Rritet sërish nafta, Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja

Bordi i Transparencës në datë 10 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 217 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 205 lekë/litër. 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 176 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 10 ora 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Fier/ Arrestime dhe ndalime për disa vepra penale, në pranga 2 shtetas në kërkim

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier vunë në pranga shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në fshatin Cakran, Fier, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Ç., 49 vjeç, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kapën shtetasin L. A., 39 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Makina përplas 64-vjeçaren në vijat e bardha

Një aksident rrugor është shënuar paraditen e sotme në rrugën Transballkanike, ku një automjet ka përplasur një grua teksa ajo po kalonte në vijat e bardha.

Sipas informacioneve paraprake, e dëmtuara është një grua rreth 64 vjeç, e cila po kalonte rrugën në momentin kur u godit nga automjeti.

Fatmirësisht, ajo ka pësuar vetëm lëndime të lehta. Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se e moshuara ka marrë një plagë në këmbë, konkretisht në këmbën e majtë.

Ajo është transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Apeli zbuti dënimin përjetë për vr*sësin e policit në Fier, reagon ministri i Brendshëm

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari reagoi pas vendimit të Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm që dënoi me 35 vjet burg Azgan Mërnicën, i cili vrau me armë zjarri, efektivin e forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarin, Novruz Cenalia.

Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Lamallari e cilësoi vendimin një akt që dekurajon kolegët në uniformë dhe rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor. Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit.

Edhe Prokuroria e Apelit nuk është pajtuar me vendimin dhe kërkesën për zbutje të dënimit nga burg përjetë në 35 vite. Pritet të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Telefonat dhe rrjetet sociale në shkolla

Në klasat e sotme, libri nuk është më i vetmi burim informacioni. Në xhepin e çdo nxënësi ndodhet një pajisje që ofron gjithçka: dije, argëtim, shpërqendrim dhe presion social. Smartphone-i dhe rrjetet sociale kanë hyrë në shkollë jo me leje, por si një realitet i pakthyeshëm. Pyetja nuk është më nëse duhet të jenë aty, por çfarë po i bëjnë ata procesit të të nxënit dhe vetë të rinjve.

Është e vështirë të konkurronte një mësim 45-minutësh me një ekran që ndryshon përmbajtje çdo pak sekonda. Vëmendja, një nga aftësitë më thelbësore për të mësuar, po copëzohet. Njoftimet, videot e shkurtra dhe zakoni i “scroll”-it të pafund krijojnë një model mendimi të shpejtë, por sipërfaqësor. Nxënësi mësohet të konsumojë informacion, jo ta përpunojë atë. Në këtë kuptim, telefoni nuk është thjesht mjet komunikimi—është një “mësues i padukshëm” që po formëson mënyrën si mendojnë të rinjtë.

Pasojat nuk ndalen te notat. Rrjetet sociale ndërtojnë një realitet paralel ku gjithçka duket më e bukur, më e suksesshme, më perfekte se jeta reale. Për një adoleshent, kjo përkthehet shpesh në krahasim të vazhdueshëm dhe ndjenjë pamjaftueshmërie. Ankthi, ulja e vetëvlerësimit dhe izolimi nuk janë më përjashtime, por fenomene gjithnjë e më të pranishme. Kur kjo shoqërohet me mungesë gjumi dhe ulje të aktivitetit fizik, ndikimi bëhet edhe më i thellë.

Megjithatë, demonizimi i teknologjisë është një rrugë e gabuar. Smartphone-i mund të jetë një mjet i fuqishëm mësimor: akses i menjëhershëm në informacion, aplikacione edukative, komunikim i shpejtë. Problemi nuk është prania e tij, por mungesa e kufijve. Një klasë pa rregulla digjitale është një hapësirë ku fokusi humbet pa u ndjerë.

Shkollat përballen sot me një zgjedhje të vështirë: ndalim total apo integrim i kontrolluar. Përvoja tregon se ekstremet rrallë funksionojnë. Ndalimi absolut mund të krijojë rezistencë dhe ta shtyjë përdorimin jashtë kontrollit, ndërsa lejimi pa rregulla e shndërron klasën në një zgjatim të rrjeteve sociale. Zgjidhja qëndron te balanca: kufizim gjatë mësimit, përdorim i drejtuar për qëllime edukative dhe, mbi të gjitha, edukim për vetëpërmbajtje digjitale.

Në fund, sfida nuk është teknologjike, por kulturore. Të rinjtë duhet të mësojnë jo vetëm si të përdorin telefonin, por edhe kur ta lënë atë mënjanë. Sepse arsimi nuk është thjesht marrje informacioni; është ndërtim karakteri, përqendrimi dhe aftësie për të menduar thellë. Dhe këto nuk mund të mësohen duke rrëshqitur pafund në një ekran.

Rriten vetëprodhuesit e energjisë 

Numri i konsumatorëve që po prodhojnë vetë energjinë elektrike për nevojat e tyre ka vijuar të rritet gjatë vitit 2025. Të dhënat e publikuara në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka miratuar gjatë këtij viti 1,135 aplikime për statusin e vetëprodhuesit, nga 1,261 kërkesa të paraqitura gjithsej.

Sipas ERE, ky numër përfaqëson një rritje me 27.96% krahasuar me vitin 2024, duke e çuar në 3,551 numrin total të konsumatorëve që kanë marrë statusin e vetëprodhuesit në vend.

Ligji “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” u jep mundësi konsumatorëve të prodhojnë energjinë që u nevojitet për përdorim personal, kryesisht nga burime diellore dhe era, me synimin për të ulur kostot e faturës mujore dhe për të rritur pavarësinë energjetike. Sipas kuadrit rregullator në fuqi, konsumatorët që marrin këtë status mund të instalojnë kapacitete deri në 500 kË për të mbuluar nevojat e tyre, ndërsa energjia e tepërt mund të injektohet në rrjetin e shpërndarjes.

Të dhënat tregojnë se pjesën më të madhe të vetëprodhuesve e përbëjnë subjektet private, me rreth 67% të totalit, ndërsa 31% janë konsumatorë familjarë. Vetëm rreth 2% i përkasin kategorisë buxhetore dhe jobuxhetore.

Sipas shpërndarjes sipas kategorive, deri në fund të vitit 2025 rezultojnë 2,377 vetëprodhues jofamiljarë, 1,089 familjarë, 69 institucione publike, si bashki, ministri apo institucione arsimore, si edhe 16 institucione jobuxhetore, mes tyre ujësjellësa, poliklinika dhe qendra shëndetësore.

Ministrja Ibrahimaj: Do subvencionojmë të gjitha shtresat në nevojë per cmimet e rritura

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj  foli për çmimet e larta, duke thënë se nga monitorimet e kryera është vënë re se ka pasur rritje të çmimeve vetëm në kategorinë e perimeve dhe se për këtë do garantohet subvencionim.

“Që nga mesi i muajit mars kemi parë rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve, por që prej fillimit të krizë kemi monitoruar çmimet. Rritja ka ndodhur vetëm në kategorinë  e perimeve dhe të gjitha kategoritë e tjera të ushqimeve nuk kanë reflektuar rritje. Garantoj publikun që ky shqetësim monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe diskutohet në çdo mbledhje të këshillit të Ministrave, pasi do kujdesemi të subvenciojmë të gjitha shtresat në nevojë me të ardhura të ulëta që nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve. Garantojmë që pasojat e luftës do kenë ndikim mininal në ekonominë shqiptarë dhe në shtresat që nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve”, tha ajo.

Miratohet projektligji për parandalimin e pastrimit të parave

Pas një seance maratonë 12-orësh, Kuvendi ka miratuar projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave me 76 vota pro.Projektligji për portet turistike u miratua me 76 vota pro.

Mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës ngritjen e komisionit hetimor për ARRSH me 76 vota kundër.Po ashtu, u rrëzua me 76 vota kundër dhe 28 vota pro kërkesa për komisionin hetimor parlamentar për AKSHI.