Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një paketë të re ligjore për kufizimin e dhunës gjatë protestave dhe parandalimin e dëmtimeve të pronës publike e private. Nisma vjen një ditë pas protestës së së shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje me policinë, hedhje molotovësh drejt institucioneve dhe dëmtime të pronës.
Sipas masave të bëra publike, parashikohen kufizime deri në 72 orë pranë institucioneve, si dhe gjoba deri në 500 mijë lekë të reja për personat që nuk i binden urdhrit të policisë për t’u larguar nga protesta.
Rama deklaroi se paketa është hartuar në bashkëpunim me ekspertë europianë dhe partnerë italianë e francezë, duke u mbështetur te modelet e vendeve të tyre dhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se masat kufizuese do të jenë të përkohshme, të arsyetuara dhe të kontrollueshme nga gjykata.
Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore: një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, ndryshime në ligjin për tubimet, krijimi i një regjistri elektronik për dhunuesit urbanë, ndryshime në kodin etik të mësuesve dhe propozime për ndryshime në Kodin Penal.
Kryeministri i cilësoi aktet e dhunshme si kërcënim për rendin demokratik dhe akuzoi kundërshtarët politikë, ekstremistët dhe faktorë të huaj se nxisin përplasjet. Në të njëjtën kohë, ai tha se qeveria do t’u përgjigjet edhe kërkesave të qytetarëve për më shumë drejtësi në shpërndarjen e të ardhurave dhe meritokraci në punësim.
Rama njoftoi gjithashtu se buxheti i vitit 2027 do të prezantohet në ditët e para të javës së ardhshme dhe do të përmbajë masa që, sipas tij, synojnë familjet, shërbimet publike, të rinjtë dhe studentët.










