Përplasen dy automjete në rrugen e Kombit, 4 persona të lënduar

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pak momente më parë në Rrugën e Kombit, në segmentin Milot–Rrëshen, pranë Urës së Zogut.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Mini Cooper” dhe një mjet tip “Volkswagen”, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën.

Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të lënduar. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Rrëshenit, ku po marrin ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, që deri më tani mbeten të paqarta.

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e ish-kreun e ARRSH, mbetet në burg Evis Berberi

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin lidhur me kërkesën e Evis Berberit, ish-drejtues i Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke rrëzuar pretendimin e tij.

Vendimi i Gjykatës lidhej vetëm me masën e sigurisë, ndërsa trupa gjykuese ka vendosur që ajo të mbetet në fuqi.

Si pasojë, Evis Berberi do të vijojë të qëndrojë në burg.

Sakaq, pretendimet e tjera të Berberit nuk janë marrë në konsideratë nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa në lidhje me papërdoshmërinë të dhënave, ai duhet të bëjë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë.

SPAK kërkon 133 vite burg për 17 të pandehur për kultivim kan*bisi në Berat

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lexuar pretencën për 17 të pandehur, të akuzuar për kultivimin e kanabisit në katër sera në zonën e Beratit gjatë viteve 2021–2022.

Organi i akuzës ka kërkuar në total 133 vite burg për të pandehurit. Ata po gjykohen me procedurë të shkurtuar, çka nënkupton se pritet të përfitojnë ulje të dënimit.

Për katër prej tyre, konkretisht Bashkim Mema, Drita Mema, Izmire Mema dhe Edison Mema, SPAK ka kërkuar pezullimin e dënimit me burg dhe vendosjen në shërbim prove për një periudhë 3-vjeçare.

Nga hetimet rezulton se sasia e kanabisit të kultivuar në këto sera arrinte nga 1.7 deri në 1.8 tonë.

Të dielën ndryshon ora!

Të dielën ndryshon ora: Akrepat shkojnë 60 minuta përpara

Ndryshimi i orës për kalimin në orën verore po afron. Këtë të diel, më 29 mars, në orën 03:00, akrepat do të lëvizin një orë përpara, duke shënuar 04:00. Kjo do të thotë një orë më pak gjumë, por më shumë dritë natyrale gjatë ditës.

Kjo praktikë zbatohet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, në bazë të rregullave të përbashkëta për ndërrimin mes orës dimërore dhe asaj verore. Ora verore do të qëndrojë në fuqi deri të dielën e fundit të tetorit, më 25 tetor 2026, kur akrepat do të kthehen sërish pas.

Qëllimi i këtij ndryshimi është kursimi i energjisë dhe shfrytëzimi maksimal i dritës natyrale gjatë muajve më të ngrohtë. Megjithatë, vitet e fundit ka pasur diskutime në nivel europian për mundësinë e heqjes së këtij sistemi.

Për shumicën e qytetarëve, ndryshimi i orës do të kryhet automatikisht në pajisjet elektronike si telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe orët smart. Ndërsa orët analoge apo pajisjet më të vjetra do të kërkojnë rregullim manual.

Ekspertët këshillojnë që gjatë ditëve të para pas ndërrimit të orës, qytetarët të tregojnë kujdes me rutinën e gjumit dhe nivelin e energjisë gjatë ditës, pasi organizmi ka nevojë për kohë për t’u përshtatur.

Berisha kundër Bordit të Transparencës për rritjen e çmimit të naftës

Berisha u shpreh sot nuk ka nevojë që qeveria të ngrejë Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimit të karburanteve.Sipas tij ajo që duhet bërë është përgjysmimi i taksave dhe vendosja në nivelin që ka Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Në shkëmbim flagrant të interesave të qytetarëve dhe në mbrojtje të oligarkëve, nuk ka nevojë për bord për përgjysmo taksat vendos nivelin që ka Kosova dhe Maqedonia, pastaj le të guxojë kush të shesë një qindarkë më shumë, dhe të marrë atë që meriton”, tha Berisha.

Lufta në Iran rrit çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi

Çmimi i naftës po shënon rritje të ndjeshme ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë. Në orën 05:30 GMT, çmimi i naftës Brent luhatej rreth 104 dollarë për fuçi, pas një rritjeje prej mbi 40% që nga fillimi i konfliktit.

Afati i ultimatumit të Presidentit Donald Trump për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit më 28 mars ka mbajtur tregjet në pritje për një zgjidhje diplomatike. Gjatë fundjavës, çmimi Brent arriti në 113 dollarë për fuçi, për shkak të frikës nga përshkallëzimi i luftës.

Investitorët po favorizojnë aksionet e furnizuesve perëndimorë të gazit, që mund të përfitojnë nga çmimet e larta dhe rrugët alternative të furnizimit që shmangin Lindjen e Mesme. Kontratat e ardhshme të gazit natyror ishin pak nën 3 dollarë.

Evropa, që importon pak gaz nga Katari, po përballet me konkurrencë nga blerësit aziatikë për ngarkesat amerikane të LNG-së, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve globale të energjisë.

Vlora sërish pa ujë, shkak punimet në rrjetin e ujësjellësit

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njoftoi këtë të enjte se një pjesë e qytetit do të mbetet pa ujë, pasi do të kryhen punime për rregullimin e një defekti të rëndë të ndodhur në lagjen “10 Korriku”.

Sipas njoftimit zyrtar, një pjesë e qytetit do të jetë pa furnizim me ujë gjatë orëve të pasdites së sotme, dhe normaliteti i furnizimit me ujë për të gjithë qytetin pritet në mëngjesin e ditës së nesërme.

“Grupet tona kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës së kaluar dhe vijojnë ende punën intensive për eliminimin e një defekti të rëndë në lagjen “10 Korriku”.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët dhe bizneset se, për shkak të kësaj avarie, është kryer stakimi i detyruar i depos kryesore, për të bërë të mundur ndërhyrjen dhe riparimin sa më të shpejtë.

Si pasojë, një pjesë e qytetit do të jetë pa furnizim me ujë gjatë orëve të pasdites së sotme.

Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë me intensitet maksimal për të rikthyer shërbimin në kohën më të shpejtë të mundshme.

Rikthimi në normalitet i furnizimit me ujë për të gjithë qytetin pritet në mëngjesin e ditës së nesërme.

Kërkojmë ndjesë për shqetësimin dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Tabaku/“Salianji duhet të jetë pjesë e garës për kryetar”

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi nga Shkodra se forca politike ku ajo bën pjesë nuk ka luksin të humbasë asnjë nga figurat e saj, në një moment të rëndësishëm për organizimin e brendshëm.

Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë, Tabaku iu përgjigj interesit për mundësinë që Ervin Salianji të kandidojë përballë kreut aktual, Sali Berisha, në zgjedhjet e brendshme të partisë. Ajo theksoi se pjesëmarrja dhe kontributi i çdo figure është i domosdoshëm, duke e ftuar Salianjin të bëhet pjesë e diskutimeve brenda Partisë Demokratike.

Sipas saj, partitë politike nuk duhet të funksionojnë si monopol, por duhet të udhëhiqen nga vullneti i anëtarësisë dhe vota e lirë, si elementi kryesor që përcakton drejtimin dhe të ardhmen e tyre.