Trenat në Shqipëri do të ecin më shpejt? – Do të investohen...

Trenat në Shqipëri do të ecin më shpejt? – Do të investohen 100 mln lekë në dy segmente. 

245
SHPËRNDAJE

Hekurudha, që thuajse në të gjithë botën është baza e transportit të njerëzve dhe mallrave në Shqipëri ka degraduar. Por, këtij sektori thuajse të harruar ndër vite, duket se po i rikthehet vëmendja. Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ka hapur dy tenderë me nga 50 milionë lekë secilin për përmirësimin dhe rritjen e shpejtësisë së lëvizjes në linjë.

Pritet të ndërhyhet në dy segmente, atë Durrës-Elbasan dhe Rrogozhinë-Lushnje. Në secilën këto linja do të zëvendësohen materialet e amortizuara të trasesë në një gjatësi prej 4 mijë metra linearë për secilin segment.

Siç specifikohet ndër të tjera në dokumentet e tenderave, do të kryhet plotësimi i linjave me traversa druri të reja, pasi ato ekzistuese janë plotësisht të kalbura dhe një pjesë janë djegur në masë nga rënia e zjarreve. Krahas këtyre punimeve, në urën e Rrogozhinës do të zëvendësohen edhe parmakët që janë amortizuar.

Sipas Hekurudhës Shqiptare, në përfundim të punimeve të mësipërme, mendohet se shpejtësia e lëvizjës së trenave në këto dy segmente nga 5 km/orë që është aktualisht, të shkojë deri në 40 km/orë.

Ndërkaq, referuar buxhetit të shtetit 2023, për transportin hekurudhor janë parashikuar rreth 28.2 milionë euro financime të huaja, që do të përdoren për linjën Shkodër-Hani i Hotit; rehabilitimin e linjës Durrës-Terminali i pasagjerëve Tiranë; ndërtimin e linjës Tiranë-Rinas dhe studim fizibiliteti për linjën Durrës-Prishtinë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në vend është 204 km.

SCAN

S'KA KOMENTE