Presidenti Begaj dekreton ndarjen e re territoriale në 46 bashki

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë, duke i hapur rrugë zbatimit të hartës së re të njësive të qeverisjes vendore.

Me ndarjen e re, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46, duke sjellë një riorganizim të pushtetit vendor në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Harta e re do të aplikohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku qytetarët do të votojnë për kryetarët dhe këshillat bashkiakë sipas ndarjes së re administrativo-territoriale.

Përmes dekretit të tij, kreu i shtetit ka shpallur ligjin nr. 100/2026, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Në dekretin e Presidentit thuhet:

“Në mbështetje të nenit 84, pika 1, dhe nenit 93 të Kushtetutës,

DEKRETOJ:

Shpalljen e ligjit nr. 100/2026, ‘Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’.”

Me këtë ndryshim, Shqipëria do të ketë 15 bashki më pak se aktualisht, ndërsa zbatimi i hartës së re pritet të sjellë ndryshime në organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, duke nisur nga zgjedhjet e vitit 2027.