Një tjetër grua padit Adrian Hilën për videot intime: Hetimet zgjerohen edhe për dëmtimin e hard-diskut
Një tjetër grua, e cila shfaqet në videot intime të publikuara gjatë ditëve të fundit, ka depozituar kallëzim në Gjykatën e Tiranës ndaj kompozitorit Adrian Hila.
Në reagimin e saj, ajo shprehet se nuk kishte dijeni për ekzistencën e videove dhe se momentet intime të saj po regjistroheshin. Të njëjtat pretendime janë ngritur edhe nga artiste të tjera që kanë bërë më herët kallëzime ndaj kompozitorit.
Materialet e referuara nga artistet ndaj Hilës lidhen me veprat penale “Fyerja” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”. Kompozitori po procedohet në gjendje të lirë.
Gjatë dëshmisë së tij në polici, Hila ka pranuar se kamera e sigurisë në ambientet e studios ishte vendosur prej tij dhe se kjo ishte bërë me vetëdije. Megjithatë, ai ka deklaruar se qëllimi i vendosjes së kamerës nuk ka qenë regjistrimi i momenteve intime.
Hetimet janë zgjeruar edhe për një tjetër vepër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Shkak është bërë konstatimi se hard-disku i sekuestruar si provë materiale ishte i dëmtuar.
Sipas deklarimeve të Hilës, hard-diskun e kishte dëmtuar vetë, pasi kishte dyshime se mund të kishte ndërhyrje të jashtme dhe kishte frikë se persona të tjerë mund të hynin sërish në sistem përmes internetit dhe të merrnin të dhëna.
Ndërkohë, në Prokurori janë referuar materiale edhe për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Këto hetime synojnë të përcaktojnë nëse videot intime të bëra publike janë marrë dhe shpërndarë përmes ndërhyrjes së paligjshme në sistemet kompjuterike nga persona të tretë, apo nëse publikimi i tyre ka ndodhur në rrethana të tjera.









