PD kërkon hetim ndaj Ramës, Gogut dhe Hajdarit: Pretendimet e Veliajt për kërcënim në qeli, “shantazh mafioz”

Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të letrës së Erion Veliajt nga burgu i Fierit, ku kryebashkiaku pretendon se kryeministri Edi Rama i ka përcjellë tri kërkesa përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duke e kërcënuar me 100 vite burg në rast se nuk pranonte të dorëzonte Bashkinë e Tiranës te Arbër Hajdari.

Në një deklaratë për mediat, PD i cilëson pretendimet e Veliajt si një “shantazh mafioz” dhe kërkon hetim urgjent ndaj Edi Ramës, Toni Gogut dhe Arbër Hajdarit.

Sipas opozitës, kërcënimet e pretenduara përbëjnë një akt tepër serioz, që ngre pikëpyetje edhe për sigurinë e kryebashkiakut në burgun e Fierit. Demokratët pretendojnë gjithashtu se SPAK po përdoret si instrument presioni në përplasjet brenda mazhorancës.

PD dënon atë që e cilëson si kërcënim në qeli ndaj Veliajt dhe kërkon që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet për zbardhjen e rastit.