Fier | Arrestime, procedime penale dhe persona në kërkim për vepra të ndryshme penale

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin R. T., 44 vjeç, banues në Mallakastër, pasi ka dëmtuar 3 automjete, me send të fortë, dhe më pas, gjatë shoqërimit, ka kanosur punonjësit e Policisë, me thikë. Shtetasi R. T. dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 24 vjeç, banues në Divjakë, pasi gjatë kontrolli fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. K., 54 vjeç, dhe M. K., 52 vjeçe, të dy banues në fshatin Qarr, Fier, pasi për motive të dobëta kanë goditur me grushte një shtetas 24 vjeç.

Gjithashtu shpallën në kërkim shtetasin N. L., 37 vjeç, banues në Librazhd, pasi dyshohet se ka prerë pemë në Patos, në kundërshtim me ligjin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-A. T., 50 vjeç dhe D. K., 61 vjeç, banues në fshatin Gjazë, pasi dyshohet se kanë zaptuar një sipërfaqe toke që nuk është në pronësi të tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Lidhja e re Shqipëri–Mal i Zi drejt përfundimit, përshpejtohen punimet në aksin Shirokë–Zogaj

Rruga panoramike 6.5 kilometra përgjatë liqenit të Shkodrës pritet të forcojë lidhjet ndërkufitare dhe të rrisë potencialin turistik të zonës.Një investim strategjik në bregun e liqenit

Po shkojnë drejt përmbylljes punimet për ndërtimin e rrugës panoramike të Shirokës, një investim strategjik që krijon një lidhje të re rrugore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ky aks është pjesë e mozaikut të investimeve infrastrukturore përgjatë bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës dhe e forcon rolin e qytetit si një qendër e rëndësishme rajonale.

6.5 kilometra aks rrugor i rehabilituar

Rruga Shirokë–Zogaj ka një gjatësi totale prej 6.5 kilometrash dhe përfshin zgjerimin e rreth 4.5 kilometrave të rrugës ekzistuese buzë liqenit. Projekti synon përmirësimin e standardeve të qarkullimit, rritjen e sigurisë rrugore dhe krijimin e një aksesi më të lehtë për banorët dhe vizitorët.

Bypass-i i Zogajt dhe nyjet e reja të qarkullimit

Përveç segmentit kryesor, projekti përfshin edhe ndërtimin e bypass-it në qendër të fshatit Zogaj, duke krijuar dy nyje të rëndësishme që lehtësojnë ndjeshëm qarkullimin. Këto ndërhyrje e kthejnë zonën në një korridor me rëndësi turistike dhe ekonomike, me ndikim që shtrihet përtej kufijve lokalë.

Nxitje për turizmin dhe ekonominë lokale

Përmirësimi i këtij aksi pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e turizmit, duke e bërë më të aksesueshme zonën e Shirokës dhe Zogajt, të njohura për peizazhin natyror dhe atraksionet përgjatë liqenit të Shkodrës. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga punimet, duke konfirmuar se rruga ndodhet në fazën përfundimtare.

Domosdoshmëri pas rritjes së trafikut

Aksi Shirokë–Zogaj ka regjistruar vitet e fundit rritje të ndjeshme të fluksit të mjeteve, veçanërisht gjatë sezonit veror, si pasojë e shtimit të turistëve vendas dhe të huaj. Kjo situatë e kishte bërë rehabilitimin e rrugës një nevojë të domosdoshme për garantimin e qarkullimit normal dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.

SCAN

Vlorë-Shoferët e linjave në protestë,kërkojnë terminal dhe ndalimin e taksive pirate

Shoferët e transportit ndërqytetës dhe urban në Vlorë kanë dalë sot në protestë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për problematikat me të cilat përballen çdo ditë.

Kërkesa kryesore e tyre është ndërtimi dhe vënia në funksion e një terminali të rregullt për autobusët e linjave, duke theksuar se mungesa e tij ka sjellë kaos në qarkullim dhe vështirësi për pasagjerët.

Një tjetër shqetësim i ngritur është prania e taksive pirate, të cilat sipas shoferëve ushtrojnë aktivitet të paligjshëm, dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe ulin ndjeshëm numrin e udhëtarëve në linjat e licencuara.

Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve përgjegjëse për të vendosur rregull, duke paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Festat e fundvitit, Policia plan masash për sigurinë

Policia e shtetit ka hartuar një plan masash për rendin dhe sigurinë publike gjatë festave të fundvitit.Përmes një njoftimi zyrtar për mediat uniformat blu informojnë se do të ketë një shtim të shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale.

Policia e Shtetit/Gatishmëri, shërbim i përforcuar dhe angazhim maksimal, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të vitit të Ri 2026.Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave të rëndësishëm, si dhe parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të mirëpërcaktuara për çdo strukturë policore vendore dhe qendrore.
Masat konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;

-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;

-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore. 

(Në këtë kuadër, sqarojmë se deklarata publike e bërë nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta se punonjësit e Policisë kanë urdhër të plotësojnë sa më shumë masa administrative pasi në rast se nuk plotësojnë numrin e kërkuar kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë, është tërësisht e pavërtetë. Theksojmë për qytetarët dhe opinionin publik se nuk ka asnjë urdhër të tillë për të plotësuar një numër të caktuar masash administrative.
Masat administrative, ashtu si fushatat sensibilizuese dhe masat këshilluese, janë mjete që përdoren ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kanë objektiva vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve)

-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;

-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;

-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;

-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;

-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;

-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.

Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.

Merr detyrën kreu i ri i SPAK, Klodian Braho

Në Prokurorinë e Posaçme ka nisur ceremonia e kalimit të detyrës nga Altin Dumani, te kryetari i ri Klodian Braho.Për SPAK, ky cilësohet si një moment i rëndësishëm për sigurimin e vazhdimësisë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kreu i SPAK e ka mandatin 3 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani e mbyll ciklin e drejtuesit mes kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK

Q*llohet me dy pl*mba nga policia italiane ,20-vjeçari shqiptar

Një rast tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ku një shqiptar është plagosur nga karabinierët italianë.

20 vjeçari u qëllua pasi tentoi të largohej me veturë gjatë një kontrolli policor, shkruajnë mediat italiane.

Ai u godit me dy plumba, dhe më pas u dërgua në spital për trajtim.

Sipas autoriteteve italiane, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet e rëndë.

Policët “hyjnë në lojë”, pasi një grua i telefonoi ata, duke iu kërkuar ndihmë atyre se djali i saj i mitur po i nënshtrohej një shantazhi.

Siç raportohet, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët i kishin kërkuar një shumë prej një mijë eurosh për t’i kthyer.

Me mbërritjen e patrullës policore, një nga të dyshuarit e ka përplasur me makinë një karabinier dhe më pas është larguar me shpejtësi të madhe. Gjatë arratisjes, karabinierët kanë qëlluar pesë herë me armë zjarri.

Rama: Pse prokurorët u ngutën t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme ndaj Ballukut? Përgjigjja ime në kohën e duhur

Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim” u shpreh:  “Jam kurioz pse prokurorët u ngutën t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme nuk e mbajtën parasysh se si fillim jemi në një çështje ballë për ballë me 22 janari. Në çdo vend ku drejtësia nuk vrapon por gjykon do priste fundin për një masë para se të gjykonte për një masë tjetër. Sot e kam përgjigjen por do vazhdoj të bëjë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mira nga analiza. Do ta kem në kohën e duhur përgjigjen time. Por nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të masa të reja ekstreme”, tha ai.

Aksidenti Fier–Berat: arrestohet drejtuesi i mjetit, ishte në gjendje të dehur

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbasditen e djeshme për një aksident të ndodhur në aksin rrugor “Fier-Berat”, ku u dëmtua drejtuesi i mjetit bujqësor, shtetasi M. H., 50 vjeç, ju informojmë se Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin J. Sh., 41 vjeç, banues në Berat, pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur e për pasojë ka humbur kontrollin duke u përplasur me mjetin bujqësor.

Shtetasi M. H., ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 39 vjeç, banues në fshatin Gjinoqarë, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.