FIER-Nje 15 vjecare kishte konsumuar detergjente dergohet ne Tirane

Ngjarje e rëndë në Fier

Një 15-vjeçare u dërgua nga familjarët në Spitalin Rajonal Fier pasi kishte konsumuar detergjent. Për shkak të gjendjes së saj, ajo u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore të specializuar. Sipas mjekëve, e mitura ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Si do përfitojne fermeret nga kompensimi i TVSH-së në bujqësi?

Fermerët që shesin produkte bujqësore tek grumbulluesit mund të përfitojnë kompensim të TVSH-së në masën 10%, nëse mbledhin dhe dorëzojnë faturat përkatëse sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave.

Si funksionon skema

Për çdo furnizim që fermeri bën te një grumbullues i regjistruar për TVSH:

  • Faturën e lëshon blerësi (grumbulluesi), jo fermeri.
  • Fatura është e fiskalizuar dhe në të shënohen të dhënat e fermerit (si shitës), përfshirë NIPT-in.
  • Në faturë nuk llogaritet TVSH, por shënohet vlera totale e furnizimit.
  • Mbi këtë vlerë aplikohet norma e kompensimit 10%.

Afatet për aplikim

Fermerët duhet të paraqesin kërkesën:

  • Deri më 31 dhjetor për furnizimet e periudhës janar–qershor;
  • Deri më 30 qershor të vitit pasardhës për furnizimet korrik–dhjetor.

Si bëhet aplikimi

Fermeri dorëzon:

  • Kërkesën standarde për kompensim (në postë ose elektronikisht);
  • Vlerën totale të faturave për periudhën;
  • Numrin e llogarisë bankare;
  • Kopje të faturave të fiskalizuara, të firmosura nga fermeri.

Kush përfiton?

Për të përfituar, fermeri duhet:

  • Të ketë qarkullim vjetor nën kufirin e regjistrimit për TVSH;
  • Të shesë produkte bujqësore;
  • Të furnizojë subjekte të regjistruara për TVSH (grumbullues, përpunues, agroturizëm i certifikuar);
  • Të jetë i pajisur me NIPT;
  • Faturat të jenë të fiskalizuara dhe të regjistruara në sistemin tatimor.

Sa është kompensimi?

Kompensimi është 10% e vlerës totale të faturave të lëshuara nga grumbulluesi gjatë periudhës 6-mujore.

Kur paguhet?

Administrata tatimore kryen verifikimet dhe brenda 30 ditëve e kalon shumën e kompensimit drejtpërdrejt në llogarinë bankare të fermerit.

Berat / Finalizohet operacioni “Çmontimi”: 68 automjete të kontrabanduara, një i arrestuar, një në kërkim

Berat/Finalizohet operacioni i koduar “Çmontimi”.

Zbulohen në Dimal, 2 subjekte ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Sekuestrohen 68 automjete (pjesërisht të çmontuara).

Arrestohet pronari i njërit subjekt, shpallet në kërkim pronari i tjetrit.

Si rezultat i kontrolleve, punës operative dhe asaj hetimore, me fokus konstatimin dhe goditjen e rasteve të kryerjes së aktiviteteve ekonomike, në informalitet dhe/ose me produkte të kontrabanduara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit, finalizuan operacionin e koduar “Çmontimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë.

Gjatë kontrolleve në subjektin e tyre (servise për automjete/subjekte për shitje pjesësh për automjete), u gjetën përkatësisht 55 dhe 13 automjete (pjesërisht të çmontuara), për të cilat nuk posedoheshin dokumente blerjeje dhe as doganore.
Automjetet dyshohet se janë të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Punohet për kapjen e shtetasit R. S..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Protesta e opozites /19 policë në spital, shoqërohen rreth 20 protestues

Përplasjet gjatë protestës së opozitës lanë të plagosur 19 efektivë policie, deputetin Bledion Nallbati dhe disa qytetarë, ndërsa rreth 20 protestues u shoqëruan në polici. Shumica e të lënduarve morën ndihmë mjekësore dhe u larguan nga spitalet, ndërsa deputeti dhe disa efektivë mbeten nën trajtim. Opozita paralajmëroi vazhdimin e protestave, duke caktuar 20 shkurtin si datën e mobilizimit të radhës.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit gjatë tubimit të opozitës në Tiranë përfunduan me dhjetëra të lënduar dhe shoqërime në polici.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Spitalin e Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u paraqitën gjithsej 21 persona, mes tyre 19 efektivë policie, një deputet dhe një qytetar.

Në Spitalin e Traumës morën trajtim 10 efektivë policie, deputeti i opozitës dhe një qytetar. Pas ndihmës mjekësore, shumica e efektivëve u larguan, ndërsa një prej tyre u transferua në shërbimin e Toksikologjisë për probleme me frymëmarrjen.

Ndërkohë, në QSUT u trajtuan edhe 10 efektivë të tjerë me simptoma intoksikimi dhe djegie, ku tre prej tyre u shtruan për trajtim të mëtejshëm.

Policia bëri të ditur se rreth 20 protestues të përfshirë në akte dhune janë shoqëruar në komisariate, ndërsa në rrugët e kryeqytetit mbetën molotovë të pashpërthyer dhe mjete piroteknike, që sipas autoriteteve mund të kishin shkaktuar pasoja më të rënda.

Pas përfundimit të protestës, drejtues të opozitës shkuan pranë komisariateve ku po mbahen të shoqëruarit, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protestat do të vazhdojnë dhe paralajmëroi një tjetër mobilizim më 20 shkurt.

Ai e cilësoi tubimin si një demonstrim force të opozitës dhe u bëri thirrje mbështetësve për pjesëmarrje në aksionet e ardhshme politike.

Fier/ Shpërndau qindra foto dhe video me të mitur, autori përballet me drejtësinë

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykim shtetasin I.M, i akuzuar për veprën penale të pornografisë me të mitur. Sipas dosjes hetimore, ai përdori platforma të ndryshme të rrjeteve sociale për të shpërndarë 111 foto dhe video me përmbajtje seksuale, të realizuara nga ai vetë në banesën e tij, duke përfshirë femijë në moshë 10 deri 12 vjeç.Hetimi vuri në dukje se materialet u shpërndanë në internet, duke përfshirë rrjete sociale dhe aplikacione të ndryshme, duke përbërë një rrezik të madh për fëmijët e përfshirë dhe për sigurinë e të miturve në përgjithësi.

Rasti tashmë ka kaluar në gjykatë, ku pritet shqyrtimi dhe vendimi për veprën penale të pornografisë me të mitur. Autoritetet e sigurisë dhe prokuroria bëjnë apel për qytetarët që të denoncojnë çdo rast të ngjashëm dhe të mos shpërndajnë materiale të dëmshme ndaj të miturve.

Zbulohet neni që do të “garantojë” pavarësinë e politikës nga SPAK-u

Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese u nda 4 me 4 duke mos e dhënë një vendim për kërkesën e qeverisë nëse kërkesa e SPAK për pezullimin e Belinda Ballukut ishte ndërhyrje në punët e ekzekutivit, kryeministri Edi Rama të hënën paralajmëroi se “grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”.

Por si do të avancohet me këtë ndërhyrje ligjore?Për momentin përjashtohet ngritja e një grupi pune me juristët e grupit parlamentar socialist.

Ndryshimet ligjore e më konkretisht të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, kryeministri Rama duket se ia ka besuar ministrit të drejtësisë Besford Lamallari.

Të njëjtat burime kanë treguar ndryshimet e mundshme të këtij neni.

Por fillimisht le të shikojmë se çfarë parashikon neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për  “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”  të cilin e përdori për herë të parë SPAK, kur  kërkoi  pezullimin e Belinda Ballukut nga postet që mbante.

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Mësohet se ndryshimet e pritshme të këtij neni parashikojnë moslejimin e pezullimit nga detyra të të gjithë funksionarëve, funksionet e të cilëve burojnë nga kushtetuta.

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Me këtë ndryshim mazhoranca synon ti japë fund debatit sa politik dhe juridik nëse SPAK e më pas me miratimin e GJKKO ndërhynë në kompetencat e qeverisë.

Mbetet e paqartë koha se kur ky ndryshim do të shkojë për diskutim dhe miratim në parlament.

VIDEO/ Momenti kur policia tërheq protestuesin në rrugë

Pas përplasjeve gjatë protestës kombëtare të zhvilluar këtë të martë nga Partia Demokratike, një protestues është shoqëruar nga policia në ambientet e saj.

Sipas raportimeve, dyshohet se ai ka hedhur gurë ndaj efektivëve, duke shkaktuar tension në zonën e tubimit. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur protestuesi është tërhequr zvarrë nga policia dhe është futur më pas në furgonin e efektivëve.

Forcat e rendit kanë konfirmuar se veprime të tilla do të ndiqen ligjërisht, ndërsa mbeten në gatishmëri për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë kohës së protestës.

Drejtësia në pritje, njerëzit në qeli: kriza e heshtur e paraburgimit në Shqipëri

Në Shqipëri, burgu po shndërrohet gjithnjë e më pak në vend ku zbatohet dënimi dhe gjithnjë e më shumë në një stacion pritjeje për një drejtësi që ecën me ritme të ngadalta. Ajo që ligji e parashikon si masë përjashtuese, sot është bërë praktikë e përditshme: paraburgimi.

Shumica pas hekurave nuk janë dënuar

Sipas të dhënave të fundvitit 2025, sistemi penitenciar shqiptar kishte:

  • Më pak se 2 mijë të dënuar me vendim të formës së prerë
  • Mbi 2.500 persona në paraburgim

Me fjalë të tjera, më shumë se gjysma e atyre që ndodhen në qeli janë ende të pafajshëm në sytë e ligjit, por po presin hetime dhe procese që zvarriten me vite.

Raporti europian SPACE I e rendit Shqipërinë mes vendeve me përqindjen më të lartë të paraburgimit në kontinent. Problemi nuk është vetëm numri, por mënyra si përdoret kjo masë: si rregull dhe jo si përjashtim.

Qelia mbush moshën që mban shoqërinë në këmbë

Paraburgimi po godet drejtpërdrejt shtresën më aktive të shoqërisë.

Nga 25 deri në 50 vjeç është profili tipik i atyre që përfundojnë pas hekurave, ndërsa te paraburgosurit dominon mosha 30–40 vjeç.

Kjo nuk është thjesht statistikë. Është fuqi punëtore e humbur, familje pa mbështetje dhe një brez që rrezikon të përjashtohet përgjithmonë nga jeta shoqërore.

Krime të rënda, hetime që nuk mbarojnë

Një pjesë e madhe e të paraburgosurve përballen me akuza për:

  • krime kundër jetës,
  • trafik droge,
  • vepra të rënda penale.

Por proceset për këto çështje zgjasin me vite. Në këtë boshllëk kohor, burgu bëhet dënimi i parë, edhe pse ligjërisht nuk është i tillë.

Një sistem që nuk çlirohet dot

Dënimet e gjata – mbi 5, 10 apo 20 vjet – e bëjnë sistemin të ngurtë. Daljet janë të pakta, hyrjet të pandërprera. Paraburgimi mbetet konstant gjatë gjithë vitit, duke treguar se sistemi nuk arrin të marrë frymë.

Në këtë realitet, amnistia nuk është më reformë, por një valvul presioni për një sistem që nuk funksionon siç duhet.