kryeministri Rama ka ndërhyrë personalisht në transferimin dhe izolimin e tij, si dhe në çështjet që lidhen me lejet për spital dhe takimet me familjarët e miqtë.

Pretendimet e publikuara nga Veliaj vijnë pas reagimit të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i cili konfirmoi takimin në burgun e Fierit, por mohoi kategorikisht se kishte përcjellë mesazhe politike apo kërcënime në emër të kryeministrit.