Një 41-vjeçar shqiptar është përfshirë në një shkëmbim zjarri me policinë greke në zonën e Mikrolimano në Greqi, teksa dyshohet se po përpiqej të arratisej duke qëlluar ndaj efektivëve. I plagosur gjatë incidentit, ai është transportuar në spital ku ndodhet nën kujdes mjekësor.
Mediat greke raportojnë se bëhet fjalë për Alesio Xhelon, i njohur me nofkën “Titi”, me origjinë nga Fieri dhe me precedentë të rëndë kriminalë. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar 6 granata dore dhe 3 armë zjarri, ndërsa dyshohet se ai po përgatitej për një ngjarje kriminale.
Sipas autoriteteve greke, Xhelo ishte në kërkim për vrasje, rrëmbim personi dhe përplasje të armatosura me policinë. Ai ishte dënuar më herët me burgim të përjetshëm për vrasje dhe në vitin 2019 ishte arratisur nga burgu i Petro Ralli në Greqi, duke marrë peng një gardian.
Pas arratisjes, ai u arrestua në Vlorë me armë pa leje dhe më pas qëndroi në arrest shtëpie në Fier nën mbikëqyrje. Raportohet se në muajt e fundit ai lëvizte në Sarandë, përpara se të kalonte ilegalisht kufirin drejt Greqisë.
Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit dhe aktivitetit kriminal të 41-vjeçarit.










