Stuhia bllokon aksin Fier–Cakran, rrëzohen pemët e dëmtuara nga zjarret

Një stuhi e papritur që shpërtheu rreth orës 13:30 ditën e sotme ka shkaktuar një bllokim të përkohshëm të aksit të vjetër rrugor Fier–Cakran.Shkak për këtë ka qenë renia e disa pemëve pishe, të cilat ishin djegur nga zjarret e mëparshme dhe nuk i kishin rezistuar erës së fortë. Pemët janë rrezuar mbi rrugë, duke paralizuar për disa minuta lëvizjen e automjeteve.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë hequr pemët, duke rikthyer normalitetin në qarkullim. 

Stuhia ndërpret përkohësisht fluturimet në aeroportin e Rinasit

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Shqipërinë, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.

– Advertisement –

Pista është përfshirë nga erë dhe shi i fortë, duke bërë të pamundur operimin normal të fluturimeve.

Autoritetet kanë ndërprerë aktivitetin deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Në pamjet e siguruara nga Euronews Albania tregojnë pasagjerë që presin fluturimet, ndërsa terminali është mbushur me njerëz.

Zjarr i madh në Vajzë të Vlorës, digjen toka e parcela me ullinj

Një zjarr i madh ka rënë në fshatin Vajzë të Vlorës dhe rrezikon të djegë shtëpitë e banorëve. I favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka shkrumbuar toka e parcela me ullinj.

Siç shihet dhe nga pamjet, situata duket në prag të katastrofës, pasi nuk ka ndërhyrje nga ajri, por gjithçka është lënë në dorë të forcave zjarrfikëse nga toka dhe banorëve që po përpiqen me mjete rrethanore.Mediat lokale në Vlorë raportojnë se nëse situata vazhdon e tillë, rrezikohen seriozisht shtëpinë e banorëve të fshatit Vajzë, ndaj bëjnë thirrje për reagim të menjëhershëm dhe ndërhyrje nga ajri për izolimin e vatrave.

Me aq mundësi sa kanë, banorët e zonës kanë ngarkuar makinat e tyre me ujë dhe po e hedhin atë në vendet ku flakët nuk kanë mbërritur ende, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme në brendësi të fshatit.  

Inspektori i IMT vetëdorëzohet në polici pasi u shpall në kërkim, akuzohet se mori para për të mos hequr tendën e një lokali

Klajdi Zhilla, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Tiranë, është vetëdorëzuar në polici pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga SPAK dhe Policia e Shtetit.

Zhilla akuzohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka marrë ryshfet për të mos ndërhyrë ndaj një tende të vendosur pa leje në një lokal në zonën e Kombinatit.

Policia e Shtetit:

Në vijim të operacionit policor të koduar “Hapësira publike”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare bënë ndalimin e shtetasit K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë, i cili u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Hapësira publike”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.

Materialet procedurale u referuan për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Greqi-Shqiptari vuri zjarrin me çakmak, rrezikoi shtëpitë në zonë. 62-vjeçari arrestohet për zjarrvënie të qëllimshme

Një shtetas shqiptar 62-vjeç është arrestuar nga autoritetet greke, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në zjarrin që shpërtheu së fundmi në kodrën Paleopanagia, në zonën Kantza të Paianias.

Sipas hetimeve, i dyshuari u identifikua përmes një videoje të transmetuar nga media greke, ku ai shihet duke kaluar me biçikletë malore pranë zonës ku më vonë shpërtheu zjarri. Vetëm pak minuta pas kalimit të tij, në video shfaqet tym i zi që ngrihet nga kodra, element ky që forcoi dyshimet për përfshirjen e tij në zjarrvënie.

Hetimet tregojnë se 62-vjeçari ka përdorur një çakmak për të ndezur zjarrin dhe më pas është përpjekur të eliminojë provat duke hedhur çantën e shpinës në një kosh plehrash. Kjo çantë u gjet nga autoritetet dhe pritet të jetë një provë kyçe në procesin hetimor.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse të martën pasdite, zjarri u vu nën kontroll përpara se të përhapej në drejtim të banesave apo tokave përreth.
Përveç pamjeve filmike, në identifikimin e të dyshuarit ndihmuan edhe dëshmitë e banorëve lokalë. Ai tashmë ndodhet në paraburgim dhe ndaj tij është ngritur akuza për zjarrvënie të qëllimshme në një zonë pyjore.

15.2 % e shqiptarëve nuk plotësojnë nevojat mjekësore

Shqipëria kryesoi Europën për numrin e lartë të popullsisë mbi 16 vjeç që kishin nevoja mjekësore të paplotësuara në vitin 2024 raportoi sot EUROSTAT.

Të dhënat  tregojnë se në vitin 2024, 3.8% e personave të moshës 16 vjeç e lart në BE raportuan se kishin nevoja të paplotësuara për një ekzaminim ose trajtim mjekësor, një përqindje që varionte nga 0.2% në Qipro dhe 0.7% në Maltë deri në 13.4% në Greqi dhe 15.2% në Shqipëri. Shqipëria mban rekordi në rajon. Sipas Eurostat, vetëm 2.8% e malazezëve nuk plotësonin nevojat mjekësore, 8.2% e serbëve, dhe 6% e maqedonasve. MUngojnë të dhënat për Kosovën e Bosnjë Hercegovinën.

Ndonëse shëndetësia teorikisht është falas, të ndara sipas arsyeve, 8.8% e shqiptarëve citojnë faktin se shërbimi është shumë i shtrenjtë (nga 1% që është mesatarja europiane) dhe e dyta më e lartë në Europë, pas Greqisë (9.1%). Vetëm 0.9% e malazezëve dhanë si arsye shërbimin e shtrenjtë dhe nga 1.8% Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në arsyet e tjera, 0.3% e shqiptarëve përmendën largësinë për të udhëtuar, 1.1% janë në listë pritje. Interesante është që shqiptarët krahasohen me vendet nordike për përgjigjen “Desha të prisja dhe shikoja nëse problemi do të përmirësohej vetë”, me 2%, e treta më e larta pas Danimarkës (3.3%) dhe Norvegjisë (2.4%), përkundrejt 0.4% mesatarja europiane. Relativisht e lartë është dhe pesha e atyre që thonë se nuk kanë kohe (1%), e dyta pas Danimarkës (1.6%), ndërsa mesatarja e Europës është 0.3%.

Në BE, 2 arsyet kryesore më të zakonshme për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në vitin 2024 ishin për shkak të listave të pritjes ose se ai ishte shumë i shtrenjtë. Së bashku, këto 2 arsye përbënin më shumë se gjysmën e të gjithë njerëzve që raportuan një nevojë të paplotësuar për kujdes mjekësor

Arsyet kryesore të tjera më të zakonshme të dhëna ishin dëshira për të parë nëse problemi do të përmirësohej vetë (0.4% e njerëzve) dhe mungesa e kohës (0.3%). Arsyet më pak të zakonshme përfshinin frikën, mosnjohjen e një mjeku ose specialisti të mirë, ose se ishte shumë larg për të udhëtuar (të gjitha 0.1%). Përveç arsyeve kryesore të specifikuara, një 0.5% e njerëzve të tjerë treguan një arsye tjetër (të paspecifikuar) për një nevojë të paplotësuar për kujdes mjekësor.

Një listë pritjeje që pengonte kujdesin mjekësor ishte arsyeja specifike më e shpeshtë e dhënë për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në Gjermani, Estoni, irlandë, Spanjë, Letoni, Lituani, Austri, Poloni, Slloveni, Sllovaki dhe Finlandë e Suedi në vitin 2024. Në Shqipëria arsyea kryeore ishin kostot e larta dhe listat e pritjes.

Shpenzimet e kujdesit mjekësor ishin arsyeja specifike më e shpeshtë për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në Belgjikë, Bullgari, Greqi, Francë, itali, Qipro dhe Rumani.

Dëshira për të pritur dhe për të parë nëse problemi do të përmirësohej vetvetiu ishte arsyeja specifike më e shpeshtë për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në Çeki, Danimarkë, Kroaci, Luksemburg dhe Maltë.

Në BE, 1.9% e personave të moshës 16 deri në 44 vjeç raportuan nevoja të paplotësuara për kujdes mjekësor në vitin 2024 për shkak se është shumë i shtrenjtë, shumë larg për të udhëtuar ose për shkak të listave të pritjes, krahasuar me 2.6% për personat e moshës 45 deri në 64 vjeç dhe 3.3% për personat e moshës 65 vjeç e lart. Në shumë vende të BE-së, mosha ishte një faktor i lidhur me nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor për shkak të këtyre arsyeve, megjithëse nuk kishte një model universal.

/Monitor

Inteligjenca Artificiale rrit papunësinë në të rinjtë shqiptarë me arsim të lartë

Të dhënat e INSTAT tregojnë se vështirësitë për punësimin e të rinjve me arsim të lartë janë rritur ndjeshëm më 2025. Të dhënat e INSTAT në lidhje me papunësinë e të rinjve me arsim të lartë tregojnë se norma e papunësisë erdhi në rritje.

Në vitin 2024, ky grup kishte shkallën më të ulët të papunësisë, 18.6%, por në 2025 ajo u rrit në 22.9%, duke tejkaluar edhe ata me arsim bazë dhe të mesëm.

Kjo rritje sugjeron një përkeqësim të ndjeshëm në mundësitë e punësimit për të rinjtë e diplomuar në universitet, si pasojë e mbingopjes me diploma në disa fusha, mospërputhjes me nevojat e tregut të punës apo mungesës së programeve efektive të integrimit profesional.

Shumë kompani që punësojnë të rinj më diploma tani po përdorin Inteligjencën Artificiale në vend që të rekrutojnë të rinj.

Drini Zusi, aksioner në kompaninë INCA në Lezhë, që operon në industrinë përpunuese, tha se Inteligjenca Artificiale dhe investimet në mekanikë e teknologji vitet e fundit po ulin varësinë nga rekrutimet e reja të punonjësve.

Z. Zusi tha se nëpërmjet ChatGPT dhe Midjourney në fushën e marketingut krijohet përmbajtja dhe nuk ka më nevojë për menaxher në këtë fushë.

Më parë, kompania paguante një agjenci ose konsulent të jashtëm për konceptin ose përmbajtjen e marketingut, por me versionet premium të ChatGPT këto produkte prodhohen vetë.

Për të rinjtë me arsim 8-9-vjeçar, shkalla e papunësisë është rritur nga 19.8% në 2024 në 22.1% në 2025. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, personat me arsimim bazë kanë pasur më pak mundësi punësimi krahasuar me një vit më parë.

Një rritje e tillë po reflekton dobësimin e sektorëve që zakonisht punësojnë fuqi punëtore më pak të arsimuar.

Ndërkohë, për të rinjtë me arsim të mesëm, papunësia ka pësuar rënie të ndjeshme nga 28.5% në 22.1%. Ky është një ndryshim pozitiv, që e vendos këtë grup në të njëjtin nivel papunësie me ata me arsim bazë.

Ulja e fortë e papunësisë për këtë kategori tregon që individët me arsim të mesëm kanë përfituar nga një përmirësim i tregut të punës, ndoshta si rezultat i një rritjeje të kërkesës për punonjës me trajnim teknik apo profesional.

Të dhënat e tregut të punës për të rinjtë tregojnë një ulje të përgjithshme të papunësisë, por me tendenca të ndryshme sipas nivelit të arsimit.

Ndërsa ata me arsim të mesëm kanë përfituar më shumë nga përmirësimi i tregut të punës, ata me arsim të lartë përballen me sfida të reja që kërkojnë vëmendje të veçantë nga politika publike dhe sistemi i arsimit të lartë.

Papunësia e të rinjve me diploma është një sinjal i keq për vendin, pasi përvoja ka treguar se shumë prej tyre në vend që të përpiqen të ndërtojnë jetën në vendin e tyre zgjedhin të emigrojnë.

Largimi i të rinjve është përforcuar edhe më shumë pas pandemisë dhe kjo është alarmante në kohën kur numri i tyre po ulet me shpejtësi.

Grupmoshat e reja të popullsisë tonë po tkurren me ritme rekord më shumë se kudo tjetër në Europë. Nga viti 2011 në vitin 2023, grupmosha 0-29 vjeç është reduktuar me 44% sipas të dhënave nga censet.

Mosha mesatare në Bashkimin Europian në janar 2025 ishte 44.7 vjeç, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSAT, mosha mesatare e popullsisë ishte 44.3 vjeç, ndërsa në vitin 2015, mosha mesatare në Shqipëri ishte 27.2 vjeç.

/Monitor

 Turqia lajmëron ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe mbylljen e hapësirës ajrore për Izraelin

Turqia ka vendosur të ndërpresë plotësisht të gjitha lidhjet tregtare dhe ekonomike me Izraelin dhe po mbyll hapësirën e saj ajrore për aeroplanët izraelitë, njoftoi Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.

Siç shkruan Jerusalem Post, pasojat ekonomike të këtij veprimi nuk dihen ende, por devijimet për shkak të hapësirës ajrore të mbyllur mund të rrisin kohën e udhëtimit të fluturimeve nga Izraeli në vende si Gjeorgjia dhe Azerbajxhani me pothuajse dy orë.

“Turqia ka njoftuar tashmë përfundimin e marrëdhënieve ekonomike me Izraelin në të kaluarën, por lidhjet kanë vazhduar”, tha një zyrtar izraelit.

Lëvizja vjen pas raportimeve se autoritetet turke kanë filluar t’u kërkojnë në mënyrë joformale agjentëve të transportit detar të japin letra që vërtetojnë se anijet nuk janë të lidhura me Izraelin dhe nuk transportojnë mallra ushtarake ose të rrezikshme të destinuara për atë vend.

Sipas burimeve të transportit detar, autoriteti portual ka udhëzuar verbalisht agjentët e portit të japin garanci me shkrim, por nuk është lëshuar asnjë letër zyrtare për këtë qëllim.

Ndryshe, lëvizja është një vazhdim i masave të Turqisë kundër Izraelit pasi ajo ndërpreu tregtinë me vendin, me vlerë rreth 6 miliardë euro në vit, vitin e kaluar për shkak të luftës në Rripin e Gazës.