Ballina Aktualitet Fier – Balluku: “Riorganizimi i Bashkisë Fier, hap drejt shërbimeve më cilësore...

Fier – Balluku: “Riorganizimi i Bashkisë Fier, hap drejt shërbimeve më cilësore dhe më transparente për qytetarët”

Screenshot

Pas zyrtarizimit të katër nënkryetarëve të rinj të Bashkisë Fier, zv/kryeministrja dhe drejtoresha politike e PS për Qarkun Fier, Belinda Balluku, në një prononcim për mediat deklaroi se procesi i riorganizimit ka nisur disa muaj më parë, me synimin për të ndërtuar një administratë vendore më efikase dhe më afër qytetarit.

“Ky proces ka nisur prej muajsh dhe synon një riorganizim të mirëfilltë të Bashkisë Fier, për të garantuar shërbime më cilësore dhe më transparente për qytetarët. Po vendosim theksin te ndarja e qartë e detyrave, dixhitalizimi i shërbimeve dhe mbi të gjitha transparenca,” – u shpreh Balluku.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, theksoi se ky është një proces që do të shtrihet në të gjitha institucionet vendore.

“Ky është vetëm fillimi i një procesi që do të vazhdojë në nivel institucionesh. Brenda dy-tre muajve të ardhshëm, struktura e bashkisë do të pësojë ndryshime të plota, në përputhje me statusin e nënpunësit civil për çdo punonjës,” – deklaroi Subashi.

Në lidhje me zgjedhjet e pjesshme që pritet të zhvillohen në disa bashki të vendit, Balluku shprehu bindjen se Partia Socialiste do të ruajë të njëjtin rezultat pozitiv si në zgjedhjet e 11 majit, jo vetëm në Fier, por në mbarë vendin.