Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar humbjen e listës së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke deklaruar se, sipas përllogaritjeve paraprake, fitorja i takon listës së mbështetur nga studentët dhe bllokuesit.
Nga selia e Partisë Progresiste Serbe (SNS), Vuçiç tha se rezultatet nuk janë ende përfundimtare, por të dhënat e bazuara në një kampion votash tregojnë epërsinë e listës studentore.
“Është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Lista e studentëve bllokues do të ketë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne kemi rreth 105”, deklaroi Vuçiç.
Sipas vlerësimeve të paraqitura prej tij, lista studentore ka marrë rreth 2.2 milionë vota, ndërsa lista e drejtuar nga Vuçiç rreth 1.72 milionë vota. Ai theksoi se këto shifra janë paraprake dhe se rezultatet zyrtare ende nuk janë shpallur.
Në parlament pritet të përfaqësohen edhe partitë e pakicave. Vuçiç tha se Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të sigurojë tre mandate, ndërsa partitë shqiptare në Luginën e Preshevës një mandat. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e hyrjes në parlament të SDA-së, por pa e konfirmuar këtë si përfundimtare.
Gjatë deklaratës, presidenti serb iu përgjigj edhe pretendimeve se pas humbjes mund të largohej nga vendi, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Ai kundërshtoi gjithashtu akuzat dhe pretendimet lidhur me përdorimin e një pajisjeje zanore gjatë protestave në Serbi.
Pavarësisht rezultatit paraprak, Vuçiç u shpreh se koalicioni rreth SNS-së mbetet i bashkuar dhe se do të vazhdojë aktivitetin politik. Ai deklaroi gjithashtu se lista e tij ka fituar mbështetje në zonat e rajonit ku jetojnë serbë, përfshirë Republikën Srpska, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Pjesëmarrje e lartë dhe raportime për parregullsi
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi përfunduan të dielën, më 25 tetor, në orën 20:00, ndërsa procesi i numërimit të votave vijon për përcaktimin e përbërjes së re të parlamentit me 250 vende.
Në garë morën pjesë 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2.418 kandidatë. Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, pjesëmarrja deri në orën 18:00 arriti në 64,89%, kundrejt 51,93% që ishte regjistruar në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2023.
Pjesëmarrje e lartë u raportua edhe në qytetet kryesore. Në Novi Sad kishin votuar 68,97% e zgjedhësve, ndërsa në Nish 69,09%.
Megjithatë, procesi zgjedhor u shoqërua me raportime për parregullsi të mundshme. Sipas vëzhguesve, janë raportuar më shumë se 300 raste që lidhen me fotografimin e fletëve të votimit, probleme me listat zgjedhore, votimin familjar ose në grup dhe pengimin e vëzhguesve.
Në Novi Sad u raportuan dyshime për blerje votash dhe përdorimin e listave paralele të zgjedhësve. Komisioni Zgjedhor i qytetit konfirmoi marrjen e denoncimeve, të cilat po shqyrtoheshin nga autoritetet.
Ndërkohë, në Dljjevac, votimi u ndërpre përkohësisht pas një incidenti, kur një qytetar dyshohet se tentoi të votonte duke përdorur disa karta identiteti. Pas ndërhyrjes së policisë, procesi zgjedhor rifilloi.
Rezultatet zyrtare pritet të përcaktojnë nëse epërsia e raportuar nga Vuçiç për listën studentore do të konfirmohet dhe si do të shpërndahen mandatet në parlamentin e ri serb.









