Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 114 vota pro dhe vetëm një abstenim projektrezolutën e përbashkët PS–PD për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deputeti i vetëm që abstenoi ishte Bujar Leskaj.
Rezoluta u miratua me konsensus të plotë mes mazhorancës dhe opozitës, pas negociatave të zhvilluara në ditët e fundit mes Taulant Ballës dhe Gazment Bardhit, ndërsa drafti final mori edhe dakordësinë e Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Dokumenti rithekson se integrimi europian mbetet objektiv strategjik kombëtar dhe parashikon angazhime konkrete për forcimin e reformave, luftën kundër korrupsionit, reformën zgjedhore, garantimin e lirive dhe forcimin e dialogut politik.
Në rezolutë, Kuvendi angazhohet të intensifikojë mbikëqyrjen parlamentare mbi procesin e integrimit, ndërsa i kërkon qeverisë të përshpejtojë reformat në drejtësi, administratë publike, prokurime, mbrojtjen e mjedisit dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së.
Dokumenti thekson gjithashtu mbështetjen për SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë, respektimin e lirisë së medias, si edhe luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.
Rezoluta u miratua më 14 maj 2026, në një nga rastet e rralla të dakordësisë së plotë politike mes PS dhe PD për çështjen e integrimit europian të Shqipërisë.










