Ballina Bota 3 emigrantë nigerianë mbijetojnë 11 ditë të fshehur mbi timonin e një...

3 emigrantë nigerianë mbijetojnë 11 ditë të fshehur mbi timonin e një cisterne që udhëtoi nga Nigeria në Ishujt Kanarie

Tre shtetas nigerianë janë shpëtuar nga autoritetet spanjolle pasi kanë kaluar 11 ditë të fshehur mbi timonin e anijes-cisternë “Alithini II”, e cila ishte nisur nga porti i Lagos-it në Nigeri dhe kishte si destinacion Las Palmas, në Ishujt Kanarie.

Rojet bregdetare spanjolle njoftuan se burrat u gjetën në një hapësirë të ngushtë, vetëm disa centimetra mbi nivelin e ujit, në pjesën e pasme të anijes. Ata kishin pësuar dehidrim dhe dobësim të skajshëm, për shkak të udhëtimit të gjatë dhe kushteve të vështira atmosferike.

Sipas autoriteteve, burrat u transportuan menjëherë në spital për trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja është cilësuar si një prej rasteve më ekstreme të mbijetesës së emigrantëve që kërkojnë të arrijnë në territorin evropian.

Të tre personat pritet të kalojnë në procedurat standarde të emigracionit, ndërsa autoritetet po hetojnë mënyrën se si ata arritën të fshiheshin në këtë pjesë të anijes para nisjes së saj.

Në vitet e fundit, Ishujt Kanarie janë kthyer në një prej pikave kryesore të destinacionit për emigrantët që largohen nga Afrika Perëndimore në përpjekje për të arritur në Evropë.