Rritja e naftës godet transportin publik – Shoqatat: Nga e hëna, 30% më pak urbanë

Nga dita e hënë flota e autobusëve të transportit publik do të reduktohet me 30%, në rast se nuk ka një reagim nga institucionet në lidhje me rritjen e çmimit të karburantit. Në një dalje për mediat shoqatat, që përfaqësojnë operatorët ekonomikë thanë se po përballen me vështirësi të shumta për shkak të rritjes së kostove, por deri më tani nuk ka asnjë reagim nga ana e institucioneve qendrore apo vendore.

Ata përsëritën kërkesat, që sipas tyre do të mundësonin garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së këtij shërbimi në interes të qytetarëve.

Përfaqësuesit e shoqatatve thane se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, deri në këtë moment nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar këtë situatë.

Kërkesat e shoqatave të transportit

1-     Rishikim i barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit

2-     Vlerësim i një politike të veçantë për sektorin e transportit publik për heqjen e TVSH-së

3-     Aplikim i mekanizmave subvencionues, ose kompensues

Fier/ Arrestim për aksident f*tal dhe disa raste dhune e shkeljesh ligjore në disa zona të qarkut

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin “Divjakë-Lushnjë”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi R. D., 76 vjeç, pasi motomjeti që ai drejtonte u përplas me një mjet bujqësor, informojmë se specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan drejtuesin e mjetit bujqësor, shtetasin M. M., 67 vjeç, banues në fshatin Zhamec, Divjakë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-P. F., 63 vjeç, banues në fshatin Peshtan i vogël, pasi u konstatua duke kryer punime, pa leje;
-R. B., 45 vjeç, banues në fshatin Levan, pasi ka kanosur një shtetas dhe i ka dëmtuar automjetin, për motive të dobëta;
-E. K., 28 vjeç dhe R. S.(K)., 30 vjeç (vëllezër), të dy banues në Fier, pas kanë goditur me grushte një shtetas, për motive të dobëta.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. E., 44 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. L., 29 vjeç, banues në Tropojë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. S., 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit M. M., 48 vjeç, në fshatin Fratar.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë kallëzoi shtetasi A. Ç., 56 vjeç, pronar i një subjekti, se është larguar nga puna, shtetasi indian N. A., 32 vjeç, të cilin e kishte punësuar në subjektin e tij, me gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

GJKKO rrëzon Metën/Ofroi garanci 50 mijë euro për të lënë qelinë

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e presidentit të PL, Ilir Meta për të lënë qelinë.

Meta kërkoi zëvendësimin e masës kundrejt një garancie financiare prej 50 mijë euro. Ofertë e cila u hodh poshtë nga trupa e gjyqtarëve.

Presidenti i PL nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati mbrojtës Kujtim Cakrani. Ky i fundit tha se do të ankimojë vendimin e GJKKO, duke shtuar se beteja nuk përfundon këtu.

Ilir Meta mbahet në burg prej 21 tetorit 2024, ndërsa mbi të rëndojnë disa akuza nga SPAK si shpërdorim detyre, korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Izraeli paralajmëron përshkallëzim, Trump flet për mundësi marrëveshjeje me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur optimist për një përfundim të afërt të konfliktit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar zgjerim të mëtejshëm të operacioneve ushtarake në rajon.

Netanyahu deklaroi se Izraeli do të vijojë sulmet ndaj Iranit dhe në Liban, duke theksuar se synimi është dobësimi i kapaciteteve strategjike të kundërshtarëve. Ai u shpreh se po goditen programet raketore dhe bërthamore, ndërsa po shtohen goditjet ndaj Hezbollahut.

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit. Megjithatë, Trump ka lënë të kuptohet se ekziston ende një mundësi reale për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin.

Ndërkohë, presidenti amerikan ka urdhëruar shtyrjen e sulmeve ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane, duke sinjalizuar përpjekje për uljen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për negociata.

Shqipëria drejt një fotografimi të ri ajror, kontratë 2.65 mln euro për hartat dixhitale

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka lidhur kontratën për fotografimin ajror të territorit, një projekt që synon përditësimin e hartave dhe mbështetjen e zhvillimit urban e rural.

Kontrata për fotografimin ajror

Shqipëria do t’i nënshtrohet një procesi të ri fotografimi ajror për të rifreskuar hartat kombëtare, të cilat në shumë raste janë të vjetruara prej gati një dekade. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar lidhjen e kontratës me kompaninë fituese, me vlerë rreth 265 milionë lekë, ose 2.65 milionë euro.

Procedura ishte hapur në nëntor të vitit të kaluar dhe tashmë është finalizuar me përzgjedhjen e operatorit turk “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.” për realizimin e projektit.

Përditësim i të dhënave gjeohapësinore

Projekti përfshin fotografimin ajror dixhital të territorit, prodhimin e imazheve nadir dhe oblik, si dhe skanime LIDAR, me synim përditësimin e Sistemit Kombëtar të të Dhënave Gjeohapësinore. Kjo do të krijojë një bazë të unifikuar të dhënash për të gjithë territorin e vendit.

Sipas dokumenteve zyrtare, mungesa e të dhënave të përditësuara ka krijuar vështirësi në zbatimin e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimin urban, veçanërisht në zonat turistike dhe ato me rritje të shpejtë ekonomike.

Mbështetje për zhvillimin dhe investimet

Fotografimi i ri ajror pritet të ndihmojë institucionet publike dhe investitorët në planifikimin e projekteve, duke ofruar informacion të detajuar mbi territorin, përdorimin e tokës dhe zhvillimet urbane.

Kjo bazë të dhënash do të shërbejë edhe për stabilizimin e marrëdhënieve të pronësisë dhe për përmirësimin e planifikimit të infrastrukturës, duke reduktuar pasiguritë në investime.

Monitorim i ndryshimeve dhe rreziqeve

Të dhënat e reja do të mundësojnë analizimin e fenomeneve të rëndësishme si erozioni bregdetar, ndryshimet në përdorimin e tokës, ndërtimet e reja, si dhe ndikimet e fatkeqësive natyrore si rrëshqitjet e tokës apo zjarret në pyje.

Gjithashtu, sistemi do të përdoret për përmirësimin e regjistrit të adresave dhe mbështetjen e sistemeve kombëtare të menaxhimit të territorit dhe popullsisë.

Burimi: Monitor

Breshëri dhe reshje intensive dëmtojnë bujqësinë në Luginën e Vjosës

Moti i keq me reshje shiu dhe breshëri që përfshiu këtë të hënë vendin ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra të Luginës së Vjosës, duke goditur kryesisht sektorin e bujqësisë.

Sipas informacioneve në media, stuhia ka qenë e papritur dhe me intensitet të lartë, duke dëmtuar sipërfaqe të tëra të mbjella, veçanërisht pemëtaritë dhe vreshtat. Breshëri ka dëmtuar degët e pemëve dhe hardhitë, duke rrezikuar prodhimin jo vetëm për këtë sezon, por edhe për vitet në vijim.

Dëmet më të mëdha janë regjistruar në fshatrat Adë, Cakran dhe Vreshtas. Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për përsëritjen e këtyre fenomeneve dhe ndikimin e tyre në ekonominë bujqësore, e cila mbështetet kryesisht te prodhimi i tokave dhe vreshtave.

Mediat izraelite: 9 prilli si afat për fundin e luftës SHBA–Iran

Mediat izraelite raportojnë se Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar datën 9 prill si objektiv për përfundimin e luftës kundër Iranit. Lajmi është publikuar nga portali Ynet, i cili citon një zyrtar të lartë izraelit.

Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmime zyrtare nga Uashingtoni, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar dhe me zhvillime të shpejta.

Kanë kaluar rreth katër javë që nga nisja e konfliktit mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se janë arritur marrëveshje mbi disa pika kryesore me Iranin, gjatë një komunikimi me gazetarët përpara nisjes drejt Memphis.

Ai njoftoi gjithashtu një pauzë pesë-ditore në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke e lidhur këtë vendim me kontakte që i cilësoi si “pozitive dhe produktive” dhe me diskutime në vijim për një zgjidhje të mundshme të konfliktit.

Nga ana tjetër, Teherani e ka hedhur poshtë këtë interpretim, duke mohuar çdo negociatë, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Autoritetet iraniane e kanë cilësuar situatën si një tërheqje nga ana e SHBA-së, ndërsa Ministria e Jashtme ka theksuar se nuk do të ketë dialog pa u arritur më parë objektivat ushtarake.

Pakënaqësi në ushtrinë amerikane, ushtarakë kundër konfliktit me Iranin

Disa pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë shprehur zhgënjim të thellë ndaj operacioneve ushtarake kundër Iranit, duke deklaruar se nuk duan të jenë pjesë e një konflikti që e konsiderojnë politik. Sipas raportimit të Huffington Post, disa ushtarakë, që kanë folur në kushte anonimiteti, po marrin në konsideratë edhe largimin nga ushtria për shkak të zhvillimeve të fundit.

Një zyrtar ushtarak, i cili trajton ushtarët e evakuuar në një qendër mjekësore në Gjermani, ka theksuar se trupat po përballen me mungesë mbrojtjeje dhe planifikimi të pamjaftueshëm. Sipas tij, janë raportuar edhe humbje të konsiderueshme nga sulmet iraniane me raketa dhe dronë.

Ai ka paralajmëruar se një operacion tokësor në Iran do të ishte “një katastrofë absolute”, duke shtuar se nuk ekziston një plan i qartë për një ndërhyrje të tillë dhe se forcat amerikane nuk janë në gjendje të mbrojnë plotësisht as bazat e tyre në rajon.

Ndërkohë, një rezerviste që këshillon oficerë të rinj ka deklaruar se shumë ushtarakë po shprehin hapur kundërshtimin e tyre, duke theksuar se nuk duan të përdoren si “vegla politike” apo të përfshihen në konflikte që nuk i mbështesin.

Sipas raportimeve, një pikë kthese për këtë pakënaqësi ka qenë një sulm ajror i 28 shkurtit në qytetin iranian Minab, ku u vranë të paktën 175 persona, përfshirë dhjetëra nxënëse.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e një operacioni tokësor në Iran. Në të njëjtën kohë, aleatët e NATO-s kanë refuzuar të mbështesin përpjekjet për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar tensionet brenda aleancës.