Tensionet nga lufta në Lindjen e Mesme po reflektohen menjëherë në tregjet financiare globale. Edhe pse tregjet evropiane dhe amerikane ende nuk janë hapur, sesioni aziatik ka dhënë sinjale të qarta pasigurie, me rënie të ndjeshme të indekseve kryesore të aksioneve.
Indeksi Nikkei i Japonisë, Hang Seng i Hong Kongut dhe SET i Tajlandës renditen ndër humbësit më të mëdhenj të ditës, me rënie që kapin të paktën 1.5%, ndërsa investitorët po largohen nga asetet me rrezik.
Në të kundërt, metalet e çmuara po përfitojnë nga ky klimë pasigurie, duke u rikthyer në rolin e tyre tradicional si strehë e sigurt për kapitalin. Çmimi i arit është ngjitur në nivelin më të lartë të një muaji, mbi 5,360 dollarë për ons. Edhe argjendi shënoi një rritje të fortë, duke u rritur fillimisht me 2.8% në 96.4 dollarë për ons, përpara se të stabilizohej.
Forcim ka shënuar edhe dollari amerikan, si pjesë e “fluturimit drejt sigurisë”. Si pasojë, paundi britanik ka rënë në nivelin më të ulët njëmujor, duke u këmbyer rreth 1.34 dollarë.
Ndërkohë, kontratat futures sinjalizojnë se tregjet amerikane pritet të hapen në rënie, një tendencë që parashikohet të ndiqet edhe nga indeksi referues i Mbretërisë së Bashkuar, FTSE 100, teksa investitorët mbeten të kujdesshëm për zhvillimet gjeopolitike.










