Rritje rekord e importeve të bulmetit

Për çdo 1 lek të fituar nga eksporti, shpenzohen mbi 12 lekë për import

Importet e grupit “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” kanë shënuar një rritje të fortë dhe të qëndrueshme gjatë dy dekadave të fundit, si në peshë ashtu edhe në vlerë. Të dhënat për periudhën 2005–2025 tregojnë një prirje që nuk mund të shpjegohet vetëm me rritjen e konsumit apo përmirësimin e standardeve, por lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e prodhimit vendas të qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Sipas analizave të mëparshme të Scan Intel, në vitin 2024 në Shqipëri u grumbulluan rreth 95 mijë tonë qumësht, një sasi 6.6% më e ulët krahasuar me një vit më parë – sinjal i qartë i tkurrjes së bazës prodhuese vendase.

Importet janë trefishuar në peshë dhe mbi gjashtëfishuar në vlerë

  • Në vitin 2005, importet e bulmetit ishin rreth 10.8 mijë tonë
  • Në vitin 2025, ato arrijnë 36.8 mijë tonë
    ➡️ Mbi 3.3 herë rritje në 20 vite

Në aspektin e vlerës:

  • Nga 1.25 miliardë lekë në 2005
  • Në 7.74 miliardë lekë në 2025
    ➡️ Mbi 6 herë rritje

Vetëm krahasuar me vitin 2024, importet e bulmetit janë rritur me rreth 14% në vlerë.

Eksportet mbulojnë vetëm 8% të importeve

Në vitin 2025:

  • Eksportet e produkteve bulmetore, vezëve dhe mjaltit: 629 milionë lekë
  • Importet: 7.7 miliardë lekë

Kjo do të thotë se eksportet mbulojnë vetëm rreth 8% të importeve.

Me fjalë të tjera, për çdo 1 lek të fituar nga eksporti, Shqipëria shpenzon mbi 12 lekë për import.

Si rezultat, krijohet një deficit tregtar rreth 7.1 miliardë lekë vetëm për këtë grup produktesh – një barrë e rëndë për bilancin tregtar dhe për sektorin bujqësor vendas.

Nga cilat vende furnizohet Shqipëria?

Importet e produkteve bulmetore janë të përqendruara kryesisht në disa vende europiane:

  • 🇮🇹 Italia – 33.4% (furnizuesi kryesor)
  • 🇩🇪 Gjermania – 12.2%
  • 🇬🇷 Greqia – 9.3%

Këto tre vende së bashku mbulojnë më shumë se gjysmën e importeve totale.

Ndër furnizuesit e tjerë kryesorë janë:

  • 🇷🇸 Serbia – 8.8%
  • 🇳🇱 Holanda – 4.6%
  • 🇭🇺 Hungaria – 4.0%

Përfundim

Rritja e shpejtë e importeve të bulmetit, ndërkohë që prodhimi vendas po tkurret, po e bën Shqipërinë gjithnjë e më të varur nga tregjet e huaja. Pa politika mbështetëse për blegtorinë dhe përpunimin vendas, deficiti tregtar në këtë sektor pritet të thellohet edhe më tej.

What*App është nën mbik*qyrje të rreptë nga BE-ja

WhatsApp i Metës do të përballet me mbikëqyrje më të rreptë nga Brukseli, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur ta klasifikojë shërbimin si një platformë të madhe online. Ky vendim do të thotë se aplikacioni popullor do të jetë përgjegjës për menaxhimin e rreziqeve sistemike për përdoruesit e tij sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së.

Vendimi i BE-së, i shpallur të hënën, i klasifikon Kanalet WhatsApp si një platformë të madhe online, duke i lejuar asaj të konkurrojë me platforma të mëdha si Facebook, Instagram, X dhe TikTok. Kjo do të thotë që WhatsApp tani do të mbahet përgjegjës për mënyrën se si menaxhon rreziqet sistemike që mund të ndikojnë te përdoruesit e tij, duke përfshirë rreziqe të tilla si përhapja e përmbajtjes së paligjshme dhe kërcënimet ndaj debatit publik, zgjedhjeve dhe të drejtave themelore.

Vendimi vjen në një kohë kur vende si Franca po diskutojnë në mënyrë aktive kufizimet në platformat e mediave sociale për fëmijët. Megjithatë, vendimi përqendrohet posaçërisht në Kanalet WhatsApp, një shërbim ku administratorët mund të transmetojnë njoftime për grupe përdoruesish përmes një burimi, duke e bërë atë të ndryshëm nga funksioni tradicional i mesazheve të aplikacionit. Shërbimi i mesazheve private i WhatsApp është i përjashtuar nga kjo rregullore.

Meta ishte informuar tashmë për vendimin e afërt që nga gushti, kur raportoi se Kanalet WhatsApp kishin rreth 51.7 milion përdorues në BE, duke tejkaluar pragun e 45 milion përdoruesve që përcakton kategorinë “Platformë Shumë e Madhe Online” të BE-së.

Kjo do të thotë që Meta ka katër muaj për të vlerësuar dhe zbutur rreziqet sistemike në platformën e saj, duke zbatuar taktika që përputhen me kërkesat rregullatore të BE-së. Presioni rregullator mbi platformën po rritet ndërsa BE është e vendosur të sigurojë që rrjetet e mëdha online t’u përmbahen rregullave të rrepta për të mbrojtur përdoruesit.

Zëdhënësi i WhatsApp, Joshua Breckman, tha në një deklaratë:

“Kanalet e WhatsApp vazhdojnë të rriten në Evropë dhe globalisht. Ndërsa ky zgjerim vazhdon, ne mbetemi të përkushtuar për të zhvilluar masat tona të sigurisë dhe integritetit në rajon, duke u siguruar që ato të përputhen me pritjet përkatëse rregullatore dhe përgjegjësinë tonë të vazhdueshme ndaj përdoruesve”.

Ankimi i qeverisë për Ballukun, Gjykata Kushtetuese mblidhet sot për vendim

Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet këtë të martë për të marrë vendim lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.

Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend.

Kamioni bie në humnerë, 2 persona humb*n j*ten dhe një në gjendje kr*tike

Një akident i rëndë është shënuar në aksin Kabash–Porocan, pranë fshatit Bardhan, në bashkinë Gramsh.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip kamion ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një zonë të thepisur. Në mjet ndodheshin tre persona, pjesë e shërbimit publik në zonat rurale.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dy persona dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është transportuar për ndihmë mjekësore në gjendje të rëndë.

Shërbimet e emergjencës dhe policia ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave

Rama ne konference me Netanyahun: Bashkëpunim në siguri, mbrojtje dhe ekonomi

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pas takimit mes dy delegacioneve.

Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Izraelit, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve po vijojnë të forcohen.

Ai u shpreh gjithashtu se Shqipëria mbështet përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në rajon, përfshirë nismat që synojnë zgjidhje afatgjata për situatën në Gaza.

Rama bëri të ditur se po punohet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe industrial, përfshirë edhe projekte në fushën e prodhimit të mbrojtjes, që sipas tij mund të kontribuojnë në rritjen e prodhimit “Made in Albania” edhe jashtë vendit.

Në fund, Kryeministri theksoi rëndësinë e turizmit dhe shkëmbimeve mes njerëzve, duke ftuar qytetarët izraelitë të vizitojnë Shqipërinë, të cilën e përshkroi si një vend mikpritës dhe të sigurt.

Vr*s*a e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos, hetimet marrin drejtim të ri

Hetimet për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun e Koridhalos në Greqi po vijojnë, ndërsa autoritetet greke kanë hapur një pistë të re hetimore lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Sipas burimeve policore, në kuadër të verifikimeve po merret në shqyrtim edhe 44-vjeçari Xhuliano Halili, i cili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe rezulton i plagosur pas ngjarjes. Ai ishte i sistemuar në qeli pranë Aliajt, fakt që e ka futur në rrethin e personave që po hetohen.

Fillimisht, përgjegjësinë për vrasjen e mori një i burgosur grek, Kristos Vardhuniotis (27 vjeç), i cili u paraqit vetë në polici dhe deklaroi se ishte autor i krimit. Megjithatë, nga verifikimet e para është konstatuar se në vendngjarje nuk janë gjetur shenja përleshjeje, çka ka bërë që autoritetet të shqyrtojnë edhe skenarë të tjerë.

Burime nga ambientet e burgut kanë bërë me dije se po analizohen disa versione alternative, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për autorësinë reale të ngjarjes.

Pista e së shkuarës së viktimës

Jani Aliaj ka qenë prej vitesh në vëmendjen e autoriteteve greke për lidhje të mundshme me rrethe kriminale, veçanërisht në konfliktet mes grupeve që veprojnë në jetën e natës në Greqi. Këto dyshime nuk janë provuar zyrtarisht, por po merren në konsideratë në kuadër të hetimit.

Profil i personit të verifikuar

Xhuliano Halili është i dënuar në Greqi me burgim të përjetshëm për ngjarje të rënda të ndodhura në të kaluarën. Ai është përfshirë në disa dosje penale, përfshirë edhe incidente të ndodhura brenda burgut të Koridhalos, çka e bën një person me profil të lartë rrezikshmërie për autoritetet.

Policia greke bën me dije se:

“Hetimet janë në vijim dhe çdo pistë po verifikohet.”

Zhvillime të tjera priten në orët dhe ditët në vijim.

Era e fortë shkakton probleme në qarkullim në rrugën Vlorë–Zvërnec

Era e fortë që ka përfshirë zonën e Vlorës ka shkaktuar rënie pemësh në segmentin rrugor Vlorë–Zvërnec, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Si pasojë, lëvizja në këtë aks është bërë e kufizuar përkohësisht. Në terren kanë mbërritur shërbimet përkatëse për largimin e pengesave dhe normalizimin e qarkullimit.

Ligji “Made in Albania” këtë vit, fokus te eksportet dhe mbrojtja e produkteve shqiptare

Screenshot

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se brenda këtij viti do të miratohet ligji i ri për produktet “Made in Albania”, i cili synon të promovojë prodhimin vendas dhe të rrisë eksportet e produkteve shqiptare.

Sipas Ibrahimajt, ligji do të krijojë një kuadër të ri për ndërtimin dhe mbrojtjen e markës “Made in Albania”, si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Ky ligj synon promovimin e produkteve vendase brenda dhe jashtë vendit, ndërtimin dhe mbrojtjen e brandit ‘Made in Albania’ dhe nxitjen e eksporteve të produktit shqiptar,” u shpreh ministrja.

Bizneset shqiptare do të mbështeten gjithashtu përmes Bankës së Zhvillimit, e cila do të ofrojë instrumente financiare për investime, certifikim produktesh, teknologji dhe digjitalizim, me fokus të veçantë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në lidhje me sektorin fason, që prej vitesh ndodhet në vështirësi, Ibrahimaj theksoi se kjo industri ka nevojë për reformim të thellë, duke përfshirë modernizimin e makinerive, automatizimin dhe kalimin drejt prodhimit me cikël të mbyllur.

“Ky sektor duhet të kalojë nga thjesht përpunimi në prodhim të plotë, dhe ne jemi të gatshëm ta mbështesim në këtë drejtim,” tha ajo.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2025 është mbyllur me bilanc negativ në tregtinë e jashtme. Eksportet arritën në 3.4 miliardë euro, me rënie 6.1% krahasuar me vitin 2024, kur shënuan 3.6 miliardë euro.