Ndërron jetë në spital edhe i plagosuri i dytë nga aksidenti në Fier-Vlorë

Vlorë, 2 shtator 2025 — Ka ndërruar jetë në spital edhe i plagosuri i dytë nga aksidenti i rëndë i ndodhur mesditën e djeshme në autostradën Fier – Vlorë, pranë fshatit Panaja.

Burime mjekësore konfirmuan për redaksinë se pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, i aksidentuari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Kujtojmë se aksidenti i rëndë ndodhi dje, duke i marrë jetën një personi në vendngjarje

Policia vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik.

Naftëtarët protestojnë përballë Bankers Petroleum, sindikata shpall dy tubime më 5 dhe 6 shtator

Sindikata e Sektorit Hidrokarbur ka shpallur organizimin e dy tubimeve proteste më datat 5 dhe 6 shtator, nga ora 12:00 deri në 13:00, përballë zyrave të shoqërisë Bankers Petroleum.

Sipas sindikatës, qëllimi i këtyre tubimeve është përcjellja e kërkesave legjitime të punëtorëve, që lidhen me rritjen e pagave, zbatimin e kontratës kolektive të punës, përmirësimin e kushteve të punës dhe përfitimin e statusit të naftëtarit.

📢 Njoftim për Tubim!

Sindikata e Sektorit Hidrokarbur do të mbajë dy tubime më datat 5 dhe 6 Shtator, nga ora 12:00 deri 13:00, përballë zyrave të Shoqërisë Bankers Petroleum.

Qëllimi i tubimit është të përcjellim kërkesat tona legjitime për:

  • Të drejtat e punëtorëve
  • Rritjen e pagave
  • Zbatimin e kontratës kolektive të punës
  • Përmirësimin e kushteve të punës
  • Statusin e naftëtarit

Ky tubim vjen në vazhdën e atij të mbajtur më 1 Maj, i cili u tentua të heshtet nga kompania nëpërmjet kompromentimit të mediave kryesore në vend (dalë kjo edhe nga përgjimet e prokurorisë).

Ftojmë të gjithë punonjësit dhe anëtarët e sindikatës të marrin pjesë, sepse vetëm të bashkuar mund t’i bëjmë ballë çdo presioni dhe të arrijmë atë që na takon me të drejtë!

Sindikata #BashkëJemiMëTëFortë #Punëtorët #SSH #Solidaritet

Furnizimi me ujë, raporti: Vetëm Lezha 24 orë/ditë, ne FIER 18 orë

Të dhënat e analizuara nga Enti Rregullator i Ujit tregojnë se për vitin e shkuar, mesatarja e orëve të furnizimit me ujë në ditë ishte 17.44 orë/ditë, me një rritje 1.14 orë/ditë krahasuar me vitin paraardhës, i cili ka qenë në të njëjtin nivel me vitin 2022 me 16.3 orë/ditë.

“Objektivi i performancës së mirë të vendosur nga ERRU prej 18 orë në ditë ende nuk është arritur në rang sektori ndërsa për 10 shoqëri ky tregues është mbi 18 orë/ditë të furnizimit me ujë. Në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, për vitin 2024, kanë operuar 14 shoqëri rajonale UK dhe 3 shoqëri ekzistuese UK që janë: SHUK Tiranë, SHUK Kamzë dhe SHUK Vorë.

Riorganizimi i shoqërive në zbatim të VKM-së nr. 302, 11.05.2022, u shoqërua me dinamikën dhe problematikën e saj që reflektohet në treguesit kryesorë të performancës të shoqërive në veçanti dhe sektorit në tërësi.

Gjatë vitit 2024 shoqëria që ka raportuar furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë/ditë pa ndërprerje është SHRUK Lezhë, e cila për këtë vit ka një rritje me +5.8 orë/ditë. Arsyeja lidhet me vënien në punë të ujësjellësit të ri për zonën e Laçit”, argumenton ERRU.

Rritjen më të madhe sipas të dhënave e ka pasur SHRUK Sarandë, me +11.00 orë/ditë si dhe SHRUK Dibër me +10.00 orë/ditë, pasi për të dy shoqëritë kanë përfunduar investimet e reja

Sipas Entit kohëzgjatja e furnizimit me ujë varion nga 4 – 24 orë/ditë nga të cilat 10 shoqëri performojnë mbi nivelin e mirë me 18 orë/ditë dhe 7 shoqëri janë nën këtë nivel, duke mos pasur asnjë përmirësim të këtij treguesi krahasuar me vitin 2022 dhe me vitin 2023. Ndërsa shoqëria rajonale UK Vlorë ka një rënie të këtij treguesi me -0.45 orë/ditë.

“Më problematikë janë dy shoqëritë e parajonalizuara: UK Vorë me 8 orë furnizimi me ujë dhe UK Kamëz me 4 orë furnizimi me ujë, në kufirin e performancës së dobët dhe duhet të punojnë seriozisht që të kenë përmirësim në vitin e ardhshëm.

Paraqitja grafike e mësipërme na mundëson të kuptojmë se cilat nga shoqëritë performojnë mirë në këtë tregues, si të tilla janë SHRUK Lezhë 24 orë/ditë, SHRUK Korçë 23.7 orë/ditë, SHRUK Pogradec 22.5 orë/ditë, SHRUK Dibër 22 orë/ditë, SHRUK Gjirokastër 22 orë/ditë, SHRUK Shkodër 21.55 orë/ditë, SHRUK Berat 22.11 orë/ditë, SHRUK Sarandë 21 orë/ditë, SHRUK Fier 18 orë/ditë dhe SHRUK Elbasan 18 orë/ditë”, vlerëson ERRU.

/Monitor

TAP transporton 50 mld metër kub gaz në Evropë

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka transportuar 50 miliardë metra kub gaz natyror në Evropë, që nga fillimi i operacioneve tregtare rreth 5 vjet më parë. Kjo arritje e rëndësishme nënvizon rolin e TAP në sigurimin e një furnizimi të besueshëm dhe të diversifikuar me gaz për Evropën, duke rritur njëkohësisht konkurrencën dhe duke kontribuar në përpjekjet e dekarbonizimit në të gjithë Evropën Juglindore. TAP, si segmenti evropian i Korridorit Jugor të Gazit, sjell gaz natyror nga Azerbajxhani në tregjet evropiane. Që nga fillimi i operacioneve komerciale në fund të vitit 2020, TAP ka furnizuar Italinë me rreth 41.7 miliardë metra kub gaz, Greqinë me 4.8 miliardë dhe Bullgarinë me mbi 3.2 miliardë metra kub gaz.

Drejtor Menaxhues i TAP, Luca Schieppati, deklaroi se “arritja e 50 miliardë metra kub është më shumë sesa një moment historik, është një demonstrim i qartë i rolit strategjik të TAP në forcimin e sigurisë energjetike të Evropës dhe mbështetjen e objektivave klimatike”. “TAP ka ndihmuar në diversifikimin e furnizimit me energji të Evropës Juglindore dhe në uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile më të rënda”, shtoi Schieppati.

TAP ka siguruar furnizim të pandërprerë me gaz, për më shumë se katër vite e gjysmë. Ndërkohë, që nga fillimi i vitit 2022, për të adresuar kërkesat në rritje të Evropës, TAP ka transportuar vëllime përtej kapacitetit nominal të gazsjellësit. Kompania njofton gjithashtu, se është e gatshme të rrisë më tej kapacitetin, në përgjigje të kërkesës në rritje të tregut.

TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit në Azerbajxhan drejt Evropës dhe tubacioni me një gjatësi prej 877 km lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turqi-Greqi, kalon në Greqinë Veriore, në Shqipëri dhe në Detin Adriatik, për të dalë më pas në bregun e Italisë Jugore. Pikat e daljes së TAP në Greqi dhe Shqipëri ofrojnë mundësi të shumta për transport të mëtejshëm të gazit natyror nga Azerbajxhani në tregjet e reja evropiane.

Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP është strategjikisht dhe ekonomikisht i rëndësishëm për Evropën dhe thelbësor në sigurimin e aksesit të besueshëm në një burim të ri të gazit natyror. Aksionerët e TAP janë: BP me (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (20%) dhe Enagás (20%).

Aksident në aksin Fier-Vlorë, humb jetën 62-vjeçari, një tjetër në gjendje të rëndë

Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 14:35 në autostradën Levan–Vlorë, pranë fshatit Panaja.

Një automjet tip kamionçinë, me targa AB498LY, është përplasur me trafikndarësen. Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e mjetit, i cili humbi jetën në vend, ndërsa pasagjeri që udhëtonte me të ndodhet në gjendje të rëndë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Vlorës.

Nga verifikimet paraprake të Policisë Rrugore, dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga një automjet tip Dacia me targa AA 408 XY, në të cilin udhëtonin dy shtetas të huaj. Drejtuesja e mjetit, një femër, dyshohet se ka goditur nga pas kamionçinën, duke bërë që ajo të spostohej dhe të përplasej me trafikndarësen e autostradës.

Policia ka shoqëruar drejtuesen e automjetit dhe po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, forcat zjarrfikëse ndërhynë në vendngjarje duke prerë pjesët metalike të kabinës së dëmtuar rëndë për të nxjerrë trupin e pajetë të drejtuesit të kamionçinës.

Gjendja e pasagjerit të plagosur mbetet kritike në spital.

KLP liron nga detyra drejtoreshën e BKH, Aida Hajnaj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka liruar nga detyre Aida Hajnajn drejtoreshën e BKH.

Gjashtë anëtarë të KLP votuan pro faktit që mandati i saj ka mbaruar që më 31 gusht, ndërkohë 4 të tjerët ishin pro faktit që mandati i saj mbaron në një datë tjetër.

Greqia në al*rm! Rritet numri i aksidenteve me humbje jetësh, një v*ktimë çdo 14 orë

Disa ditë pas dy aksidenteve rrugore, i pari pranë Ksanthit me viktima 3 shtetas shqiptarë dhe i dyti me dy 16 vjeçarë, pranë Kosturit, mediat greke ngrenë alarmin për përmasat që po merr kjo tragjedi.

Të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Statistikave tregojnë se çdo 14 orë, një person humb jetën në rrugët e vendit. Vetëm gjatë muajit qershor, u shënuan 74 aksidente me 63 viktima dhe mbi 1.200 të lënduar.

Gjithashtu sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Greqia u ngjit në vendin e tretë për aksidente me pasojë humbje jete, pas Rumanisë dhe Bullgarisë, duke shënuar rritje 4% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Evropian ka shënuar ulje prej 3%.Specialistët theksojnë se ligji i ri i qarkullimit rrugor mbetet kryesisht ndëshkues dhe jo parandalues.

Shkaku kryesor i kësaj “plage” lidhet me mungesën e edukimit të drejtuesve që nga vitet e para të drejtimit, por edhe me klimën e pandëshkueshmërisë që mbizotëron në rrugë.

Pas numrave dhe statistikave fshihen histori dhimbjeje: jetë që humbasin, familje që shkatërrohen, ëndrra që ndërpriten. Përveç tragjedisë njerëzore, pasojat e aksidenteve prekin edhe ekonominë, duke frenuar zhvillimin e vendit.

Ekspertët kërkojnë masa të menjëhershme, më shumë kontroll dhe aplikim të rreptë të ligjit, në mënyrë që Greqia të përmbushë objektivin evropian për përgjysmimin e viktimave deri në vitin 2030 dhe vizionin për zero humbje jete deri në 2050.

Kryesorja sipas tyre është ndryshimi i mentalitetit dhe forcimi i kulturës së sigurisë rrugore,në të kundërt thonë ata, tragjeditë në asfalt pritet të vazhdojnë.

Berisha përsërit akuzat për Ballën


Kreu i PD Sali Berisha është paraqitur përpara SPAK, për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për korrupsion.

Berisha tha se Taulant Balla ka folur me Suel Çelën. Sipas tij, Balla i ka thënë Suel Çelës se “bandat e tjera do i arrestojmë, kurse ju na duheni për vota”.

Ndërsa, Çela, sipas Berishës, i ka kërkuar Ballës që të lirojë nga burgu dy terroristë.

Sali Berisha: Unë kam bisedat e Taulant Ballës me Suel Çelën, që i thotë se ne do arrestojmë bandat e tjera dhe ju do u lëmë për vota. Suel Çela i thotë Taulant Ballës se me Taulant Hallulin do nxjerrësh nga burgu dy terroristë, që i vunë tritolin Lulzim Kullës. Tao bashkë me Hallulin shkoi dhe i liroi, se Hallulli punon në një nga këta organet e drejtësisë.

Fjala e kreut të PD Sali Berisha para SPAK:

Shënimi i sotëm: Zëvendëskreut të krimit monstruoz elektoral, Altin Troplinit.

Klodiana, nuk mund të quhet ndryshe ky, pas aktit të tij të shëmtuar të fshehjes në xhep dhe të mosekzekutimit të urdhrit të arrestit për Troplinët gjersa ata u arratisën.

Ndaj dhe sot e përgjithmonë ai do mbetet në analet si Altin Troplini.

Dhe avokatit më kryesor të karteleve qeveritare të drogës.

Ju jeni dëshmitarë se unë kam paraqitur këtu para jush bashkëpunimin e ngushtë të Taulant Ballës me Suel Çelën. Bisedën e tyre të famshme telefonike ku i thotë Suel Çelës se ne po e arrestojmë kundërshtarët e tu dhe ju do jepni votat që ne kërkojmë. Dhe ky pakt u zbatua.

Dhe bisedën tjetër ku Suel Çela i thotë Taulant Ballës, se me një… nëmos gabohem Dritan Hallullin, do të shkosh dhe të nxjerrësh nga burgu dy terroristë të vërtetë, të cilët i vunë në shalën e biçikletës tritolin Lulzim Kullës, dhe tritoli ra në tokë dhe shpërtheu në mes të qytetit dhe mund të kishte shumë viktima.

Dhe këta të dy, Tao shkoi dhe i liroi bashkë me Hallullin, i cili është diku në KLGJ apo në KLP.

Ju jeni dëshmitarë se si Altin Hajri i thotë Çyrbes së tij shih pak, merrja masat një fije atij Olsit, se ai u tregua burrë i mirë, duke përdorur emrin e një Olsi, Olsi Ramës, për Ulsi Manjën. Ai nuk ishte Olsi Rama, por ishte Ulsi Manja.

Dhe ju e keni vënë re se si i ndërron kostumet Ulsi Manja. Garderoba e tij është me nj numër të pafundëm kostumesh, sepse siç bëri Altin Hajri, bënë edhe hajrat e tjerë.

Pra të gjitha këto mbrohen me vendosmëri nga Altin Troplini.

Por i siguroj se bashkëpunimi i tij me krimin do të marrë ndëshkimin e merituar.

Kjo është çka unë lashë aty.