Strukturat e Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat bujqësore të prekura nga karkaleci, kryesisht në Divjakë, Lushnjë dhe Belsh.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi nga terreni se pas evidentimit të vatrave janë ndërmarrë trajtime me preparate të autorizuara për të mbrojtur kulturat bujqësore dhe për të minimizuar dëmet.
Salla theksoi se AKVMB do të vazhdojë monitorimin intensiv dhe bashkëpunimin me fermerët për të garantuar reagim të shpejtë dhe mbrojtje efektive të prodhimit bujqësor.
Ndërkohë, drejtori i AKVMB-së, Rolan Çela, bëri të ditur se ndërhyrjet e kryera nga drejtoritë rajonale kanë bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të situatës, e cila sipas tij aktualisht paraqitet e stabilizuar.










