15.2 % e shqiptarëve nuk plotësojnë nevojat mjekësore

Shqipëria kryesoi Europën për numrin e lartë të popullsisë mbi 16 vjeç që kishin nevoja mjekësore të paplotësuara në vitin 2024 raportoi sot EUROSTAT.

Të dhënat  tregojnë se në vitin 2024, 3.8% e personave të moshës 16 vjeç e lart në BE raportuan se kishin nevoja të paplotësuara për një ekzaminim ose trajtim mjekësor, një përqindje që varionte nga 0.2% në Qipro dhe 0.7% në Maltë deri në 13.4% në Greqi dhe 15.2% në Shqipëri. Shqipëria mban rekordi në rajon. Sipas Eurostat, vetëm 2.8% e malazezëve nuk plotësonin nevojat mjekësore, 8.2% e serbëve, dhe 6% e maqedonasve. MUngojnë të dhënat për Kosovën e Bosnjë Hercegovinën.

Ndonëse shëndetësia teorikisht është falas, të ndara sipas arsyeve, 8.8% e shqiptarëve citojnë faktin se shërbimi është shumë i shtrenjtë (nga 1% që është mesatarja europiane) dhe e dyta më e lartë në Europë, pas Greqisë (9.1%). Vetëm 0.9% e malazezëve dhanë si arsye shërbimin e shtrenjtë dhe nga 1.8% Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në arsyet e tjera, 0.3% e shqiptarëve përmendën largësinë për të udhëtuar, 1.1% janë në listë pritje. Interesante është që shqiptarët krahasohen me vendet nordike për përgjigjen “Desha të prisja dhe shikoja nëse problemi do të përmirësohej vetë”, me 2%, e treta më e larta pas Danimarkës (3.3%) dhe Norvegjisë (2.4%), përkundrejt 0.4% mesatarja europiane. Relativisht e lartë është dhe pesha e atyre që thonë se nuk kanë kohe (1%), e dyta pas Danimarkës (1.6%), ndërsa mesatarja e Europës është 0.3%.

Në BE, 2 arsyet kryesore më të zakonshme për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në vitin 2024 ishin për shkak të listave të pritjes ose se ai ishte shumë i shtrenjtë. Së bashku, këto 2 arsye përbënin më shumë se gjysmën e të gjithë njerëzve që raportuan një nevojë të paplotësuar për kujdes mjekësor

Arsyet kryesore të tjera më të zakonshme të dhëna ishin dëshira për të parë nëse problemi do të përmirësohej vetë (0.4% e njerëzve) dhe mungesa e kohës (0.3%). Arsyet më pak të zakonshme përfshinin frikën, mosnjohjen e një mjeku ose specialisti të mirë, ose se ishte shumë larg për të udhëtuar (të gjitha 0.1%). Përveç arsyeve kryesore të specifikuara, një 0.5% e njerëzve të tjerë treguan një arsye tjetër (të paspecifikuar) për një nevojë të paplotësuar për kujdes mjekësor.

Një listë pritjeje që pengonte kujdesin mjekësor ishte arsyeja specifike më e shpeshtë e dhënë për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në Gjermani, Estoni, irlandë, Spanjë, Letoni, Lituani, Austri, Poloni, Slloveni, Sllovaki dhe Finlandë e Suedi në vitin 2024. Në Shqipëria arsyea kryeore ishin kostot e larta dhe listat e pritjes.

Shpenzimet e kujdesit mjekësor ishin arsyeja specifike më e shpeshtë për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në Belgjikë, Bullgari, Greqi, Francë, itali, Qipro dhe Rumani.

Dëshira për të pritur dhe për të parë nëse problemi do të përmirësohej vetvetiu ishte arsyeja specifike më e shpeshtë për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në Çeki, Danimarkë, Kroaci, Luksemburg dhe Maltë.

Në BE, 1.9% e personave të moshës 16 deri në 44 vjeç raportuan nevoja të paplotësuara për kujdes mjekësor në vitin 2024 për shkak se është shumë i shtrenjtë, shumë larg për të udhëtuar ose për shkak të listave të pritjes, krahasuar me 2.6% për personat e moshës 45 deri në 64 vjeç dhe 3.3% për personat e moshës 65 vjeç e lart. Në shumë vende të BE-së, mosha ishte një faktor i lidhur me nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor për shkak të këtyre arsyeve, megjithëse nuk kishte një model universal.

/Monitor

Inteligjenca Artificiale rrit papunësinë në të rinjtë shqiptarë me arsim të lartë

Të dhënat e INSTAT tregojnë se vështirësitë për punësimin e të rinjve me arsim të lartë janë rritur ndjeshëm më 2025. Të dhënat e INSTAT në lidhje me papunësinë e të rinjve me arsim të lartë tregojnë se norma e papunësisë erdhi në rritje.

Në vitin 2024, ky grup kishte shkallën më të ulët të papunësisë, 18.6%, por në 2025 ajo u rrit në 22.9%, duke tejkaluar edhe ata me arsim bazë dhe të mesëm.

Kjo rritje sugjeron një përkeqësim të ndjeshëm në mundësitë e punësimit për të rinjtë e diplomuar në universitet, si pasojë e mbingopjes me diploma në disa fusha, mospërputhjes me nevojat e tregut të punës apo mungesës së programeve efektive të integrimit profesional.

Shumë kompani që punësojnë të rinj më diploma tani po përdorin Inteligjencën Artificiale në vend që të rekrutojnë të rinj.

Drini Zusi, aksioner në kompaninë INCA në Lezhë, që operon në industrinë përpunuese, tha se Inteligjenca Artificiale dhe investimet në mekanikë e teknologji vitet e fundit po ulin varësinë nga rekrutimet e reja të punonjësve.

Z. Zusi tha se nëpërmjet ChatGPT dhe Midjourney në fushën e marketingut krijohet përmbajtja dhe nuk ka më nevojë për menaxher në këtë fushë.

Më parë, kompania paguante një agjenci ose konsulent të jashtëm për konceptin ose përmbajtjen e marketingut, por me versionet premium të ChatGPT këto produkte prodhohen vetë.

Për të rinjtë me arsim 8-9-vjeçar, shkalla e papunësisë është rritur nga 19.8% në 2024 në 22.1% në 2025. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, personat me arsimim bazë kanë pasur më pak mundësi punësimi krahasuar me një vit më parë.

Një rritje e tillë po reflekton dobësimin e sektorëve që zakonisht punësojnë fuqi punëtore më pak të arsimuar.

Ndërkohë, për të rinjtë me arsim të mesëm, papunësia ka pësuar rënie të ndjeshme nga 28.5% në 22.1%. Ky është një ndryshim pozitiv, që e vendos këtë grup në të njëjtin nivel papunësie me ata me arsim bazë.

Ulja e fortë e papunësisë për këtë kategori tregon që individët me arsim të mesëm kanë përfituar nga një përmirësim i tregut të punës, ndoshta si rezultat i një rritjeje të kërkesës për punonjës me trajnim teknik apo profesional.

Të dhënat e tregut të punës për të rinjtë tregojnë një ulje të përgjithshme të papunësisë, por me tendenca të ndryshme sipas nivelit të arsimit.

Ndërsa ata me arsim të mesëm kanë përfituar më shumë nga përmirësimi i tregut të punës, ata me arsim të lartë përballen me sfida të reja që kërkojnë vëmendje të veçantë nga politika publike dhe sistemi i arsimit të lartë.

Papunësia e të rinjve me diploma është një sinjal i keq për vendin, pasi përvoja ka treguar se shumë prej tyre në vend që të përpiqen të ndërtojnë jetën në vendin e tyre zgjedhin të emigrojnë.

Largimi i të rinjve është përforcuar edhe më shumë pas pandemisë dhe kjo është alarmante në kohën kur numri i tyre po ulet me shpejtësi.

Grupmoshat e reja të popullsisë tonë po tkurren me ritme rekord më shumë se kudo tjetër në Europë. Nga viti 2011 në vitin 2023, grupmosha 0-29 vjeç është reduktuar me 44% sipas të dhënave nga censet.

Mosha mesatare në Bashkimin Europian në janar 2025 ishte 44.7 vjeç, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSAT, mosha mesatare e popullsisë ishte 44.3 vjeç, ndërsa në vitin 2015, mosha mesatare në Shqipëri ishte 27.2 vjeç.

/Monitor

 Turqia lajmëron ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe mbylljen e hapësirës ajrore për Izraelin

Turqia ka vendosur të ndërpresë plotësisht të gjitha lidhjet tregtare dhe ekonomike me Izraelin dhe po mbyll hapësirën e saj ajrore për aeroplanët izraelitë, njoftoi Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.

Siç shkruan Jerusalem Post, pasojat ekonomike të këtij veprimi nuk dihen ende, por devijimet për shkak të hapësirës ajrore të mbyllur mund të rrisin kohën e udhëtimit të fluturimeve nga Izraeli në vende si Gjeorgjia dhe Azerbajxhani me pothuajse dy orë.

“Turqia ka njoftuar tashmë përfundimin e marrëdhënieve ekonomike me Izraelin në të kaluarën, por lidhjet kanë vazhduar”, tha një zyrtar izraelit.

Lëvizja vjen pas raportimeve se autoritetet turke kanë filluar t’u kërkojnë në mënyrë joformale agjentëve të transportit detar të japin letra që vërtetojnë se anijet nuk janë të lidhura me Izraelin dhe nuk transportojnë mallra ushtarake ose të rrezikshme të destinuara për atë vend.

Sipas burimeve të transportit detar, autoriteti portual ka udhëzuar verbalisht agjentët e portit të japin garanci me shkrim, por nuk është lëshuar asnjë letër zyrtare për këtë qëllim.

Ndryshe, lëvizja është një vazhdim i masave të Turqisë kundër Izraelit pasi ajo ndërpreu tregtinë me vendin, me vlerë rreth 6 miliardë euro në vit, vitin e kaluar për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Fier – Aksident në unazën lindore, plagoset drejtuesi i motoçikletës

Një aksident rrugor ka ndodhur disa minuta më parë në unazën lindore të qytetit të Fierit. Një automjet është përplasur me një motoçikletë dhe si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i motorit.

I dëmtuari është transportuar menjëherë drejt urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, ku po merr ndihmën e mjekëve. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore, ndërsa policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Situata e motit nesër në Shqipëri! Meteorologu grek paralajmëroj për stuhi të forta, zonat që rrezikojnë më tepër

Sinpotikani i njohur grek Sakis Arnaoutoglou paralajmëron për fenomene të ekstreme të motit në orët e ardhshme në disa zona të Shqipërisë perëndimore dhe veriperëndimore.Arnaoutoglou që tashmë mban funksionin e eurodeputetit të socialistëve grekë të PASOK-ut, në edicionin e tij të përditshëm në kanalin Youtube thekson dhe lajmëron banorët e zonave në fjalë në Shqipëri, por edhe turistët e shumtë, se priten sasi të mëdha shiu gjatë së shtunës, stuhi të forta me vetëtima dhe breshër të fortë, ashtu siç duket dhe në hartën që publikon.

“Nga mesdita e së shtunës dhe më pas shikoni si bëhen të errëta këto zona në Shqipëri prandaj ju që jeni ose do të shkoni në Shqipëri duhet të dini se fenomenet kohore atje do të kenë edhe forcë dhe kohëzgjatje dhe ndoshta do të ketë përmbytje të mëdha. Kujdes të gjithë ju që ndodheni atje”, shprehet ai.

Deputeti Erion Braçe: Piramidat online po grabisin qytetarët, autoritetet të veprojnë menjëherë!

Deputeti Erion Braçe ka ngritur alarmin për një tjetër skemë mashtruese që po funksionon online, duke përfshirë qindra qytetarë nga Divjaka dhe Lushnja. Ai tha se platforma XUEXa u ka bllokuar viktimave daljen dhe tërheqjen e parave që prej ditës së djeshme, duke i detyruar të kalojnë fondet drejt “Binance” dhe më pas për t’i tërhequr “cash” në Kosovë.

“Sot është shenja më e qartë e një piramide. Kujtoni Rrapushin e dikurshëm dhe mos e hani këtë mashtrim të ri! Boll ju kanë gënjyer e grabitur”, u shpreh Braçe.

Deputeti i bëri thirrje Policisë së Shtetit, Krimit Ekonomik e Kibernetik, Prokurorisë së Fierit, Tiranës dhe SPAK-ut që të ndërhyjnë menjëherë, pasi sipas tij “njerëzit e XUEXa janë ende në Divjakë e Tiranë dhe mijëra qytetarë po grabiten”.

Postimi i deputetit Erion BRACE

BETEJA ME PIRAMIDAT ONLINE;

XUEXa JU NDERPRET VIKTIMAVE DALJEN NGA PLATFORMA DHE TERHEQJEN E PARAVE-NGA DJE KJO!

Pra te gjithe ata nga DIVJAKA e LUSHNJA qe kane tentuar te dalin dje e sot nga XUEXa E KANE TE PAMUNDUR TE DALIN DHE TE TERHEQIN PARATE;
TE KALOJNE NGA MURI I TYRE NE PLATFORME PARATE NE BINANCE E TE VIJOJNE PER TE TERHEQUR CASHin NE KOSOVE! (ALBIN di gje ti per kete?).

SHENJA E DYTE ME E QARTE E PIRANIDES ESHTE KJO!
E MBANI MEND RRAPUSHIN MANUAL? TREGOJUANI FEMIJEVE QE TE BINDEN ME NW FUND!

Per banoret e Divjakes e Lushnjes qe jane zhytur ne kete PIRAMIDE ONLINE kam tani kete lutje:
Dje ne mbremje, pasi ju ndaluan te dilni nga XUEXa, ne Telegram ju njoftuan per grup te ri dhe PLATFORME TE RE ku do te transferohen parate tuaja!
MOOOOOOOS E HANI EDHE KETE GENJESHTER!
BOOOOOLL JU KANE GENJYER E GRABITUR! BOOOOOLL!

Nje thirrje kam per POLICINE E SHTETIT-KRIMIN KIBERNETIK E ATE EKONOMIK E FINANCIAR, PROKURORINE E FIERIT, TIRANES, SPAKun GJITHASHTU:
NXITONI, NXITONI, NJEREZIT E XUEXa JANE ENDE NE DIVJAKE E TIRANE; VEPRONI SE MIJERA NJEREZ PO GRABITEN!

Kodi i ri Penal-Kush nuk deklaron cashin ne kufi rrezikon 3 muaj burg

Kodi i ri Penal i hedhur për konsultim publik parashikon ashpërsim të masave sa i takon shkeljeve doganore. Konkretisht, kontrabanda është një ndër shkeljet që dënohet deri në 5 vite burg.

Sipas nenit 615 të draftit, “hyrja apo dalja e mallrave, në ose nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, pa i paraqitur ato tek autoritetet doganore, kryer për t’iu shmangur kontrollit dhe/ose mbikëqyrjes doganore përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim 1-5 vjet burg dhe konfiskimin e mallit kontrabandë.

Ndërkohë kur kjo vepër penale është bërë me mallra të ndaluara që qarkullojnë për shkak të kufizimeve ligjore, dënohet me burgim 2-7 vjet dhe konfiskimin e mallit kontrabandë dhe mjetit te transportit te tyre.

Po ashtu,  neni 616 përcakton se  “vendosja e mallrave në magazinimin e përkohshëm, në një regjim doganor ose rieksport pas përfundimit të magazinimit të përkohshëm, nëpërmjet:  fshehjes së plotë ose të pjesshme; deklarimit të rremë të llojit, vlerës dhe origjinës së mallrave, duke paraqitur fatura, certifikata ose çdo lloji tjetër dokumenti të rremë, të pasaktë, të paplotë ose të pazbatueshëm;  paraqitjes së një deklarate të rreme ose kryerjes së çdo veprimi, që ka për qëllim shmangien nga detyrimet e importit apo eksportit, përftimin pjesor a tërësor të një rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm që lidhet me mallrat, përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim nga 1-5 vjet dhe, konfiskimin e mallit kontrabandë dhe mjetit te transportit te tyre.

Në projektligj përcaktohet se “Thyerja apo heqja e vulës doganore, zëvendësimi, ndërrimi ose falsifikimi i shenjave e tjera të sigurisë të vendosura nga autoritetet doganore për qëllime mbikëqyrjeje, kontrolli ose, për pezullimin e veprimtarisë tregtare në mjediset ekonomike apo të vendosura mbi mjetin e transportit apo mallra, ose falsifikimi në çfarëdo mënyre i numrit të identifikimit të mjetit të transportit, të bëra me qëllim shmangien nga kontrolli doganor, dënohet me gjobë ose me burgim nga 2-4 vjet.

Ashpërsim të masave ka edhe sa i takon mosdeklarimit të parave në kufi.

Referuar nenit 624, “ Mosdeklarimi, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i çdo lloj instrumenti të negociushëm të mbajtësit, metaleve ose gurëve të çmuar si dhe, i sendeve me vlerë dhe objekteve antikë, përtej vlerës së lejuar nga ligji për mosdeklarimin, kur burimi i tyre është i pajustifikuar ligjërisht, nëse nuk përbën vepër penale më të rëndë, përbën kundërvajtje penale dhe, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

30% e transportit rrugor do kalojë në hekurudhë

Transporti në vendin tonë pritet të pësojë një transformim në vitet e ardhshme, çka do të ndikojë edhe në reduktimin e emetimeve të gazeve me efekt serrë dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis, i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, deri në vitin 2030, rreth 30% e transportit rrugor do të transferohet drejt hekurudhës, duke lehtësuar ndjeshëm ngarkesën në rrugë dhe duke ulur ndotjen e ajrit.

Aktualisht, transporti rrugor konsiderohet ndër kontribuesit kryesorë të ndotjes së ajrit dhe të emetimeve të CO2 në vend, teksa nisja e funksionimit të trenave shihet si një nga masat më të rëndësishme për reduktimin e konsumit të lëndëve djegëse fosile, që janë karburantet.

Ndërkaq, parashikimi që rreth 30% e transportit rrugor të zhvendoset në hekurudhë lidhet ngushtë me përfundimin e disa prej projekteve më të rëndësishme hekurudhore në vend, si linja Tiranë – Durrës – Rinas dhe Vorë – Hani i Hotit. Sipas afateve tw bwra publike, projekti për ndërtimin e linjës Vorë – Hani Hotit pritet të përfundojë pikërisht në vitin 2030, teksa aktualisht është në fazë tenderimi për përzgjedhjen e kompanisë që do kryejë punimet. Ndërkohë linja Tiranë – Durrës – Rinas është më e avancuar, por afati për përfundimin e plotë është shtyrë disa herë. Së fundmi u bë me dije se trenat për këtë linjë hekurudhore parashikohet të vijnë në 3-mujorin e parë të vitit 2027. 

Përveç përfitimeve mjedisore, zhvendosja drejt transportit hekurudhor pritet të sjellë edhe rritje të sigurisë rrugore, kursime ekonomike dhe lehtësi në lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve