Ndeshja me Serbine.RENEA, FNSH e SHISH në terren për ndeshjen.

Për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë në ndeshjen e 7 qershorit Shqipëri-Serbi do të jetë numri më i lartë i uniformave të angazhuara për një ndeshje.

Mësohet se rreth 2000 forca policie do të jenë të angazhuara për garantimin e rendit, përfshirë njësinë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH.

Siguria më e madhe do të jetë mbi përfaqësuesen serbe që do të shoqërohet me forca të shumta policore dhe me masa të rrepta sigurie nga momenti i mbërritjes në Tiranë deri në largim pas përfundimit të ndeshjes.

Antiterrori do të ketë rolin kyç. Ne mbeshtetje te tyre po ashtu do te jete reparti special RENEA qe do te shoqerojë ekipin serb.
Do të ketë masa të rrepta në drejtim të qarkullimit rrugor, të kontrollit të tifozëve në hyrje për në stadium, por edhe të atyre që s’do të mund të hyjnë dot.

Antiterrori do të ketë një rol kyç në këtë operacion, me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kontrollin e perimetrit të stadiumit, monitorimin e pikave hyrëse në territorin shqiptar.

Në cdo pike kufitare prej një jave janë dërguar fotot e personave me prirje ekstremiste të cilët nuk do lejohen të futen në territorin shqiptar

Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera kanë implementuar masa të avancuara sigurie në stadium.

Ndërkohë është konfirmuar se do të ketë masa edhe nga ajri për ndonjë të papritur.

Në stadiumin “Arena Kombëtare” janë instaluar sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale.

Policia ka përgatitur një plan kontrolli, që përfshin verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium.

Po ashtu mësohet se për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme.

Bëhet me dije se në stadium do ketë prezencë të lartë të forcave të policisë dhe njësive antiterror. Do të përdoren edhe pushkë anti-drone, të vendosura rreth stadiumit për të shmangur çdo kërcënim ajror, i cili mund të destabilizojë situatën.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË PËR PLANIN E MASAVE

Policia e Shtetit, plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri – Serbi”, që do të zhvillohet më datë 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.

Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm me detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë të përfshira në këtë plan masash. Në planin e masave parashikohen:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Serbisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve sistematike në mjediset brenda dhe jashtë stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë piroteknike, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Serbisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.

Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.

Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe sportdashësit që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

Punonjësi i Gardës i jep fund jetës me a*mën e shërbimit

Informacion paraprak

Më datë 05.06.2025, rreth orës 02:00, në rrugën “Mihal Grameno”, është konstatuar pa shenja jete, në automjetin e tij të parkuar brenda garazhdit të banesës së tij, dyshohet i vetëvrarë me armën e shërbimit, shtetasi G. L., 47 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

2 centrale të mëdhenj diellorë në Fier Miratohen projektet me fuqi 25 dhe 82 MW, 2% të energjisë do ia japin falas shtetit

Qeveria ka miratuar ndërtimin e 2 centraleve të mëdhenj në Qarkun e Fierit. Sipas vendimeve të marra në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave 1 nga parqet fotovoltaikë do të ketë fuqi të instaluar 25 MW dhe do të zhvillohet nga kompania “POWER ENERGY”. Ndërkohë që, centrali tjetër do të jetë një fuqi 82 MW, ndërsa zhvillues është kompania “ALBANIA SOLAR POWER”

Veprat energjetike nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojë nga masat mbështetëse, çka do të thotë se nuk e kanë të garantuar blerjen e energjisë nga shteti, s’kanë lehtësime që lidhen me marrjen e lejeve apo lidhjen me rrjetin elektrik.

Sipas vendimeve afati i pritshëm i vënies në punë i impianteve fotovoltaike do të jetë brenda 36 muajve, ndërkohë që afati i operimit është 49 vjet nga hyrja në fuqi e vendimeve të qeverisë.

Po ashtu, përcaktohet se shoqëritë do t’i japin falas, në formë rente, ministrisë përgjegjëse për energjinë 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.

 I moshuari g*ditet nga rrufeja, humb jeten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në fshatin Qinam të Ersekës, ku një banor është goditur nga rrufeja, duke humbur jetën në vend.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është një 65-vjeçar me inicialet A.A., i cili dyshohet se u godit nga rrufeja.

Forcat e policisë janë nisur drejt vendngjarjes për të hetuar rrethanat e incidentit dhe për të bërë të mundur transportimin e trupit.

Për çfarë marrin më shumë hua shqiptarët?

Tre muajt e parë të 2025 kanë dëshmuar një rritje të kërkesës së qytetarëve për financim nga bankat. Gjatë kësaj periudhe, nuk janë marrë vetëm më shumë kredi për blerje banese, por edhe për financimin e konsumit.

Në fund të tremujorit të parë, kredia për të mbuluar nevojat personale të qytetarëve për blerje pajisjesh profesionale, mobilje për shtëpi, edukim, shëndet, pushime, ushqim, blerje makine dhe të tjera, ka arritur në 92 miliardë lekë. Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë flasin për një rritje me afërsisht 5% të kredisë për këtë qëllim.

Por cili nga qarqet rezulton të ketë marrë më shumë kredi konsumatore?

Duke qenë se shumica e popullisë është e përqendruar në Tiranë, më shumë se gjysma e kredisë konsumatore është dhënë për individët në kryeqytet. Sipas statistikave zyrtare, vlera e kredive për financimin e konsumit në qarkun e Tiranës ishte 51 miliardë lekë, ndërsa në qytetet e tjera të vendit nuk i arrin dot as 10 miliardë.

Durrësi është qarku i dytë ku ka pasur më tepër kërkesë dhe janë miratuar më shumë hua konsumatore nga bankat. Konkretisht, kredia konsumatore në këtë qark regjistroi një rritje me 4.5% në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Ndërkohë, qytetarët e qarkut të Lezhës dhe të Korçës rezultojnë me shumën më të vogël të kredive të marra, përkatësisht me 1.7 miliardë dhe 2.6 miliardë lekë.

Kredia konsumatore u jepet individëve për të financuar lloje specifike shpenzimesh, për të blerë për shembull mallra të qëndrueshëm si elektroshtëpiake, pajisje elektronike, makinë, mobilje ose për të blerë mallra jo të qëndrueshëm siç janë produktet ushqimore dhe të tjera.

KAS vendos hapjen e 229 kutive të materialeve zgjedhore të Qarkut Vlorë

KAS vendosi në mbledhjen e kësaj të mërkure hapjen e 229 kutive të materialeve zgjedhore.

Vendimi u mor pas verifikimit të 4 kutive të materialeve të Qarkut Vlorë.Ky vendim i KAS u mbështet edhe nga dy përfaqësuesit e opozitës, Ledio Braho e Elvis Çefa.

Ndryshime në drejtoritë e Fierit, largohet drejtori i Kadastrës

Pas zgjedhjeve te 11 majit kane nisur ndryshimet ne administraten shteterore ne FIER . Ditën e sotme është larguar drejtori i Kadastres se FIERIT Bardhyl Kapaj i cili kishte 8 muaj ne kete detyre ,teksa pritet emer i ri ne krye te ketij institucioni.

Ndryshimet e nisura nga Kadastra do te vijojne ne periudhen ne vijim edhe ne pothuaj te gjitha institucionet e tjera . Ndryshimet ne administraten shteterore ne Fier jane paralajmeruar me heret edhe nga drejtuesja politike e PS ,Qarkut Fier Belinda Balluku dhe kane per qellim rritjen e performances ne keto institucione dhe permiresimin e sherbimit per qytetaret

Zgjedhjet e 11 majit konkurruese, bëni reformë zgjedhore”, PE kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës

Strasbourg, France - September 13, 2019: Entrance of the Louise Weiss building, inaugurated in 1999, the official seat of the European Parliament which houses the hemicycle for plenary sessions.

Komiteti i Punëve të Jashtme ka vlerësuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për anëtarësim në BE në një raport të miratuar të mërkurën.

Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik të karakterizuar nga retorikë konfrontuese dhe bën thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, i cili kërcënon institucionet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet e anëtarësimit në BE. Ata bëjnë thirrje për një qëndrueshmëri më të madhe institucionale ndaj abuzimeve me financimin politik, manipulimit të medias dhe kërcënimeve kibernetike.

Eurodeputetët mirëpresin Programin e ri prej 922 milionë eurosh për Reformën dhe Rritjen, i dedikuar për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbështesë Axhendën e Reformave të Shqipërisë sapo të përmbushen kushtet. Hapja e zyrës së antenës së Parlamentit Europian në Tiranë shihet si një hap jetësor për të forcuar lidhjet midis BE-së, institucioneve lokale dhe partnerëve të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Raporti pasqyron zgjedhjet parlamentare të majit 2025, duke i përshkruar ato si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime mbi përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut.

Progresi i bërë me reformat gjyqësore dhe hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë janë të mirëpritura, megjithëse ndërhyrja politike mbetet një sfidë, thuhet në raport. Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore dhe për të rritur llogaridhënien.

Raporti do të paraqitet për votim në një seancë plenare të Parlamentit Europian në të ardhmen.