Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit pasi kryeparlamentari Niko Peleshi më herët nuk i dha fjalën për replikë dhe i kërkoi të mos i drejtohej me emrin “Niko”.
Manja tha se kishte synuar t’i kërkonte ndjesë publike kryetarit të Kuvendit për mënyrën e adresimit ndaj tij, por sipas tij kjo nuk u lejua, duke shtuar se Peleshi “lejoi të dominojë cinizmi me mikrofon”.
Ai u shpreh gjithashtu se nuk gjeti mirëkuptim për të marrë fjalën në vend të një deputeti tjetër socialist, siç sipas tij e lejon rregullorja e Kuvendit në raste të caktuara.
Në fjalën e tij në Kuvend, Manja deklaroi:
“Zoti Kryetar i Kuvendit meqë qëparë nuk më dhe fjalën për t’ju përgjigjur Sali Berishës, të paktën të të kërkoja dhe ndjesën publike me mikrofon se të ula gradat që ke dhe preferove që në vend të ndjesës publike times me mikrofon, lejove të dominojë cinizimi yt me mikrofon.”
Ai shtoi se, sipas tij, fuqia e ndjesës është më e fortë se cinizmi në sallë dhe se rregullorja e Kuvendit parashikon mundësi për ndryshim të rendit të fjalës me mirëkuptim mes kolegëve në raste të caktuara.
Më tej, Manja theksoi se një mirëkuptim i tillë nuk u arrit në këtë rast dhe shtoi se, sipas tij, përballja me Sali Berishën nuk është e lehtë, duke e cilësuar atë si “dinosaur politik” që, sipas tij, përdor mjete si shpifja, balta dhe shantazhi në politikë.









