Aksioni i SPAK, arrestohet një punonjës police

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacionin e zhvilluar këtë të shtunë në qytetin e Vlorës. Mësohet se është arrestuar një punonjës police i lidhur me grupin e Vlorës.

I arrestuari është identifikuar si punonjësi i policisë Rezart Kuci. Ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Më parë mësohet se ka qenë shef seksioni policisë shkencore, DVP Kukës.

Ai gjithashtu ka qenë zëvendës Shef Komisariati për Hetimin e Krimeve në komisariatin e policisë Nr.1 dhe zëvendës Shef Komisariati/Shef për Hetimin e Krimeve DVP Vlorë.

Arrestim në Fier për thyerje të “arrestit në shtëpi”, disa persona nën hetim

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin G. G., 35 vjeç, banues në fshatin Petovë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
• L. M., 43 vjeçe, banuese në fshatin Levan, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës së vëllait të saj;
• A. S., 51 vjeç, banues në fshatin Cakran, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait të tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. S., 60 vjeç, banues në Fier, pasi i ka marrë një shumë parash një shtetasi dhe, nëpërmjet mashtrimit, nuk ia ka kthyer më.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kallm i Vogël, dhe F. M., 19 vjeç, banues në Fier, pasi drejtonin motomjete pa leje drejtimi dhe pa targa.

Gjithashtu u procedua penalisht një shtetas i mitur, 14 vjeç, pasi duke drejtuar një motomjet pa targa dhe pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin e tij dhe është rrëzuar në anë të rrugës, duke marrë dëmtime të lehta. Nga dalja e motomjetit nga rruga u dëmtuan lehtë edhe një pasagjer që ndodhej në motomjet, si dhe një këmbësor.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

RENEA në Vlorë, aksion blic në zonën e Ujit të Ftohtë

Një aksion i befasishëm i forcave speciale është zhvilluar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Operacioni është realizuar nga efektivët e RENEA-s, të cilët kanë ndërhyrë në terren në kuadër të një kontrolli të gjerë sigurie.

Sipas informacioneve paraprake, në aksion janë angazhuar rreth 40 efektivë të forcave speciale dhe rreth 10 mjete, përfshirë edhe mjete të blinduara. Operacioni është monitoruar edhe nga ajri përmes përdorimit të një droni, i cili ka kontrolluar zonën për të ndihmuar në koordinimin e veprimeve në terren.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për objektivin e operacionit apo nëse ka persona të shoqëruar, ndërsa pritet që Policia e Shtetit të japë më shumë detaje në vijim për aksionin e zhvilluar në këtë zonë.

Kompanitë e naftës thirren për takim në Kryeministri pas rritjes së çmimit

1 javë  pas nisjes së konfliktit në Lindjes e Mesme dhe shtrenjtimit të naftës edhe në vendin, qeveria pritet të zhvillojë një takim me operatorët e tregut të karburanteve ditën e hënë. 

Për të dytën herë radhazi çmimi i naftës në Shqipëri vetëm brenda pak ditësh ka ndryshuar sërish. Pikat e tregtimit me shumicë kryesisht në kryeqytet ndryshuan vlerat në tabelat e tyre të shitjes këtë të premte.

Duke i vendosur një çmim të ri të naftës me një maksimale që varion nga 182 deri në 184 lekë për litër nga 175-179 lekë që tregtohej ditët e mëparshme.

Kjo rritje e çmimit sipas operatorëve në treg vjen pas rritjes së mëtejshme të çmimeve të naftës në bursë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Konkretisht 1 fuçi naftë bruto në bursë ka arritur në 91 dollarë. Rritja më e lartë që prej fillimit të konfliktit teksa më parë tregtohej edhe në vlerat e 70 dollarëve për fuçi. (Foto)

Edhe të dhënat e doganave tregojë se çmimi i naftës së importuar me referencë çmimet e bursës PLATTS është rritur nga 888 dollarë për ton në 2 mars në 1112 dollar për ton në datën 5 mars. (Foto)

Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të mbetet i lartë edhe se në 1 litër rëndojnë brenda 4 taksa si akciza, taksa e karbonit dhe qarkullimit si dhe tvsh-ja 20%  duke arritur një çmim vetëm taksa nga 100-110 lekë/litër.

Protesta te Kryeministria, policia u heq çadrën

Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, vendosi sot një çadër përpara godinës së Kryeministrisë gjatë një proteste të zhvilluar në kryeqytet.

Pas vendosjes së saj, në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, të cilat hoqën çadrën dhe karriget që ishin vendosur aty. Veprimi u kundërshtua nga qytetarët e pranishëm, të cilët tentuan të pengonin largimin e tyre.

Gjatë fjalës së tij, Lapaj akuzoi policinë për veprime të padrejta dhe lidhje me krimin.

“Policia vjedh gjithçka që i del përpara. Një pjesë e drejtuesve të tyre janë të lidhur me krimin. E kemi parë se si ata shkarkohen… Çdo punonjës i ndershëm, kudo ku më takon, më thotë se bandat i kanë marrë peng. Këta vijnë si hiena dhe marrin çfarë u del përpara”, u shpreh ai.

Rritet çmimi i naftës në Shqipëri, arrin deri në 189 lekë për litër

Tensionet në Lindjen e Mesme po ndikojnë edhe në tregun shqiptar të karburanteve. Gjatë kësaj të premteje është vënë re një tjetër rritje e çmimit të naftës në pikat e furnizimit në vend.

Në shumicën e karburanteve, nafta po tregtohet rreth 182 lekë për litër, ndërsa në disa pika të tjera çmimi varion nga 185 deri në 189 lekë për litër.

Operatorët e tregut e lidhin këtë rritje me luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, ku çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive në furnizim. Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar më herët se çmimi mund të shënojë rritje deri në 40 lekë për litër.

Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve dhe po vëzhgon kompanitë që operojnë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të benzinës dhe naftës. Fokusi kryesor i këtij procesi është ecuria e çmimeve në pikat e shitjes për konsumatorët.

Shqipëria mbetet një vend i varur nga importi i hidrokarbureve, ndaj çdo ndryshim në tregjet ndërkombëtare reflektohet shpejt në çmimin që paguajnë qytetarët. Rritja e çmimit të naftës pritet të ndikojë edhe në koston e transportit dhe të prodhimit, duke krijuar presion për shtrenjtimin e produkteve të tjera të përditshme.

Ofendoi Vokshin, deputetet e opozitës kërkojnë përjashtimin e Taulant Ballës nga Kuvendi

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zyrtarizuar kërkesën për përjashtimin e Taulant Ballës nga Kuvendi.

Kërkesa vjen pas deklaratave fyese të deputetit socialist të bëra në seancën e e djeshme plenare.

Ahmetaj, merret i pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Prokuroria e Posaçme SPAK ka mbyllur hetimet për çështjen ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Ish-funksionari është marrë i pandehur për tre vepra penale: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Akuzë zyrtare është komunikuar edhe për bashkëjetuesen e tij, Erjola Hoxha, si dhe për ish-bashkëshorten, Albina Mançka.

Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim nga drejtësia që prej verës së vitit 2023.