Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e 20 qershorit, rreth orës 23:30, në aksin “Lushnjë–Tiranë”, ku ka humbur jetën një 37-vjeçar që udhëtonte me biçikletë.
Sipas Policisë, shtetasi me iniciale T. V., 37 vjeç, dyshohet se fillimisht është aksidentuar nga një automjet me drejtues shtetasin B. M., 41 vjeç, dhe më pas është përplasur edhe nga një automjet tjetër me drejtues shtetasin F. M., 39 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, 37-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Policia ka shoqëruar dy drejtuesit e automjeteve dhe, pas veprimeve të para hetimore, ata janë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.










