Rreth 400 vende të reja pune pritet të hapen në kuadër të projektit mes kompanisë shtetërore “Kayo” dhe gjigantit italian “Fincantieri” për ndërtimin e një kantieri të ri detar në Pashaliman. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë një konference për mediat.
Sipas tij, projekti synon prodhimin në Shqipëri të mjeteve lundruese për nevoja kombëtare dhe për tregun ndërkombëtar, duke e kthyer vendin në një qendër të rëndësishme europiane për ndërtimin e anijeve të vogla dhe të mesme.
Ministri theksoi se investimi parashikon ngritjen e kantierit të ri në Pashaliman, punësimin e qindra qytetarëve dhe zhvillimin e aftësive teknologjike e profesionale për të rinjtë shqiptarë.
Ndërkohë, administratori i kompanisë “Kayo”, Ardi Veliu, deklaroi se projekti për prodhimin e mjeteve të blinduara dhe dronëve luftarakë ka pësuar vonesa për shkak të problemeve në zinxhirët e furnizimit, të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe bllokimet e përkohshme të hapësirës ajrore.
Ai garantoi se deri në verë kompleksi do të jetë plotësisht funksional.
Sa i përket angazhimit të Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit të Gazas, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjenerallejtënant Arben Kingji, tha se ende nuk është përcaktuar numri i trupave që do të dërgohen.










