Fier: Arrestime dhe procedime penale për dh*në, nar*otikë dhe shkelje të qarkullimit rrugor

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin S. M., 41 vjeç, banues në Fier, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. D., 34 vjeç, banues në fshatin Peshtan Bregas, pasi ka goditur me grusht kushëririn e tij.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. G., 42 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

  • S. R., 71 vjeç, banues në Patos, pasi drejtonte pa leje drejtimi, një mjet pa targa;
  • një 16-vjeçar, pasi drejtonte automjet, pa leje drejtimi.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. K., 51 vjeç, banues në fshatin Vidhisht, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasin A. H., 39 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në banesën e hallës së tij, ku ai vuante masën e sigurisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

 Qeveria shqiptare ul akcizën për naftën dhe benzinën me 20 %

Qeveria shqiptare ka miratuar një masë të re fiskale për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Përmes një akti normativ, është vendosur ulja me 20% e akcizës për naftën dhe benzinën, në raste të caktuara kur çmimet kapërcejnë nivele të përcaktuara.

Sipas vendimit, reduktimi i akcizës do të aplikohet në momentin kur çmimi me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, tejkalon 220 lekë për litër për naftën dhe 200 lekë për litër për benzinën.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se kjo ndërhyrje është pjesë e angazhimit të qeverisë për të reaguar ndaj situatave të jashtëzakonshme, duke iu referuar edhe zhvillimeve të fundit ndërkombëtare që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës.

Autoritetet bëjnë me dije se akti normativ do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare. Sipas qeverisë, masa synon të lehtësojë barrën për qytetarët dhe bizneset, duke ruajtur njëkohësisht balancat buxhetore në këtë periudhë sfiduese.

Skënder Hita :“Lufta ndaj korrupsionit nis në radhët tona”

Drejtori i përgjithshëm i policisë, Skënder Hita ka mbledhur në takim drejtorët e qarqeve dhe të kufirit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me drejtorët e qarqeve dhe ata të kufirit, ku ka përcaktuar prioritetet kryesore të punës për periudhën në vijim.

Gjatë fjalës së tij, Hita theksoi se fokusi kryesor do të jetë lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë, duke kërkuar tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje. Si shembull konkret, ai përmendi pezullimin e 7 oficerëve në Peqin, lidhur me rastin e kanabisit të zbuluar në depon e ish-drejtorit të burgut të Rrogozhinës

Krahas kësaj, drejtori i përgjithshëm nënvizoi si prioritete të tjera goditjen e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, luftën ndaj lojërave të fatit të paligjshme, si dhe parandalimin e krimeve gjatë sezonit turistik.

Hita kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit vendorë për rritjen e sigurisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit.

Bordi i Transparencës pritet të rrisë sërish sot çmimin e naftës

Çmimi i Platts Gasoil CIF (USD/TON), një çmim reference ndërkombëtar për naftën (diesel/gasoil) që përdoret në tregtinë globale, arriti në 1617 dollarë për ton ditën e djeshme dhe do të reflektohet sot në Dogana në vend, sipas burimeve nga dogana. Në bazë të këtij çmimi taksohet nafta dhe vlera vetëm e taksave në doganë arrin 105 litër. Në bazë të këtij çmimi bëhet dhe zhdoganimi i naftës nga operatorët vendas, sipas shpjegimeve të tyre, pavarësisht se kur është blerë.

Vetëm në një ditë, çmimi është rritur me rreth 195 dollarë, pasi në datën 2 mars Platts ishte 1420 dollarë (shiko grafikun).Rritja e fundit erdhi pas pasigurive të luftës dhe deklaratave kontradiktore të presidentit amerikan Trump. Duke qenë se është fundjavë dhe pashkë, ky çmim pritet të jetë për të paktën katër ditë.

Sipas të dhënave të deritanishme të ecurisë së Platts dhe çmimit të naftës në vend, të analizuara nga Monitor, çdo 100 dollarë rritje në bursa përkthehet në rreth 6-8 lekë në vend. Psh, nga data 27 shkurt, kur Platts ishte 763 dollarë, ai arriti në 1435 dollarë 27 mars, ose 672 dollarë më shumë. Për të njëjtën periudhë, nafta në vend u rrit nga rreth 170-173 lekë mesatarisht në 218 lekë, ose 45-48 lekë më shumë.

Bordi ka njoftuar operatorët se do të mblidhet ditën e sotme.

Aktualisht nafta tregtohet me 218 lekë dhe pritet që të shkojë përtej kufirit të 220 lekëve, që automatikisht aktivizon uljen me 20% të akcizës së naftës, sipas vendimit të qeverisë.

Akciza sot pa TVSh është 39.4 lekë dhe efekti i kësaj uljeje pritet të jetë vetëm rreth 8 lekë pa TVSH dhe 9.5 lekë, përfshirë TVSH-në, duke mos arritur të amortizojë as rritjen e ditës së fundit të naftës në Bursa.

Operatorët kanë pohuar më herët se vetëm ulja e barrës fiskale mund të amortizojë rritjen e çmimit të naftës.

Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekë për litër. Akciza është fikse, 39.4 lekë për litër dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Mbi këto llogaritet TVSH-ja, që është 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni që TVSH nuk e ngarkon mbi taksat e tjera./Monitor

Spiropali reagon pas përplasjeve: Konflikti banal po zëvendëson funksionin

Reagimi i plotë:

Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare.

Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.

Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.

Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.

Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.

Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.

Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.

Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë.

Tronditet qeveria Mitsotakis: Dorëhiqen tre ministra, skandal me fondet bujqësore në qendër të hetimeve

Qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis është përfshirë nga një valë dorëheqjesh, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me një skandal të dyshuar mbi fondet bujqësore.

Tre anëtarë të kabinetit kanë paraqitur dorëheqjen:

  • Ministri i Mbrojtjes Civile, Yiannis Kefalogiannis
  • Ministri i Zhvillimit Rural, Kostas Tsiaras
  • Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dimitris Vartzopoulos

Sipas burimeve, një riorganizim i kabinetit pritet të realizohet gjatë ditës së sotme, ndërsa betimi i anëtarëve të rinj të qeverisë është planifikuar për nesër. Gjithashtu, pritet që edhe Kostas Skrekas të japë dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë Demokracia e Re.

Hetimi në fjalë lidhet me ngjarje të vitit 2021 dhe përfshin vepra penale si nxitje për shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh, me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve.

Prokuroria Europiane ka dërguar në Parlamentin grek një dosje të gjerë mbi këtë çështje, e cila dyshohet të përfshijë një rrjet të organizuar mashtrimi me fondet bujqësore, duke goditur rëndë imazhin e qeverisë Mitsotakis.

Rama kërkon fokus te emergjencat civile dhe “paketa e maleve” në mbledhjen me kryebashkiakët

Gjatë një mbledhjeje me kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama ka theksuar nevojën për rritjen e fokusit në forcimin e strukturave të emergjencave civile në nivel vendor.

Sipas burimeve, Rama ka kërkuar gjithashtu më shumë angazhim nga bashkitë për zbatimin e “paketës së maleve”, duke marrë parasysh interesin e lartë për zhvillimin e këtyre zonave.

“Jemi duke punuar për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve, sidomos në zonat turistike”, mësohet të ketë deklaruar kryeministri gjatë fjalës së tij.