Përplasje para Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, policia përdor gaz lotsjellës

Situata para Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Protestuesit kanë hedhur sërish gurë dhe kapsolla në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Pas ndërhyrjes, protestuesit janë shpërndarë përkohësisht, por një pjesë e tyre janë rikthyer në zonë, duke vijuar hedhjen e gurëve dhe mjeteve piroteknike drejt forcave të rendit.

Disa persona janë shoqëruar nga policia, por deri më tani nuk ka një informacion zyrtar për numrin e tyre.

Tensione janë regjistruar edhe mes gazetarëve dhe efektivëve të policisë. Gazetarëve u është kërkuar të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa ata kanë kërkuar shpjegime për këtë urdhër, por nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare nga autoritetet.

Zona vijon të jetë nën tension të lartë, ndërsa në terren ka një prani të shtuar të forcave të sigurisë.