Vetëm në 7 muajt e këtij viti, ERE ka dhënë 16 licenca të reja per impiantet diellore

Hyrja në prodhim e centraleve diellore ka rritur ndjeshëm energjinë e prodhuar nga ky burim në 3 muajt e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për periudhën prill – qershor centralet fotovoltaike gjeneruan 288.034 mWh energji, duke përbërë 16.4% të energjisë totale të burimeve vendase. Në krahasim me 3-mujorin e dytë të vitit 2024 rritja përllogaritet me 9.6%, pasi vitin e kaluar energjia fotovoltaike përbënte vetëm 6.8% të totalit. Rritja e shënuar këtë vit vjen nga shtimi i impianteve diellore që kanë hyrë në prodhim, pasi një numër shumë i madh i tyre kanë nisur funksionimin pas muajit korrik të vitit të kaluar. Megjithatë, vlen të theksohet se rritja e peshës së energjisë diellore, në raport me energjinë totale të gjeneruar në vend, lidhet edhe me rënien e prodhimit nga hidrocentralet për shkak të mungesës së reshjeve.

Ndërkaq, pesha e energjisë diellore pritet të rritet më tej, pasi një sërë projektesh tashmë kanë avancuar me procedurat për marrjen e lejeve të nevojshme dhe nisjen e ndërtimit të centraleve në terren. Në 7 muajt e parë të këtij viti Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar 16 kompani për projekte me kapacitet total të parashikuar për t’u instaluar prej 142.8 MW.

Edhe në vitet e mëparshme janë licencuar një sërë kompanish në prodhimin e energjisë nga dielli, duke bërë që aktualisht të numërohen 66 kompani të licencuar në këtë aktivitet, me projekte që arrijë në rreth 764 MW. Këtu përfshihen edhe impiantet që tashmë janë në prodhim. Megjithatë, interesi i investitorëve privatë për këtë sipërmarrje mbetet i lartë, me shumë aplikime të dorëzuar pranë autoriteteve përkatëse.

Kodi i ri Penal-4 vite burg për tregtimin e ushqimeve të dëmshme!

Kodi i ri penal sjell shtimin e veprave penale që lidhen me sigurinë ushqimore, dhe konkretisht me prodhimin e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin, ofrimin e ushqimit të pasigurtë, mashtrimin me produktet ushqimore dhe paraqitjen e rremë të produktit ushqimor.

Referuar nenit 458 të draftligjit, “Prodhimi, përpunimi, ruajtja, tregtimi, importimi, eksportimi i ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera ushqimore, përdorimi i kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë në kundërshtim me standardet ligjore të lejuara, ose përdorimi i tyre te kafshët dhe bimët që përdoren si ushqim, në kundërshtim me kërkesat ligjore, duke i bërë ushqimet të pasigurta për konsum, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në 4  vjet.

Vepra penale Ofrimi i ushqimit të pasigurtë kriminalizon therjen e kafshëve për shitje ose përdorimin e produkteve shtazore për konsum njerëzor, duke e ditur që atyre iu janë përdorur trajtime terapeutike me substanca të dëmshme. Dënimi në këtë rast shkon deri në 4 vjet burg.   Është kriminalizuar gjithashtu hedhja për konsum publik e mishit ose produkteve të kafshëve të destinuara për ushqim, pa respektuar periudhat e pritjes, të parashikuara në ligj.

Sipas nenit 460 mbi mashtrimin me produktet ushqimore “Importimi, prodhimi, ruajtja, falsifikimi, publiciteti, tregtimi apo vendosja në qarkullim me ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, materialeve ose lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë, në të cilët janë shënuar të dhëna të cilat nuk i korrespondojnë përmbajtjes, llojit, kategorizimit, prejardhjes, sasisë apo cilësisë së produktit apo produkte pa të dhënat e mësipërme, siç parashikohet në legjislacionin në fuqi, dënohet me burgim deri në tre vjet”.

Vepra penale Paraqitja e rremë e produktit ushqimor bën të ndëshkueshëm penalisht me burg deri në 6 muaj ofrimin në treg të produkteve ushqimore duke mos plotësuar ose ndryshuar kërkesat e përcaktuara në ligj për skadencën ose përbërjen, fshehjen ose marrjen e produkteve ushqimore që synohen të bëhen të papërdorshme ose të dezinfektohen, me qëllim tregtimin e tyre.

Gjithashtu vepra penale Prishja e shenjave të organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore ndëshkon heqjen ose ndryshimin e shenjave bllokuese apo ushtrimin e aktivitetit pas bllokimit në kundërshtim me masat e përkohshme ose përfundimtare, të vendosura nga organet inspektuese të autoritetit kombëtar të ushqimit, me qëllim prodhimin ose tregtimin e ushqimeve të pasigurta. Dënimi për këtë vepër është deri në 3 vite burg.

Sigurimi i fermerëve, kush përfshihet në skemë? 

Personat që punojnë në bujqësi si të vetëpunësuar kanë detyrimin të kontribuojnë për sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Ligji parashikon që për t’u siguruar, ata duhet të kenë mbushur moshën 16 vjeç, të jenë të aftë për punë dhe të mos kenë punësim apo sigurim në sektorë të tjerë.

Sipas publikimit të bërë nga Instituti I Sigurimeve Shoqërore bujqit që përfitojnë statusin e të vetëpunësuarit duhet të kenë tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim sipas ligjit nr. 7501, ose me akt noterial. Ata duhet të zhvillojnë aktivitet bujqësor apo blegtoral, duke jetuar në të njëjtin nënqark ku kanë tokën, ose në fshat edhe kur toka ndodhet në një qark fqinj.

Pagesat e sigurimeve kryhen çdo tre muaj dhe janë të detyrueshme, duke mbuluar pensionet, barrëlindjen dhe shërbimin shëndetësor. Për zonat fushore, kontributi tremujor për sigurim shoqëror është 9.600 lekë dhe 942 lekë për sigurim shëndetësor. Ndërsa për zonat malore, pagesa është më e ulët: 7.350 lekë për sigurim shoqëror dhe 942 lekë për shëndetësor.

Në listën e zonave fushore përfshihen qarqe si Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja apo Korça, ndërsa zonat malore janë Skrapari, Peshkopia, Kukësi, Tropoja dhe të tjera.

Ky sistem është menduar për t’i përfshirë fermerët në skemën e sigurimeve shoqërore dhe për t’u krijuar atyre të drejtën e pensionit, ndihmës ekonomike në raste të caktuara, si dhe mbrojtje shëndetësore. Por, pavarësisht detyrimit ligjor, pjesëmarrja e fermerëve mbetet e ulët. Sipas të dhënave, shumë bujq nuk i paguajnë rregullisht kontributet për shkak të të ardhurave të ulëta, çka rrezikon të ardhmen e tyre financiare.

8-vjeç mbijetoi një aksidenti, por humbi jetën ne nje tjeter aksident në moshën 24-vjeçare

Peqini është tronditur nga një aksident tragjik automobilistik që i mori jetën dy të rinjve 24-vjeçarë, Gabriel Lluca dhe Denis Korbi.

Historia e Gabrielit është veçanërisht e dhimbshme. Në moshën vetëm 8-vjeçare, ai kishte mbijetuar një aksident të rëndë pranë shkollës “Demir Godelli” në qytetin e Peqinit, aty ku jetonte me familjen. Një automjet i kishte kaluar mbi trup, duke i shkaktuar fraktura të shumta dhe plagë të rënda, por me shumë përpjekje mjekësore dhe fat, ai arriti të mbijetojë, duke prekur zemrat e të gjithë komunitetit.

Por këtë fundgushti, fati nuk i dha më një shans tjetër. Në të njëjtin qytet ku dikur kishte shpëtuar mrekullisht nga vdekja, 24-vjeçari humbi jetën tragjikisht, duke lënë pas dhimbje dhe lot.

Familjarët dhe miqtë e përshkruajnë Gabrielin si një djalë plot energji, të dashur, gjithmonë me buzë në fytyrë. Ai ishte një nga katër fëmijët e familjes Lluca, e cila tre vite më parë përjetoi edhe një tjetër humbje të madhe – ndarjen nga jeta të babait, Agron Lluca.

Kjo tragjedi e dyfishtë ka lënë të pikëlluar jo vetëm familjen, por të gjithë bashkëmoshatarët dhe komunitetin e Peqinit, që sot i japin lamtumirën një djali që dikur i kishte sfiduar të gjitha shanset për të jetuar.

Gushti mbyll sezonin veror, emigrantët shqiptarë rikthehen në Greqi

Fundjava e fundit e gushtit ka shënuar një fluks të shtuar udhëtarësh në doganën e Kakavijës, ku emigrantët shqiptarë po kthehen drejt Greqisë pas përfundimit të pushimeve verore në vendlindje.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar 9.527 shtetas në hyrje-dalje:

  • 3.841 në hyrje
  • 5.686 në dalje

Po ashtu janë regjistruar 3.107 mjete në qarkullim:

  • 1.265 në hyrje
  • 1.842 në dalje

Autoritetet bëjnë të ditur se në fluksin e lëvizjeve përfshihen jo vetëm emigrantët, por edhe turistë nga vende të ndryshme që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion gjatë sezonit veror.

Policia Kufitare ka hapur 3 sportele në hyrje dhe 4 në dalje, ndërsa pala greke ka përshpejtuar procedurat në sportelet e saj për të shmangur pritjet e gjata.

Automjeti del nga rruga dhe përplaset me shkallët e një banese, humbin jetën dy të rinj

Një aksident me dy viktima është regjistruar në orët e paratë mëngjesit pranë Peqinit.Automjeti tip Golf ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shkallët e një banese.

Në aksident kanë humbur jetën 24-vjeçarët Gabriel Lluca dhe Denis Korbi.Të rinjtë u dërguan me urgjencë në  spital, por nuk mundën të mbijetonin.

Policia ndodhet në vendngjarje duke hetuar shkaqet e aksidentit.

Në njoftimin e policisë thuhet:

Peqin/Informacion paraprak

Rreth orës 02:00, në vendin e quajtur “Ura e Teqes”, Peqin, automjeti që drejtohej nga shtetasi G. Ll., 24 vjeç, ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit shtetasi G. Ll. dhe pasagjeri në këtë automjet shtetasi D. K., 24 vjeç.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Reshjet krijojnë probleme në Vlorë, rrezik përmbytjeje për dy banesa dhe një subjekt

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në afërsi të fshatit Xhyherinë, në Vlorë.

Çarja e kanalit të ujërave të larta ka vënë në rrezik dy banesa dhe një subjekt pularie, duke krijuar një situatë emergjente për banorët e zonës.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë, ato të zjarrfikëses, si edhe strukturat e emergjencave civile, të cilat kanë angazhuar një fadromë për të frenuar përhapjen e ujit.

Autoritetet theksojnë se për të shmangur përmbytjen e plotë është e nevojshme ndërhyrja me një mjet skrep, për pastrimin e inerteve që kanë bllokuar kanalin dhe po pengojnë qarkullimin normal të ujit.

 Fier – Arrestime për dr*gë, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe incident në stadium

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 30 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, u gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një sasi kanabisi si edhe një mjet prerës (thikë), të cilat iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit O. S., 43 vjeç dhe R. L., 46 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. K., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se gjatë ndeshjes së futbollit “Bylis-Flamurtari”, ka hedhur lëndë piroteknike në fushë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme