Administrata Tatimore ka publikuar udhëzimin për zbatimin e ligjit të ri mbi fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore, duke u dhënë bizneseve dhe qytetarëve mundësinë të përfitojnë lehtësi financiare për borxhet e prapambetura.
Sipas njoftimit, për detyrimet e krijuara në periudhën 2015–2019 do të falet 50% e principalit nëse pjesa e mbetur paguhet njëherësh deri më 30 qershor 2026. Ndërsa nëse pagesa kryhet deri më 31 dhjetor 2026, do të falet 25% e detyrimit. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat do të fshihen plotësisht.
Për detyrimet e viteve 2020–2024, tatimpaguesit do të përfitojnë fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave nëse paguajnë të plotë principalin deri në fund të vitit.
Tatimet bëjnë me dije se do të hartohet lista e subjekteve që përfitojnë nga ky proces dhe njoftimet do të dërgohen elektronikisht përmes sistemit “e-Filing”.
Ligji parashikon gjithashtu falje për gjoba administrative, deklarime të vonuara dhe subjekte të çregjistruara deri në fund të vitit 2024, ndërsa përjashtohen subjektet e dënuara ose nën hetim për vepra penale tatimore dhe doganore.










