Qeveria dhe bankat nënshkruajnë programin për financimin e bizneseve të vogla, kredi me interesa 2-3%
Qeveria shqiptare dhe sistemi bankar kanë nënshkruar partneritetin për programin kombëtar të financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, një skemë që synon të lehtësojë aksesin në financë për sipërmarrjet shqiptare.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se programi është ndërtuar si përgjigje ndaj kërkesës në rritje të bizneseve për financim dhe zgjerim të aktivitetit. Sipas tij, skema do të ofrojë kredi me interesa të ulëta, nga 2 deri në 3%, ndërsa qeveria do të mbulojë përmes garancisë sovrane nga 30 deri në 70% të riskut të financimit.
Rama theksoi se programi synon të mbështesë veçanërisht bizneset e vogla që kërkojnë kapital për investime dhe zgjerim të aktivitetit, duke krijuar mundësi edhe për emigrantët e kthyer në Shqipëri me ide dhe projekte të reja investimi.










