Presidenti Trump ne Davos-Europa nuk po ecen ne drejtimin e duhur

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Europa “nuk po ecën në drejtimin e duhur”.
Ai theksoi se, ndër dekadat e fundit, disa qeveri perëndimore kanë ndjekur politika që, sipas tij, kanë dobësuar ekonomitë e tyre, si rritja e shpenzimeve qeveritare, migracioni masiv i pakontrolluar dhe importet e pafundme. Trump shtoi se këto politika kanë çuar në deficite rekord buxhetore dhe tregtare dhe kanë dobësuar fuqinë ekonomike të vendeve europiane.

Berisha për 21 Janarin: Rama përgjegjësi kryesor, u bë gati të mbante fjalim nga karrigia ime

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në 15 vjetorin e 21 janarit se nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen ku u shënuan 4 viktima.Në një konferencë për shtyp, ai tha se Rama e thirri atë protestë pasi falsifikoi një video të filmuar nga Dritan Prifti dhe i kërkoi ish kryeministrit të kohës që të pranonte zgjidhjen politike ose “do të kalohej mbi kufoma”.

A keni diçka për të thënë për 21 Janarin?

Berisha: Unë i kam thënë të gjitha për këtë ngjarje, kam shkuar edhe në Prokurori dhe kam dëshmuar. Ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit, e dokumentuar, e faktuar. Ishte protestë me axhendë politike, siç janë dokumentet ndërkombëtare. Ishte protestë e paralajmëruar e Ramës se do tejkalohej kushtetuta. Ishte protestë e thirrur mbi bazën e falsifikimit të një regjistrimi të bërë nga Dritan Prifti, ku flitej për një letër të një pronari fitues tenderi për një hidrocentral, që e kishte marrë me gjykatë.

Edi Rama është përgjegjës kryesor për motivin dhe falsifikimin e dokumentit, për protestën e dhunshme që thirri, me një axhendë të caktuar. Më tha: prano zgjidhjen politike, ose do kalohet mbi kufoma. Nuk e di a e kanë thirrur apo jo, por ka një autor kryesor dhe ky është Edi Rama. Janë jo një, por më shumë se një deklarata të qeverisë amerikane ku kërkohet hetimi I plotë I kësaj ngjarje, nga polici I thjeshtë te organizatorët kryesorë.

Lotët që derdh janë lotë krokodili. Rama I solli ata si mish për top për pushtetin e tij. Ina Rama e hetoi çështjen, po nuk guxoi kurrë të thërrasë Edi Ramën. Garda qëlloi në kushtet e ligjit, zbatoi ligjin. Prandaj dhe ajo propozoi dënime. Kjo është historia. Edi Rama kërkon të përdorë këto viktima për të shpëtuar veten e tij.

A keni përgjegjësi morale, politike dhe ligjore për këtë ngjarje?

Berisha: Sali Berisha u rrethua në zyrë. Në qoftë se një njeri merr dhe falsifikon një dokument dhe e paraqet atë si dëshmi për një korrupsion të faktuar të zv.kryeministrit…në atë dokument dilja edhe unë si I përfshirë. Por meqenëse në copy-paste kalonin nga sekondi 25 në sekondën e 32, thanë “jo është bërë gabim, nuk është I përfshirë”. Në qoftë se bëhet një kurth i tillë, përgjegjësia ime pse Edi Rama falsifikon, ku është këtu? Më thanë “hajde të të vazhdojmë”. Jo pse do evadohesha unë? Unë isha në zyrën time. Rama ishte në kullën përballë dhe priste çastin të vinte në zyrën time të mbante fjalim. Është ngjarje fatkeqe shumë. Kam kërkuar që atë natë hetim ndërkombëtar. Ato fjalë atë (Ina Ramën) nuk i tërheq as sot. Keqardhje po, ngushëllime po që atë ditë.

Qeveria miratoi sot aderimin në Bordin e Paqes

Shqipëria në Bordin e Paqes. Qeveria ka miratuar aderimin në këtë organizëm ndërkombëtar pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump.

Menjëherë pasi Këshilli i Ministrave t’ja përcjellë Kuvendit, në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën, ky proces do të kryhet me procedure të përshpejtuar.

Ndaj Kuvendi pritet të mblidhet së shpejti në një seancë për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Ky bord përfshin liderë botërorë që japin këshilla dhe ndihmojnë në negociata, por nuk ka fuqi ekzekutive ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Synimi i Bordit është të mbështesë paqen dhe stabilitetin në rajon përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pra, në thelb është një iniciativë diplomatike e Trumpit, e projektuar si bord këshillues me ndikim në negociata dhe armëpushime, duke përfshirë liderë nga vende të ndryshme për të ndihmuar në stabilizimin e rajonit.

Punonjës i Ujësjellësit në Patos arrestohet për lidhje të paligjshme të dritave dhe ujit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-financiare të DVP Fier arrestuan shtetasin A. B., 52 vjeç, banues në Patos, punonjës i Ujësjellës-Kanalizime Patos, pasi në banesën e tij janë konstatuar lidhje të paligjshme për furnizimin me energji elektrike dhe me ujë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. B., 58 vjeç, punonjës i Ujësjellës-Kanalizime Patos, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë rast.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin O. B., 44 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. L., 37 vjeç, banues në Roskovec, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. B., 45 vjeç, banues në fshatin Savër, Lushnjë, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash një shtetaseje, nëpërmjet mashtrimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. Gj., 28 vjeç, banues në fshatin Verbas, Patos, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi A. N., 66 vjeç, i cili kallëzoi se i kanë vjedhur një shumë parash në magazinën në pronësi të tij. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Aksident ne Berat- 44 vjecarja humb jetën pasi u përplas nga një automjet

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. Q., 32 vjeç, banues në Kuçovë, pasi mbrëmë, në fshatin Lapardha, dyshohet se ka përplasur me automjetin që drejtonte, këmbësoren, shtetasen E. Q., 44 vjeçe, banuese në këtë fshat, e cila si pasojë, ka humbur jetën.

NDERKOHE sipas njoftimit nga Policia Berat

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-D. F., 62 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Uznovë, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe toke;
-F. P., 25 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka vjedhur para dhe produkte, në një dyqan.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. B., 30 vjeç dhe M. B., 28 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Velabisht, pasi u kapën duke transportuar 3.4 m³ dru zjarri, të dyshuar të prerë në kundërshtim me ligjin.

Dje, kallëzoi shtetasi N. D., 79 vjeç, se vajza e tij, shtetasja Dh. D., 48 vjeçe, ishte larguar nga banesa. Punohet për gjetjen e 48-vjeçares.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

 I dënuar për trafik dr*ge, prokuroria i sekuestron 400 mijë euro pasuri

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit A.Rr. dhe familjarëve të tij, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1125 të vitit 2020, rezultoi se shtetasi A.Rr., i dënuar më parë për ‘Trafik të lëndëve narkotike’ dhe ‘Organizatë kriminale’, nuk justifikonte pasuritë e krijuara, për të cilat Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë kërkoi sekuestrimin si më poshtë: 

a. Pasuria e llojit “apartament” me nr.pasurie 29/519+2-2, me sip.67 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasit B.B dhe A.Rr;
b. Pasuria e llojit “apartament” me nr.29/599+1-22, me sip.73 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasve A.Rr dhe B.B;
c. Pasuria e llojit “apartament” me nr.113/34+2-20, me sip.68.8 m2, ZK 3292, Tiranë, në zotërim të shtetases B.B;
d. Pasuria e llojit ‘njësi’ me nr. 12/417-N4 ZK 8602, Vlorë, me sip. 27 m2, në zotërim të shtetasit A.Rr;
e. Pasuria e luajtshme automjet marka “Toyota Corolla” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B;
f. Pasuria e luajtshme automjet marka “Volvo XC 60” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B; si dhe
g. Pasuria e luajtshme automjet marka “Mercedes benz GLA” viti 2016, në zotërim të shtetases S.Rr.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive për pasuritë e mësipërme të paluajtshme në vlerë totale 400.000 euro.

Rama në 15-vjetorin e 21 Janarit: Drejtësia po zvarritet për katër viktimat

Në përvjetorin e 15-të të ngjarjes së 21 Janarit 2011, kryeministri Edi Rama ka rikthyer në vëmendje plagën e hapur të katër protestuesve të vrarë gjatë demonstratës para Kryeministrisë.

Në një mesazh publik, Rama ka theksuar se edhe pas një dekade e gjysmë, familjet e viktimave ende presin drejtësi, ndërsa procesi gjyqësor ka mbetur i bllokuar në zvarritje të pafundme. Sipas tij, drejtësia shqiptare ka dështuar t’u japë një përgjigje dinjitoze atyre që humbën jetën dhe shoqërisë që kërkon të vërtetën.

Ngjarja e 21 Janarit konsiderohet një nga episodet më të rënda të historisë së pas vitit 1990, duke mbetur edhe sot një pikë e fortë përplasjeje politike dhe institucionale mbi përgjegjësitë dhe ndëshkimin e autorëve.

E-Albania jashtë funksionit prej pasdites së djeshme, qytetarët pa akses në shërbime”

Prej pasdites së djeshme dhe në vijim edhe gjatë ditës së sotme, platforma shtetërore e-Albania ka pësuar probleme të rënda teknike, duke lënë mijëra qytetarë pa mundësi për të marrë shërbime online.

Qytetarë nga e gjithë Shqipëria raportojnë se nuk mund të hyjnë në sistem, të shkarkojnë dokumente, të kryejnë aplikime apo të marrin vërtetime të domosdoshme për punë, shkollë apo procedura administrative.

Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar mbi shkakun e ndërprerjes apo afatin e rikthimit të shërbimit, ndërsa situata po krijon kaos dhe vonesa serioze në institucionet publike dhe tek bizneset.

Problemet e vazhdueshme në platformën digjitale po rikthejnë edhe një herë debatin mbi sigurinë, qëndrueshmërinë dhe varësinë totale të administratës nga një sistem i vetëm online.