Djali i Sokol Olldashit kritikon Foltoret e PD: Njerëzit nuk duan të vijnë!

Gjatë Foltores së radhës të Partisë Demokratike, të mbajtur me të rinjtë e FRPD në prani të kryetarit Sali Berisha, një nga ndërhyrjet më të forta erdhi nga Glauk Olldashi, djali i të ndjerit Sokol Olldashi.

Olldashi ngriti shqetësime serioze për gjendjen aktuale të Partisë Demokratike dhe veçanërisht për mungesën e pjesëmarrjes së qytetarëve në Foltoret e së hënës, të cilat zhvillohen para Kryeministrisë. Ai tha se problemi nuk është te qytetarët, por te mënyra se si organizohen Foltoret dhe te cilësia e folësve.

“PD ka shumë probleme sot. Do të ishte mirë t’i diskutonim pa kamera dhe media, sepse problemet e shtëpisë fliten brenda saj. Por po ndalem te një problem shumë evident: pjesëmarrja e ulët në Foltore. Njerëzit nuk duan të vijnë të hënave sepse problemi qëndron te vetë Foltorja”, u shpreh Olldashi.

Ai kritikoi hapur disa nga folësit që dalin në këto tubime, duke thënë se ata nuk e përfaqësojnë denjësisht Partinë Demokratike dhe po i dëmtojnë rëndë imazhin, veçanërisht tek të rinjtë.

“Mendimi im është që shumë nga folësit nuk janë të denjë të na përfaqësojnë. Nuk e di kush i zgjedh, por ata që dalin aty po bëjnë faj ndaj nesh, flasin kuturu, disa edhe tapë. Kjo na dëmton të gjithëve, sidomos ne të rinjve. Dëmtimi i imazhit të PD na godet më shumë ne sesa ju, doktor”, deklaroi ai.

Si zgjidhje, Olldashi propozoi një riorganizim të plotë të Foltoreve, duke sugjeruar që çdo e hënë të ketë një temë të dedikuar dhe folës profesionistë e ekspertë të fushave përkatëse.

“Çdo të hënë të bëjmë një Foltore specifike: një për arsimin, një për mjekësinë, bujqësinë, naftëtarët. Problemet në Shqipëri janë pa fund. Na duhen ekspertë, që kur njerëzit të na ndjekin të hënën, të na dëgjojnë me vëmendje dhe jo të shohin fytyra që na bëjnë të qeshim”, tha Olldashi.

Deklaratat e tij u konsideruan si një nga kritikat më të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si po organizohen aktualisht Foltoret e Partisë Demokratike.

Ndryshimet në Kodin Penal: Parkimi në dy rreshta kthehet në vepër penale, parashikohet burg

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm në Kodin Penal, duke ashpërsuar ndëshkimet për parkimin e automjeteve në dy rreshta. Mbledhja u zhvillua pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët ndodhen në terren për përgatitjet e protestës së paralajmëruar për të shtunën.

Sipas ndryshimit të miratuar, parkimi dysh, i cili deri më tani ndëshkohej me gjobë administrative, do të trajtohet si vepër penale dhe do të dënohet edhe me burg, në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe rrezikon sigurinë publike.

Relatori i ndryshimit, deputeti socialist Ervin Hoxha, argumentoi se ashpërsimi i masave ka si qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Ndëshkimi penal i parkimit në rresht të dytë synon të pengojë bllokimin e mjeteve emergjente, të parandalojë bllokimet totale të rrugëve dhe pengesat serioze për këmbësorët, si dhe të forcojë efektin parandalues të ligjit,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se ndryshimet synojnë gjithashtu krijimin e një kuadri ligjor më të qartë për policinë dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, duke mundësuar ndërhyrje më të shpejta dhe më efektive në situata emergjente.

Vendimi ka ngjallur reagime të forta, ndërsa pritet të diskutohet edhe në Kuvend në ditët në vijim.

Ndryshimet në Kodin Penal: Shpifja dekriminalizohet, rritet mbrojtja penale për gazetarët

Ndryshimet në kodin penal parashikojnë dekriminalizimi e shpifjes përfshi rritjen e mbrojtjes të sigurisë së gazetarëve gjatë punës së tyre.

Sulmi, kërcënimi apo intimidimi ndaj një gazetari do të trajtohet me të njëjtin seriozitet si ai ndaj një punonjësi shteti, duke rritur dukshëm mbrojtjen ligjore dhe sigurinë e tyre fizike.

Ervin Hoxha shtoi: “1 deri 5 vite burg kush godet gazetarët në detyrë”.

Në këtë komision u miratuan edhe disa ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Pirro Vengu ministër i mbrojtjes tha në komision se ndryshimet synojnë një sistem të ri elektronik kontrolli  dhe parandalimi e trafikut të jashtëligjshëm.

Ivanka Trump shpërndan tjetër foto nga Zvërneci: Albania is magical

Vajza e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, ka shpërndarë këtë të premte një tjetër foto në rrjetet e saj sociale nga Zvërneci. Në foton e publikuar nga Ivanka Trump shkruhet “Albania is magical”, që në shqip do të thotë “Shqipëria është magjike”.

Kjo foto vjen pas një vizite tre-ditore të Ivanka Trump në Shqipëri, gjatë së cilës ajo ka zhvilluar edhe një takim me Kryeministrin Edi Rama.

SHBA tërhiqet zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

SHBA-të janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke e lënë agjencinë e OKB-së pa një nga donatorët e saj më të mëdhenj. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që sinjalizonte tërheqjen një vit më parë, pasi e kishte kritikuar organizatën se ishte shumë “e përqendruar te Kina” gjatë pandemisë Covid. 

Si pjesë e Kombeve të Bashkuara, OBSH synon të promovojë shëndetin, ta mbajë botën të sigurt dhe t’u shërbejë të prekshmëve. Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i SHBA-së tha se mori vendimin për shkak të “keqtrajtimit” të supozuar të pandemisë nga OBSH-ja, pamundësisë për t’u reformuar dhe ndikimit politik nga shtetet anëtare. 

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga OBSH-ja dhe drejtori i saj i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se tërheqja ishte një humbje për SHBA-në dhe botën.
Organizata vuri në dukje përpjekjet e saj globale për të luftuar poliomelitin, HIV-in, vdekshmërinë amtare dhe traktatin e saj ndërkombëtar për kontrollin e duhanit.

Mashtronte qytetarët duke u prezantuar si avokate,Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq të akuzuarën

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon për gjykim, shtetasen Klotilda Kola për veprën penale ‘Mashtrimi’ e kryer më shumë se një herë dhe ‘Fshehja e të ardhurave’ parashikuar nga neni 143 pg.2 dhe 180, pg.1 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.768 të vitit 2025, regjistruar mbi bazën e kallëzimit të disa shtetasëve dhe transmetimit në mediat investigative ku paraqiteshin shqetësimet se e pandehura Klotilda Kola, duke u prezantuar si avokate, kishte arritur të merrte vlera monetare nëpërmjet mashtrimit, u evidentua se e pandehura, e cila për një periudhë të gjatë kohore është prezantuar si avokate, ka përfituar shuma monetare nga disa qytetarë, duke u premtuar zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore, administrative dhe gjyqësore, përfshirë legalizime pronash, procedura pensioni, çështje pronësie, përfaqësim në procese gjyqësore civile etj.

Nga verifikimet e kryera rezulton se këto shërbime, nuk janë realizuar, megjithëse vlerat monetare janë marrë nga e pandehura. Pagesat janë kryer në forma të ndryshme, përfshirë dorëzime në dorë, transferta financiare dhe pagesa të deklaruara si kapar apo shpenzime procedurale.

Në disa episode, viktimat janë siguruar nga e pandehura se procedurat ishin në vijim dhe se çështjet do të përfundonin brenda afateve të caktuara, ndërkohë që më pas komunikimi me të është ndërprerë dhe nuk është dhënë asnjë rezultat konkret. Në raste të tjera, rezulton se janë dhënë informacione të pavërteta mbi ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat, pas verifikimit pranë institucioneve përkatëse, nuk kanë rezultuar të jenë bërë prej saj. Të mashtruar nga e pandehura në këtë procedim janë evidentuar 8 shtetas kryesisht qytetarë të Lushnjes dhe Fierit.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se e pandehura ka kryer veprime në dukje të një përfaqësimi ligjor në një kohë kur nuk kishte status aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit, si dhe ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar ato pranë organeve tatimore. Nga të dhënat e administruara, rezulton se për disa vite ajo ka ushtruar aktivitet ekonomik faktik, ndërkohë që figuronte me status pasiv në regjistrat tatimorë, duke mos deklaruar të ardhurat e përfituara dhe duke shmangur detyrimet përkatëse tatimore.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të subjekteve të dëmtuar.

Pezullimi i Ballukut, përplasja SPAK–Kushtetuese: Kush ka të drejtë ?!

Screenshot

Seanca në Gjykatën Kushtetuese mbi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku ka hapur një nga debatet më të forta kushtetuese të viteve të fundit: a mundet drejtësia penale të nxjerrë nga funksioni një anëtar të qeverisë pa një vendim të institucioneve politike të parashikuara nga Kushtetuta?

Në qendër të kësaj përplasjeje qëndrojnë dy interpretime diametralisht të kundërta të ligjit: ai i SPAK, i përfaqësuar nga prokurori Dritan Prençi, dhe ai i Kryeministrit, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të ndalur efektet e vendimeve të GJKKO.

SPAK argumenton se në rastin e Ballukut nuk ekziston konflikt kompetencash. Sipas prokurorit Prençi, pezullimi nga detyra është një masë sigurimi personale që prek vetëm individin dhe jo Këshillin e Ministrave si organ. Ndjekja penale dhe vendosja e masave të sigurimit, sipas SPAK, janë kompetencë ekskluzive e Prokurorisë së Posaçme dhe e GJKKO, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk mund të shndërrohet në një instancë ankimi për vendime gjyqësore penale.

Në thelb, SPAK e trajton këtë çështje si një procedim penal të zakonshëm, ku statusi politik i personit nuk mund ta mbrojë atë nga masat e parashikuara nga ligji.

Nga ana tjetër, kërkesa e Kryeministrit dhe analiza e Gjykatës Kushtetuese mbështeten në një parim themelor të rendit kushtetues: ndarjen e pushteteve dhe mënyrën si formohet e ndryshon përbërja e qeverisë. Qeveria është një organ kolegjial që merr legjitimitetin nga Kuvendi dhe ministrat emërohen e shkarkohen vetëm nga Presidenti me propozim të Kryeministrit. Asnjë organ tjetër nuk ka kompetencë të ndryshojë përbërjen e Këshillit të Ministrave.

Për këtë arsye, kur një gjykatë pezullon një ministër, ajo nuk po merr thjesht një masë ndaj një individi, por po ndërhyn drejtpërdrejt në funksionimin dhe përbërjen e pushtetit ekzekutiv. Ky është thelbi i konfliktit të kompetencave.

Pretendimi i SPAK se “masa prek vetëm individin” nuk qëndron në të drejtën kushtetuese. Një ministër nuk është një funksionar i zakonshëm administrativ, por pjesë e një organi politik kushtetues. Largimi i tij nga detyra, edhe i përkohshëm, ndryshon balancën dhe funksionimin e qeverisë, njësoj siç do të ndodhte nëse një gjykatë do të pezullonte një deputet nga ushtrimi i mandatit.

Rreziku institucional i kësaj qasjeje është i madh. Nëse pranohet logjika e SPAK, prokuroria dhe gjykatat do të kishin fuqinë të nxirrnin nga funksioni ministra dhe të ndikonin drejtpërdrejt në jetën politike të vendit, pa asnjë votë të Kuvendit dhe pa asnjë akt të Kryeministrit. Një pushtet jo i zgjedhur do të kishte kështu në dorë stabilitetin e qeverisë, duke përmbysur arkitekturën e demokracisë parlamentare.

Gjykata Kushtetuese nuk po gjykon nëse Belinda Balluku është apo jo penalisht përgjegjëse. Ajo po gjykon një çështje shumë më themelore: a mundet drejtësia penale të ndryshojë përbërjen e qeverisë.

Në këtë përplasje, juridikisht, argumenti i Kushtetutës është më i fortë se ai i SPAK. Hetimi penal duhet të vazhdojë, por pezullimi i një ministri nga gjykata përbën shkelje të ndarjes së pushteteve dhe një konflikt të qartë kompetencash. Shteti ligjor nuk mbrohet duke lejuar që drejtësia të rrëzojë qeverinë, por duke garantuar që secili pushtet të veprojë brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta

© NeoAlb

Kuvendi miraton aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes” së Presidentit Trump

Screenshot

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar aderimin e Shqipërisë si anëtare në Bordin e Paqes, të themeluar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Shumica e deputetëve votuan pro, përfshi këtu edhe opozitën, e cila më parë ka shprehur mbështetjen për idenë e Trump, edhe pse me kritika për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama.

Whatsapp Image 2026 01 22 At 15.43.15

Projektligji u miratua me 110 vota pro, dhe asnjë kundër.