Sekuestrohen 54 mije e 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe 1 automjet

Berat

Goditet një rast i dyshuar i pastrimit të produkteve të veprës penale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Produkti”.

Sekuestrohen 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.

Arrestohet 67-vjeçari që posedonte këto shuma monetare.

Si rezultat i një pune hetimore të kryer mbi bazën e informacioneve të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Berat finalizuan operacionin policor të koduar “Produkti”, në kuadër të të cilit u godit një rast i dyshuar në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 67 vjeç, banues në Berat.

Nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e Policisë, në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, shuma monetare që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.

Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sistemimi i rrëshqitjes në aksin Librazhd–Prrenjas do të kushtojë 93.7 milionë lekë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik procedurën tenderuese për sistemimin e rrëshqitjes në aksin Librazhd–Prrenjas. Tenderi do të jetë me negocim pa njoftim, që do të thotë se kompania fituese do të përzgjidhet drejtpërdrejt, pa garë të hapur.

Rrëshqitja në pikën e njohur si “Arrat e Gurrës” bllokoi për 11 ditë lëvizjen e automjeteve drejt juglindjes. Aktualisht qarkullimi bëhet përmes një devijimi provizor, i ndërtuar pranë pozicionit ekzistues të mëparshëm. Rruga alternative që do të ndërtohet do të kalojë në shtratin e lumit Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.

Segmenti provizor funksionon me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht është i paasfaltuar. Asfaltimi përfundimtar do të kryhet pasi shtresat të stabilizohen.

Autoritetet e rrugës bëjnë me dije se rrëshqitja ka ndodhur për shkak të faktorëve natyrorë dhe nuk lidhet me investimin për korridorin VIII. Megjithatë, disa ekspertë shprehin shqetësimin se rrëshqitja mund të jetë shkaktuar nga punimet për aksin e ri të korridorit, ndërsa organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin.

Qarkullimi aktualisht është i hapur për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato me tonazh të rëndë, duke respektuar kufirin e 8.2 ton për aks.

Rritja e çmimit të naftës godet bujqësinë shqiptare

Rritja e çmimit të naftës po sjell pasoja negative mbi bujqësinë shqiptare,  në periudhën më intensive të saj.

Sipas analizës së fundit të bërë nga ALTAX, nafta ka arritur deri në 179 lekë/litër për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme .  Dhe si pasojë, llogaritet rritje e kostos së prodhimit bujqësor me 20-30%. Po ashtu, ALTAX thekson se për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, parashikohet ulje e prodhimin me 10-20%, sikurse ndodhi në krizën e Ukrainës ku pati rënie 15% sipas INSTAT, dhe po ashtu  shtrenjtohen inputet si plehrat, farat e pesticide.

Analiza evidenton se së pari, bujqësia në fushë dhe në sera preket më shumë dhe më shpejt nga të tjerat, për masivitetin që ka në ekonomi direkt dhe e ndërlidhur me sektorë të tjerë. Në bujqësinë në fushë, rritja e çmimeve të naftës rrit kostot për traktorët, makineritë e mbjelljes dhe korrjes, si dhe për transportin e prodhimeve në treg. Nga përvoja e krizës së Ukrainës, ku çmimi i naftës u dyfishua, fermat shqiptare panë një rritje të kostove të karburantit me 25–40%, duke çuar në ulje të sipërfaqeve të mbjella me drithëra si gruri apo misri, dhe një rënie të prodhimit me 10–15% në zonat si Fieri apo Korça.

Në sera, ku energjia është kritike për ngrohje dhe ujitje (shpesh me pompa që varen nga karburanti ose energjia elektrike e ndikuar indirekt nga nafta), kostot operative rriten ndjeshëm, duke ulur marzhet e fitimit dhe duke çuar në çmime më të larta për perimet dhe frutat. Ndikimi është më i fortë në sera për shkak të intensitetit energjetik, duke prekur prodhimin sezonal dhe eksportet.

Sektori i përpunimit agro-ushqimor preket nga rritja e kostove të transportit për lëndët e para (si drithërat apo frutat) dhe energjisë për makineritë e përpunimit (p.sh., mullinj, konservatore). Kjo çon në rritje të çmimeve të produkteve finale si mielli, vaji apo konservat, duke amplifikuar inflacionin ushqimor dhe duke ulur kërkesën nga konsumatorët. Nga përvoja e inflacionit në 2022, kur çmimet e energjisë u rritën, fabrikat e miellit në Shqipëri panë një rritje të kostove me 30%, duke çuar në falimente të vogla dhe rritje të çmimeve të bukës me 20%. Blegtoria & akuakultura  po ashtu parashikohet të kenë një rënie me prodhimi deri 25%.

Për këtë arsye ALTAX propozon marrjen e masave të cilat amortizojnë rritjen e çmimeve siç mund të jenë  kuponë/rimbursime për naftë bujqësore (20-30% e kostos); Grante për panele diellore në ujitje e sera; Rezerva shtetërore për plehra & fara; Kredi të buta për makineri moderne/hibride; Përmirësim i infrastrukturës rurale.

I dehur d*mton veten me th*kë në Fier, perfundon ne spital

Nje ngjarje e rende ka ndodhur ne Fier. Mesohet sipas informacioneve nga policia se në Spitalin Rajonal të Fierit është paraqitur edhe shtetasi K. G., 59 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka dëmtuar lehtë veten me mjet prerës. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është larguar për në banesë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Arrestohet drejtuesi i “Benz”-it për aksidentin fatal në aksin Levan–Tepelenë

Policia e Fierit ka arrestuar drejtuesin e automjetit tip “Benz”, i përfshirë në aksidentin rrugor të ndodhur një ditë më parë në aksin “Levan–Tepelenë”, ku humbi jetën një 39-vjeçare.

Sipas njoftimit të policisë, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen. Në aksident humbi jetën shtetasja N. A., 39 vjeçe, e cila drejtonte një automjet tip “Kia”.

Aktualisht drejtuesi i “Benz”-it, P. M., si dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin e tij, shtetasi S. R., ndodhen në spital duke marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. Sh., 42 vjeç, banues në fshatin Shegas, pasi drejtonte një motomjet pa leje drejtimi.

Rama: Fitoret e Ballukut do të testohen sërish në zgjedhjet e ardhshme

Screenshot

Rama për Ballukun: S’kam në plan ta shpall as hero e as viktimë, shpresoj që hetimi në SPAK të mos çojë në korrupsion

Kryeministri Edi Rama ka komentuar çështjen që lidhet me Belinda Ballukun dhe hetimin ndaj saj nga SPAK, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo zyrtar mban përgjegjësi personale për veprimet e tij.

Rama tha se edhe brenda radhëve ka nga ata që mendojnë se fitoret e forta elektorale të Ballukut dhe skuadrës së saj në territor kanë ardhur për shkak të pushtetit që ajo ka pasur. Sipas tij, kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e ardhshme, ku Balluku do të vijojë të drejtojë qarkun.

Ai theksoi se nuk ka ndërmend ta shpallë Ballukun as hero dhe as viktimë, por shprehu shpresën që hetimi i çështjes së saj në SPAK të mos përfundojë në akuza për korrupsion.

“Gjithkush pas të 18-ave varet nga këmbët e veta, me ligj dhe Zot. Unë si kryeministër, ndryshe nga sa mendojnë disa që nuk e kuptojnë këtë detyrë, nuk mund t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori”, u shpreh Rama.

PS kundër arrestimit të Ballukut: Rrëzojmë kërkesën e SPAK, s’e japim autorizimin!

Ulsi Manja ka deklaruar se rreziku i largimit nga vendi i Belinda Balluku nuk ekziston, kjo pasi edhe pse ishte në dijeni të hetimit, ajo është larguar disa herë nga Shqipëria dhe është rikthyer.

“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Belinda Balluku. Po të prishte provat, do të kishte një akuzë të dytë, që është ajo e prishjes së provave. Ndërkohë për arratisjen, ka një procedurë. Rreziku i arratisjes do të duhet të jetë real, dhe jo i supozuar. Balluku, edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gusht, edhe pasi iu njoftua akuza nga SPAK, ajo ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit. Përsëri është kthyer në Shqipëri në respekt të masës së sigurimit dhe në respekt të funksionit dhe procedimit penal. Ka udhëtuar në Bukuresh, në Athinë, Romë dhe në të gjithaq rastet është kthyer në Shqipëri, duke rrefkëtuar sjellje të rregullt ndaj autoriteteve. Ka dorëzuar mjetet e identifikimit. Edhe kartën e re të identitetit, që ka dalë pasi ka dalë masa, sapo është marrë në dorë nga deputetja, mbrojtja e saj e ka dorëzuar. Ju e dini që me kartën lëvizet në rajon. Pretendimi se sanksioni penal, shtimi i sanksionit, hipotetikisht që mund të çoje në arratisje, bie poshtë. Dhe ky pretendim nuk qëndron. Mbi pretendimin e përsëritjes së veprës penale, këtu s’dua të ndaloj, pasi rreziku kërkon të jetë real dhe jo hipotetik. Edhe ky pretendim nuk qëndron. Ne si maxhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha ai.

Sot vendimi për raportin e imunitetit të Ballukut, PS mbledh grupin parlamentar

Çështja e imunitetit të Belind Ballukut ka rreth tre muaj që ka ndezur politikën shqiptare, duke qenë edhe kryefjala e seancave plenare të shoqëruara me tensione.

Partia Socialiste pritet të prezantojë sot në mbledhjen e grupit parlamentar, që nis në orën 10:00, raportin e nxjerrë nga Këshilli i Mandateve në lidhje me kërkesën e SPAK, të dorëzuar më 16 dhjetor, për heqjen e imunitetit dhe më pas arrestimin e Ballukut.

Në takim pritet të mbajë një fjalim edhe kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, në seancën plenare të 12 marsit pritet që dy raportet të hidhen për votim në Kuvend, ndërsa Partia Demokratike ka paralajmëruar gjithashtu mbajtjen e një proteste në të njëjtën ditë.