ARTIKUJT E FUNDIT

Elisa Spiropali mesazh kritik ndaj PS: Duhet reflektim dhe vetpastrim

Ndërsa në Tiranë pritet të zhvillohet sot dita e 22-të e protestave masive që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një reagim i fortë ka ardhur nga radhët e mazhorancës.

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, përmes një postimi në Facebook, ka folur për nevojën e një “Marrëveshjeje të Re” për Shqipërinë, duke theksuar se kjo nis fillimisht nga reflektimi dhe ndryshimi brenda vetë PS-së.

Spiropali u shpreh se Shqipëria duhet të bëhet më e hapur, më e drejtë, më meritokratike dhe më europiane, ndërsa nënvizoi se Partia Socialiste duhet të vetpastrohet dhe të reformohet për të ruajtur besimin e qytetarëve.

“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, shkruan Spiropali.

Në fund të reagimit të saj, deputetja socialiste thekson se pa përmirësuar fillimisht vetveten, nuk mund të pretendohet përmirësimi i vendit.

Shembet rrethimi në Kakome pas 22 vitesh, banorët protestë për hapjen e aksesit në plazh

Dhjetëra banorë të Nivicës dhe Shën Vasilit, pronarë tokash në Kakome, si edhe emigrantë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, zhvilluan këtë të diel një protestë në zonën e Kakomesë.

Pas paralajmërimeve të mëhershme, protestuesit shembën rrethimin që prej 22 vitesh mbante të izoluar zonën, duke penguar aksesin në tokat e tyre dhe përdorimin e plazhit nga banorët vendas dhe vizitorët.

Banorët pretendojnë se prej më shumë se dy dekadash hyrja në plazh është bllokuar për interesa private dhe akuzojnë biznesmenin Luan Leka se ka kufizuar aksesin në një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të zonës.

Sipas protestuesve, qëllimi i tyre është rikthimi i aksesit të lirë në Kakome dhe zgjidhja e çështjes së pronave që, sipas tyre, vijon prej vitesh pa marrë përgjigje institucionale.

Ish Ministri i PS del hapur në mbështetje të protestës: “Shqipëria nuk meriton të trajtohet si plaçkë”

Screenshot

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është një tjetër figurë nga radhët e Partisë Socialiste që ka shprehur mbështetje për protestat antiqeveritare në Tiranë.

Përmes një postimi këtë të diel, Bushati publikoi foto nga protesta e 21-të radhazi, duke theksuar se qytetarët që kanë dalë në shesh nuk janë të nxitur nga faktorë të jashtëm, por janë shqiptarë të revoltuar nga gjendja në vend.

“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar”, shkruan Bushati.

Ai shton se protestuesit janë qytetarë që kërkojnë “më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë”.

Sipas Bushatit, çdo ditë që kalon po forcon bindjen se “Shqipëria e Re” nuk është thjesht një aspiratë, por “një kapitull i pashmangshëm”.

“Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, përfundon reagimi i ish-ministrit socialist.

Karkaleci demton kulturat bujqesore,nis trajtimi ne zonat e prekura të Divjakës dhe Lushnjës

Screenshot

Strukturat e Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat bujqësore të prekura nga karkaleci, kryesisht në Divjakë, Lushnjë dhe Belsh.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi nga terreni se pas evidentimit të vatrave janë ndërmarrë trajtime me preparate të autorizuara për të mbrojtur kulturat bujqësore dhe për të minimizuar dëmet.

Salla theksoi se AKVMB do të vazhdojë monitorimin intensiv dhe bashkëpunimin me fermerët për të garantuar reagim të shpejtë dhe mbrojtje efektive të prodhimit bujqësor.

Ndërkohë, drejtori i AKVMB-së, Rolan Çela, bëri të ditur se ndërhyrjet e kryera nga drejtoritë rajonale kanë bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të situatës, e cila sipas tij aktualisht paraqitet e stabilizuar.

Dy makina perplasin per vd*kje 37-vjeçarin me biçikletë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e 20 qershorit, rreth orës 23:30, në aksin “Lushnjë–Tiranë”, ku ka humbur jetën një 37-vjeçar që udhëtonte me biçikletë.

Sipas Policisë, shtetasi me iniciale T. V., 37 vjeç, dyshohet se fillimisht është aksidentuar nga një automjet me drejtues shtetasin B. M., 41 vjeç, dhe më pas është përplasur edhe nga një automjet tjetër me drejtues shtetasin F. M., 39 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, 37-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Policia ka shoqëruar dy drejtuesit e automjeteve dhe, pas veprimeve të para hetimore, ata janë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Aeroport turistik në Gjirokastër, drejt hapjes gara për projektin

Gjirokastra rikthehet në fokus si një qendër me potencial për zhvillimin e aviacionit civil në jug të vendit. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për hapjen e garës për Aeroportin e Gjirokastrës, i cili pritet të funksionojë si aeroport turistik dhe sezonal.

Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të gjithë qarkut, duke theksuar se objektivi është transformimi i aerodromit ekzistues në një aeroport me standarde moderne.

Aktualisht pista e aerodromit është rreth 1.2 kilometra dhe është përdorur kryesisht për fluturime sportive. Sipas autoriteteve lokale, projekti do të kërkojë investime në infrastrukturë, siguri ajrore dhe modernizim të plotë të hapësirës.

Ndërkohë, Konsulli i Nderit i Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi, bëri me dije se gjatë këtij viti janë realizuar fluturime direkte nga Italia dhe se në vitin 2025 është nënshkruar edhe një marrëveshje binjakëzimi me aeroportin e Sibarit në Itali.

I ndërtuar në vitin 1924, Aerodromi i Gjirokastrës konsiderohet një aset me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit dhe transportit ajror në jug të Shqipërisë.

Shqipëria me sinjalistikë të re në pikat kufitare, ndryshojnë orientimet dhe korsitë për udhëtarët

Këshilli i Ministrave ka miratuar standarde të reja për sinjalistikën dhe orientimin në të gjitha pikat e kalimit kufitar në Shqipëri. Vendimi parashikon tabela të unifikuara në shqip dhe anglisht, ndarje të reja korsish për udhëtarët dhe automjetet, si dhe identifikim më të qartë të zonave të kontrollit në aeroporte, porte dhe pika tokësore.

Sipas autoriteteve, sistemi i ri synon të përmirësojë menaxhimin e fluksit, të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të harmonizojë praktikat shqiptare me standardet moderne të kontrollit kufitar.

Rama: Protestat janë “kanal mllefi”, kritika të forta ndaj debatit publik dhe rrjeteve sociale

Screenshot

Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, reagoi për protestat masive që kërkojnë dorëheqjen e tij. 

Ai tha se një kanal mllefi është lëshuar ndaj tij dhe PS-së.

Rama: Cikloni i këtyre 20 ditëve nuk është interesante për atë që thotë mbi qeverisjen e Shqipërisë. Nëse kjo histori do të kishe ndodhur 10 vite më parë, do të kishte pasur mbështetës, sherr e kundërshtarë, por do të kishte mbetur këtu brenda kufijve tanë. Pavarësisht përfshirjes ë amerikanëve, apo izraelitëve që u përfshinë dhe pa qenë fare pjesë. Ndërsa sot, 10 vjet më pas, brenda 48 orësh degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar i një protestuesi me policë privatë, u bë objekt sulmi. Jo se bota u zgjua e alarmuar për fatin e flamengove. Të ishte për botën Narta mund të kthehej si 10 vite më parë, ku i priste plumbi i kafshëve të egra. Si në një film, bulevardi, përputhi atë armatë të frikshme ndaj nesh. I gënjeu mendja fuqishëm se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që s’e bëri çadra lokale e Lulit tim. Dhe kështu me sqepin e një zogu të vetëm do laheshin dy hesape të vjetra, bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës, fiks 2073 vjet pas betejës së Palasës ku Çezari turpëroi Pompeun, ndërsa armata shurdhuese e influencerave, followersa, analistëve, idealistëve, opinionistëve, urrejtësve dhe mercenarëve digjitalë të vënë në dispozicion nga armiqtë e Shqipërisë apo konkurrentët e saj të egër në industrinë e turizmit do të shpëtonte Shqipërinë nga unë, për llogari të karavidheve të opozitës së dukshme dhe të padukshme… nga llapaqorët e ballibullistët tek bllokrevolucionarët e aeroportit tek lugëndryshkurit e familjes tonë të madhe.
Me befasinë e ngjashme të një aksidenti, miliona njerëz që nuk e dinë se ku ndodhet Zvërneci, dinë se çfarë duhej aty. Jo se e duan Shqipërinë, por te simboli i një shpendi gjetën valvulën e shfryrjes së një kanali. U hap një kanal mllefi ndaj meje dhe jush, ndaj PS. Kjo kohë e re, kur dhe një rrahje globale, transporton gënjeshtra e jo fakte. Një projekt zhvillimi i Shqipërisë u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte që nuk ka për objekt vendin tonë. Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të saj. Duhet ta lexojmë këtë histori drejt, për çfarë vjen më pas. Se ky është vetëm fillimi. Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet për të kuptuar politikën sot. Nga një herë është mirë që të largohesh pak prej saj dhe të hapësh librat e historisë.