Rama: Në protestë u përfshinë persona të radikalizuar nga ANTIFA, krimi i organizuar dhe ndikime të huaja

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sërish protestën studentore si një “lëvizje imagjinare”, duke pretenduar se në të janë përfshirë persona me precedentë kriminalë, të cilët janë paraqitur si studentë për të ushtruar dhunë dhe për të destabilizuar vendin.

Gjatë një komunikimi në rrjetet sociale me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Rama deklaroi se pas këtyre personave qëndrojnë krimi i organizuar dhe ndikime të huaja. Ai përmendi gjithashtu persona të radikalizuar ideologjikisht, përfshirë nga ANTIFA, si dhe individë që, sipas tij, synojnë të nxisin përçarje fetare.

Kryeministri kritikoi edhe mediat për mënyrën se si kanë pasqyruar listën e personave të ndaluar dhe proceduar nga policia, duke i akuzuar se nuk janë distancuar mjaftueshëm nga aktet e dhunës.

Megjithatë, Rama tha se është i vëmendshëm ndaj arsyeve që i shtyjnë disa qytetarë të mbështesin protestën dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, duke bërë dallimin mes protestuesve paqësorë dhe personave që, sipas tij, janë përfshirë në akte dhune.