Gjenerata Z, që përfshin të rinjtë e lindur midis viteve 1997 dhe 2012, paraqitet si brezi më i veçantë dhe njëkohësisht më i sfiduar në Shqipëri. Të rritur mes teknologjisë së shpejtë dhe ndryshimeve të mëdha sociale, ata shfaqin karakteristika që i dallojnë qartë nga brezat paraardhës.
Sipas analizave sociologjike, kjo gjeneratë është brezi më digjital në historinë shqiptare, me përdorim dominant të platformave si TikTok, Instagram dhe YouTube që në moshë të hershme. Kjo ka sjellë një ritëm të ri konsumimi të informacionit, por edhe rritje të presionit social dhe nivelit të ankthit.
Në aspektin ekonomik, të rinjtë shqiptarë të kësaj moshe rezultojnë jashtëzakonisht pragmatikë dhe të orientuar drejt të ardhurave, duke mos pranuar paga të ulëta dhe kushte jo konkurruese. Pikërisht për këtë arsye, Gjenerata Z përbën sot brezin më emigrues në Shqipëri, me shumë prej tyre që synojnë largimin që në moshën 16–18 vjeç, kryesisht drejt vendeve të BE-së.
Edhe pse kanë aftësi të larta teknologjike, të rinjtë përballen me një sistem arsimor që shpesh konsiderohet të jetë pas kohës, me mungesë praktikash profesionale dhe me kushte të kufizuara moderne. Kjo krijon boshllëk mes aftësive të tyre dhe kërkesave të tregut.
Ndërkohë, në aspektin social, Gen Z është më e hapura ndaj temave të ndjeshme si shëndeti mendor, identiteti personal dhe barazia, duke sfiduar shpesh normat tradicionale të shoqërisë shqiptare.
Ekspertët theksojnë se përmirësimi i kushteve të punës, forcimi i meritokracisë dhe modernizimi i arsimit janë faktorë kyç për të frenuar largimin masiv dhe për të përfituar nga potenciali i këtij brezi.
© NeoAlb











