Shuhen 33 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 6 mbeten ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar si çdo ditë raportin për situatën e krijuar nga zjarret në vend gjatë 24 orëve të fundit. Në total janë shuar 33 vatra zjarri nga 39 vatra të raportuara.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në: zonën pyjore Bode, Bashkia Maliq, fshatin Skuraj, bashkia Kurbin, Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë, fshatin Gjadër, bashkia Lezhë, fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan dhe  fshatin Kus, bashkia Tiranë.”

Këto vatra zjarri nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara dhe për shuarjen e tyre janë angazhuar në terren strukturat e pushtetit vendor dhe atij qendror.

Në operacionet e fundit për shuarjen e vatrave morën pjesë rreth 1400 forca operacionale me 75 mjete si dhe helikopteri Cougar.

Shpërthim i fuqishëm në një kantier në ndërtim

Shpërthim i fuqishëm në një kantier në ndërtim në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:15, në rrugën “Reshit Çollaku”. Shpërthimi ka qenë i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike, ndërsa nuk ka dëme materiale dhe as të lënduar.

NJOFTIMI I POLICISE

Më datë 01.08.2024, rreth orës 01:15, në rrugën “Reshit Çollaku”, në një kantier në ndërtim, është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë nuk ka dëme materiale dhe as të lënduar.

Grupi hetimor po vazhdon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.

Humb jeten i moshuari ne Fier , u asfiksua nga zjarri qe i vuri mbeturinave ne token e tij

Fier/ Informacion paraprak

Në fshatin Peshtan Bregas, shtetasi N. C., rreth 90 vjeç, në tokën në pronësi të tij, kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturinat.

Më pas në tentativë për të shuar flakët, të cilat u përhapën si pasojë e erës së fortë, shtetasi N. C., dyshohet të jetë asfiksuar e për pasojë ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Dhunon dhe përplas me makinë 30-vjeçarin, arrestohet shqiptari në Greqi

Një 50-vjeçar ka rënë në pranga nga policia greke, pasi ka dhunuar dhe ka aksidentuar një 30-vjeçar.

Sipas mediave të huaja 50-vjeçari ka përplasur me makinën që drejtonte 30-vjeçarin bashkatdhetar, duke bërë që ai të dalë nga rruga dhe të bjerë në një fushë në zonën e Pylit.

Sipas dëshmi të së riut, 50-vjeçari e ka goditur me shkop dhe grusht në kokë dhe në trup dhe është larguar me një person që e shoqëronte.

30-vjeçari ka denoncuar menjëherë ngjarjen në polici, ndërsa efektivët kanë arrestuar 50-vjeçarin. Policia po punon për të hetuar rastin.

Ndryshimet në Qeveri sjellin edhe lëvizje në administratë

Ndryshimet e fundjavës së kaluar në kabinetin qeveritar, kanë bërë që edhe disa prej drejtorive të rëndësishme të kenë lëvizje në pozicionet drejtuese.

Dallëndyshe Bicit i është besuar sërish posti i Kryeinspektores së IKMT-së, pas largimit nga ky institucion i Ervin Hoxhës që zuri vendin e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.

Ndërkohë që pas largimit të Dallëndyshe Bicit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, vendin e lënë bosh e ka marrë Lorena Goxhabelli, që më parë ka punuar në kabinetin e disa ministrave.


Lëvizjet në administratë

Porti i Durrësit

Ikën Pirro Vëngu

Vjen Kreshnik Bajraktari

AKBN

Ikën Petrit Malaj

Vjen Erlind Sulo

IKMT

Ikën Ervin Hoxha

Vjen Dallëndyshe Bici

Kadastra

Ikën Dallëndyshe Bici

Vjen Lorena Goxhabelli.

GJKKO vendos ne sekuestro pasuritë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro

Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar kërkesën e SPAK, për të vënë në “sekuestro preventive” pasuritë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.Goro ndodhet në “arrest në burg” për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për regjistrimin e dy sipërfaqeve prone, ku sipas prokurorisë, ish-kryebashkiaku me veprimet dhe mos veprimet e tij, ka lejuar në kundërshtim me ligjin për regjistrimin e këtyre pronave që ishin parashikuar për investime strategjike.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 31.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 29, datë 26.07.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive”, dhe vendosi:

– Ndryshimin e Vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

– Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

– Caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, në bazë dhe për zbatim të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, për pasurinë numër ***, volumi ***, faqe ***, Zona Kadastrale nr. ***, lloji i pasurisë “Apartament”, sipërfaqja e përgjithshme 81.41 m2, adresa e pasurisë ***, për llogari të Procedimit Penal nr. 189, të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/II i Kodit Penal, me person nën hetim Z. J.G.

– Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.

– Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar.

KLP pezullon kreun e prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka

KLP pezullon kreun e prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka, i cili u arrestua me urdhër të SPAK.Aurel Zarka është arrestuar ndërsa tre personat për të cilët është lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ish-oficerja e policisë gjyqësore Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinën Toyota Yaris) janë shpallur në kërkim.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka rregjistruar procedimin penal nr.26, datë 07.02.2024, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 245/1, 319, 319/ç, 295/a paragrafi (3) dhe 283/a të Kodit Penal.

Lidhur me këtë procedim penal për një periudhë disa mujore janë kryer veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë marrjen e informacioneve nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, marrjen e provave nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera, kërkimin, zbulimin dhe administrimin e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe analizimin me hollësi të të dhënave dhe dokumentacionit që është administruar.

Nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim A.V., R.Ç., E.D. dhe A.Z, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

Konkretisht, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme:

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.28, datë 28.07.2024, ka vendosur:

Shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në datën 29.07.2024, kanë ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim A.Z. Vijojnë kërkimet për ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.

Gjejmë rastin që të falenderojmë për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre me Prokurorinë e Posaçme gjatë hetimeve të këtij procedimi penal, Europol, Eurojust, autoritetet franceze të drejtësisë, autoritetet belge të drejtësisë, si dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit në fazën e ekzekutimit të masave të sigurimit.

Megaoperacioni nga SPAK, kush janë ish-gjyqtarja dhe zv. drejtori i burgut ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër-arreste

Një operacion me bazë të gjerë është ai i organizuar nga Prokuroria e Posaçme në Elbasan, Tiranë e Durrës.

Mesohet se janë lëshuar më shumë se 36 urdhër arreste, ndërkohë që mësohet se mes personave ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie, është edhe ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, ndaj të cilës është caktuar masa “Arrest në shtëpi” dhe zv. drejtori i burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.

Mësohet se operacioni është zhvilluar në kuadër të vazhdimit të operacionit ‘Plumbi i artë’, ka vënë në shënjestër për t’u arrestuar, personat me precedentë penal të akuzuar për vrasje, trafik droge dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasje.Deri më tani nuk dihen detaje nga aksioni në fjalë si dhe se sa persona janë arrestuar. Pas rrëfimit të Nuredin Dumanit, u zbuluan një seri krimesh të rënda të botës së nëndheshme të botës kriminale. Ndërkohë përgjimet nga aplikacioni Sky Ecc nxorën zbuluar disa krime.