Q*llohet me pl*mb në kokë 59 vjecari shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e 8 qershorit në via Casoni, Fontaniva (Itali), ku një 59-vjeçar shqiptar, Fatos Cenaj, mbeti i plagosur rëndë nga një e shtënë me armë zjarri, teksa ishte me biçikletë. Fillimisht u mendua për një aksident, por mjekët e urgjencës konstatuan shpejt se bëhej fjalë për një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në fytyrë.

I plagosuri u transportua me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë, në rrezik për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë hetuesit e Karabinierisë nga Padova, të cilët kanë izoluar zonën për të mbledhur prova. Po hetohen të gjitha pistat: nga një atentat i mundshëm nga një automjet në lëvizje, deri te një e shtënë aksidentale nga ndonjë banesë.

Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarë për të zbardhur sa më shpejt këtë ngjarje misterioze.

Njoftim i Policise Fier per ngjarjet ne 24 oret e fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 19 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në fshatin Lushnjë, automjeti që drejtonte, është përplasur me motomjetin që drejtonte shtetasi L. B., 45 vjeç, banues në fshatin Pluk. Si pasojë është dëmtuar shtetasi L. B., i cili është në kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin P. T., 49 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, pasi u kap jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. P., 51 vjeç, banues në fshatin Dushk, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për dy 16-vjeçarë, banues në fshatin Zharrnec, pasi dyshohet se kanë vjedhur 1 motomjet në fshatin Muçias;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. T., 51 vjeç, banues në Divjakë, pasi ka shkuar te banesa ku jetojnë 2 fëmijët e tij të mitur, ndërkohë që ata janë të pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj 51-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Vr*sja e biznesmenit Edmond Papa, Gjykata e Tiranës dënon me 55 vite burg autorin dhe bashkëpunëtorin

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 55 vite burg në total autorin e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa tre vite më parë.Gjyqtarët pranuan kërkesën e Prokurorisë së Tiranës duke dënuar me 30 vite burg Andrew Bode, ekzekutorin e biznesmenit  për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje te armëve”.

30-vjeçari Alban Velo u dënua me 25 vite burg për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim.Sipas hetimeve, rezultoi se grupi i vrasësve e kanë vëzhguar për disa ditë objektivin e tyre Edmond Papa në Sarandë dhe në Tiranë derisa gjetën momentin e përshtatshëm për ta ekzekutuar në një lokal pasditen e 16 dhjetorit 2022 në Tiranë.

Albano Velo, djali i një punonjësi policie në kryeqytet, 4 ditë pas vrasjes u largua nga Shqipëria në drejtim të Francës. Duke menduar se nuk kishte lënë asnjë provë në ekzekutim, u rikthye në ndërrimin e viteve në atdhe ku u vu në pranga sapo mbërriti në Rinas. Pas arrestimit të tij me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, babai i tij Dilaver Velo që shërbente në komisariatin nr. 4 u pezullua nga detyra.

Vrasja e Edmond Papës dyshohet se ndodhi si hakmarrje për ekzekutimin më 11 qershor të Aleksandër Sadikajt në kryeqytet. Dyshohet se para ngjarjes Sadikaj dhe Papa u takuan në hotelin e këtij të fundit në Sarandë ku kanë pasur mosmarrëveshje për sa i përket trafikut të drogës.

Fill pas këtij takimi Aleksandër Sadikaj u ekzekutua me eksploziv që dyshohet se u porosit nga Papa. Për këtë arsye 6 muaj më vonë Albano Velo mik i ngushtë i Aleksandër Sadikajt së bashku me persona të tjerë të përfshirë ruajtën dhe ekzekutuan biznesmenin teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në kryeqytet pasditen e 16 dhjetorit.

IKMT ,aksion për objektet pa leje në Himarë, prishen disa godina në Jalë dhe Dhërmi

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur një aksion për prishjen e objekteve pa leje në bashkinë e Himarës.Mbrëmjen e së dielës janë prishur katër objekte në Jalë, ndërsa sot ka nisur prishja e pesë objekteve në zonën e Dhërmiut. Forca të policisë ndodhen në mbështetje të punonjësve të IKMT, ndërkohë që nuk ka pas kundërshtime nga pronarët.

Po ashtu, për këtë situatë, pra lejimin e ndërtimeve të këtyre godinave, kreu i bashkisë së Himarës, Tavo ka shkarkuar nga detyra punonjësit e IMTsë.

Ajola Xoxa paraqitet sot në SPAK.

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Bashkëshortja e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim të parave e fshehje të pasurisë dhe po hetohet nën masën detyrim paraqitje.

Sakaq, Erion Veliaj sot kërkon lirinë nga paraburgimi i Durrësit, ku qëndron prej 10 shkurtit, në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Seanca e Veliajt fillon në orën 14:00, teksa çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Veliaj po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 episode dhe pastrim parash. Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe që prej asaj kohe ka kërkuar disa herë lirimin nga paraburgimi, pa sukses.

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën negativisht duke pësuar gjatë fundjavës një rënie të fortë të vlerës duke u blerë sot mëngjes me 84.8 lekë dhe duke u shitur me 86.1 lekë në raport me javën që lamë pas.

Sipas kursit të këmbimit lokal monedha europiane është blerë mëngjes e sotëm me 97.2 lekë dhe është shitur me 98.2 lekë duke vijuar të ruaj relativisht po të njëjtat vlera edhe këtë fillim jave.

Franga zvicerane ka regjistruar një zbritje të ndjeshme të vlerës nga java e shkuar duke u blerë këtë të hënë me 103.2 lekë dhe duke u shitur me 105 lekë referuar tregut të brendshëm valutor.

Paundi britanik ndërkaq ka pasur një rritje të lehtë të vlerës gjatë këtyre dy ditëve duke e nisur javën në rritje teksa është blerë sot me 115 lekë dhe është shitur me 116.2 lekë.

Kujdes!Mesazhe në telefon në emër të Postës Shqiptare, AKSK: Domaini i rrezikshëm, mos jepni të dhënat tuaja bankare

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP. AKSK njofton qyetetarët të bëjnë kujdes dhe të mos japin në asnjë rast të dhënat e tyre bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta.

AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.

Gjenden në një park trupat e pa jetë të një gruaje dhe një foshnje 6-muajshe, nisin menjëherë hetimet

Një pasdite vere në parkun Villa Doria Pamphili u kthye në skenë makthi pas zbulimit të dy trupave të pajetë, një foshnje dhe një gruaje.Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka vënë në lëvizje hetuesit italianë në kërkim të së vërtetës pas këtij misteri të errët.

Rreth orës 16:30 të së shtunës, në një zonë të parkut të kthyer në vendgrumbullim mbeturinash, u gjet trupi i një vajze të vogël, rreth gjashtë muajshe.

Dy kalimtare fillimisht menduan se bëhej fjalë për një kukull, por pas afrohen një burri, e kuptuan të vërtetën tronditëse. Foshnja ishte lakuriq, me shenja traume në krahun dhe këmbën e djathtë.

Vetëm katër orë më vonë dhe rreth 100 metra larg, një tjetër zbulim makabër: trupi i një gruaje, i fshehur në një thes të zi nën një rresht me oleandra. Gruaja ishte e veshur, por pa dokumente identifikimi.

Një lidhje e mundshme: nënë dhe bijë?

Hetuesit dyshojnë se të dy viktimat mund të jenë të lidhura – ndoshta nënë e bijë – dhe se të dy trupat janë braktisur nga i njëjti person. “Është një histori absurde,” deklaroi prokurori Antonio Verdi, që mbërriti në vendin e ngjarjes mbrëmjen vonë. Ai shtoi se do të bëhen analiza ADN-je për të përcaktuar lidhjen mes viktimave dhe për të ndriçuar shkaqet e vdekjes.

Sipas vlerësimeve të para mjeko-ligjore, gruaja ka ndërruar jetë më parë se foshnja, por nxehtësia brenda çantës ku u gjet mund të ketë përshpejtuar dekompozimin e trupit të saj.

Dëshmi, dyshime dhe kamera sigurie

Një familje që po luante volejboll në park zbuloi trupin e gruas kur topi përfundoi në shkurre. Njëri prej tyre, Giacinto Tito, tha se ndjenin një erë të keqe dhe menjëherë lajmëruan policinë. Disa metra më tutje ndodhet një gardh i dëmtuar që shikon nga një rrugë e jashtme – një pikë e mundshme hyrjeje për personin që braktisi trupat.

Ndërkohë, hetuesit kanë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë përreth parkut për të identifikuar lëvizjet e dyshimta në ditët e fundit. Po ashtu, po kontrollohen spitalet për të parë nëse ndonjëra prej viktimave është paraqitur më herët për trajtim mjekësor.

Gruaja e panjohur në urë – një pistë e re?

Rreth orës 18:40, dy gra që po shëtisnin në park panë një grua të re në gjendje të hutuar mbi një urë në qendër të parkut. “Ajo mbante duart në tëmtha dhe tundte kokën. Ishte me një fustan të errët dhe flokë ngjyrë kafe të çelët”, tha njëra prej dëshmitareve për gazetën La Repubblica.

Ky dëshmitar mund të jetë çelësi për të kuptuar më shumë rreth identitetit të viktimave apo personit përgjegjës.

Përfundimi i një dite makthi

Në orën 21:30, parkut iu shtuan dritat e forta të zjarrfikësve për të ndihmuar hetuesit dhe mjekun ligjor gjatë inspektimeve. Disa kalimtarë, të hutuar nga prania e shiritave të policisë, pyetën nëse po xhirohej ndonjë film. Por të vërtetën e hidhur e mësuan vetëm kur u afruan më shumë.

Villa Doria Pamphili, një nga parqet më të dashura të Romës, është tashmë skenë e një hetimi të ndërlikuar, me shumë pyetje të hapura dhe me vetëm disa fije shprese për të zbuluar çfarë ndodhi vërtet.