Shqipëria, e para në Evropë për flukset turistike

Edhe në tremujorin e parë të 2025, Shqipëria është renditur e para në Evropë për sa i përket mbërritjeve ndërkombëtare të turistëve.

Sipas të dhënave nga raporti i Kombeve të Bashkuara, i cili u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota, vendi ynë kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike.

Në krahasim me periudhën para-pandemike, pra me vitin 2019, Shqipëria ka pasur një rritje me 136% të mbërritjeve ndërkombëtare të turistëve, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama dhe Minstrja e Turizimit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro janë shprehur se ky është një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së Komisionit për Evropën si pjesë e Deklaratës së Bakusë dhe Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon.

Vendi ynë radhitet në 10 destinacionet turistike që po performojnë më mirë edhe në 2025. Në listën e publikuar nga UN Tourism, pas Shqipërisë renditen Republika e Moldavisë me një rritje prej 76% të flukseve turistike në krahasim me 2019, Malta, Norvegjia, Serbia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, San Marino. Shqipëria ka lënë pas edhe vendi si Greqia apo Portugalia, të cilat kanë qenë prej vitesh polet turistike të Evropës.

Hyn në fuqi vendimi për policët vullnetarë, formularët e aplikimit, kriteret, uniforma dhe logo

Qeveria i hap rrugë nismës së konceptuar si një bashkëpunim qytetar për sigurinë publike dhe angazhon vullnetarë të trajnuar për të kryer detyra ndihmëse në ngjarje me pjesëmarrje masive, pranë shkollave, në akse të ngarkuara rrugore, apo në raste emergjencash civile e natyrore etj.

Policët vullnetarë do të angazhohen në ruajtjen e rendit në tubime dhe aktivitete masive (koncerte, ndeshje sportive, festa lokale), ndihmën në menaxhimin e trafikut pranë shkollave dhe qendrave urbane, mbikëqyrjen e sigurisë pranë institucioneve arsimore, duke parandaluar sjelljet e rrezikshme dhe ndërhyrjet e paautorizuara, parandalimin e krimit dhe informimin e policisë në zonat me risk të lartë, sidomos në fundjavë dhe gjatë natës, mbrojtjen e mjedisit dhe patrullimin në zonat e mbrojtura, bashkë me efektivët e policisë, mbështetjen e Policisë Kufitare në informimin e qytetarëve dhe menaxhimin e flukseve migratore, menaxhimin e situatave të emergjencave civile dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit, duke kontribuar në organizimin e ndihmave, ruajtjen e rendit dhe ofrimin e ndihmës së parë.

Çdo polic vullnetar kryen shërbimin nën mbikëqyrjen e një efektivi të Policisë së Shtetit, të caktuar nga drejtuesi i strukturës përkatëse. Pjesëmarrja në këtë shërbim është e papajtueshme me pozicione publike me konflikt interesi, si gjyqtarë, prokurorë apo punonjës të tjerë të institucioneve të sigurisë kombëtare.

Kush mund të aplikojë?

Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar përfshijnë:


-Të jetë shtetas shqiptar;-Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
-Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil me masë disiplinore;
-Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
-Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
-Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

Kriteret e veçanta përfshijnë përfundimin e trajnimit të detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë, si dhe të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

Kohëzgjatja ditore e vullnetarizmit nuk tejkalon 5 orë në ditë dhe 25 orë në javë.

Të drejtat dhe detyrimet e policit vullnetar

Vendimi përcakton se polici vullnetar gëzon disa të drejta nga pajisja me uniformë, pajisje ndihmëse dhe dokument identifikimi, trajnimet falas në Akademinë e Sigurisë dhe të kërkojë vlerësime zyrtare për kontributin e dhënë deri te arimbursimet për shpenzime gjatë shërbimeve jashtë banesës;

Polici vulllnetar ka të drejtë të njihet publikisht për kontributin përmes vlerësimeve apo medaljeve.

Nga ana tjetër detyrimet përfshijnë ndjekjen e trajnimeve të detyrueshme dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimit; të respektojë etikën, të ruajë konfidencialitetin dhe të mos jetë i armatosur; të veprojë në përputhje me urdhrat e mbikëqyrësit, përveç rasteve të paligjshmërisë apo rrezikut personal; të raportojë për urdhra që mund të rrezikojnë jetën ose shëndetin; të jetë përgjegjës për çdo dëm të shkaktuar përmes veprimeve të tij të paligjshme etj.

Bie prodhimi i energjisë në vend

Rreth 2.9 mln mWh energji u prodhuan gjatë 4 – mujorit të parë të këtij viti nga të gjithë burimet gjeneruese në vend, duke shënuar një rënie në raport me një vit më parë, ku për të njëjtën periudhë u gjenerua rreth 3.1 mln mWh energji. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi u dominua nga privatë me 53% të energjisë totale, teksa Kaskada e Drinit gjeneroi 47%.

Te prodhuesit privatë, përveç hidrocentraleve përfshihen edhe centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike.

Sipas të dhënave nga ERE, në total impiantet në treg të lirë, ata që kanë kontratë me Furnizuesin e Tregut të Lirë si dhe Centrali i Karavastasë prodhuan 194,458 mWh apo 6.6% të totalit të energjisë elektrike të gjeneruar në vend. Gjatë kësaj periudhe raportohet se edhe TEC-et lundrues, të vendosur në Triport të Vlorës kanë prodhuar rreth 41 mijë mWh.

Ndërkaq, konsumi total i energjisë për 4 – mujorin arriti në rreth 2.9 mln mWh energji, duke pësuar një rritje të lehtë në raport me periudhën janar- prill të vitit të kaluar.

Ndërkaq, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 4 – mujorin u regjistrua në 17%, duke shënuar një përmirësim në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 18.5%.

Sa i takon nivelit të arkëtimeve për periudhën janar – prill, ky tregues arriti në në 96% të faturave të gjeneruara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.  

-SCAN-

“Bread & Heart Festival”/ Mbi 150 arkitektë nga e gjithë bota mblidhen në Tiranë

Kryeministri Edi Rama është sot i pranishëm në “Bread & Heart Festival”, një ngjarje e re europiane, që bashkon në Tiranë mbi 150 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët e tyre lokalë dhe të ftuarit e tyre, që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës, për të ndarë eksperiencat, diskutuar sfidat e zhvillimit urban e social të ditëve të sotme, si edhe kontribuuar për formulimin e politikave dhe masave në funksion të transformimit të madh të vendit tonë, si Europa e Ballkanit

Rama, në një paralelizëm me Kurban Bajramin që kremtohet sot nga besimtarët mysklimanë, u shpreh se ky festival është një Bajram i shpirtit, një akt i hedhjes së hapave para jo për të dominuar tokën por për ta dëgjuar. 

“Sot ndodh të jetë Kurban Bajrami një ditë e shenjtë, festë kombëtare. Ditë e rrënjosur në një histori që u përket të gjitha besimeve. Histori që udhëton në kohë, besime e gjeografi e mbërrin në një vlerë të patjetërsueshme. Ibrahimit i vjen një vizion, për të sakrifikuar të birin, që babai ia thotë të birit , i cili i shprehet se duhet të bënte gjithçka që i ishte urdhëruar.
Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më të mëdhenj të botës me para dhe shkëlqime, por me besimin në realitetin e një ëndrre. Diçka plot jetë, e papërsëritshme, ende e lire në mënyrë të pabesueshme nga komforti i rregulloreve që nuk mbysim. Ky festival është një Bajram i shpirtit, një akt i hedhjes së hapave para jo për të dominuar tokën por për ta dëgjuar”, tha ai.

https://www.facebook.com/share/v/194BoQsgeZ/?mibextid=wwXIfr

Shqiptarët e Kosovës drejt bregdetit të Shqipërisë krijohen radhe makinash ne rrugen e Kombit

Me rritjen e temperaturave te motit janë rritur dhe shumë njerëz zgjedhin të bëjnë plazh.

Mesohet se në Rrugën e Kombit ka trafik të dendur.

Trafiku po ndodh, për shkak se shumë qytetarë të Kosovës kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në bregdetin e Shqipërisë.

Siç shikohet edhe ne foto, radha është kilometrike dhe makinat ecin me ngadalë.

Tre shqiptarë pas nje gr*bitje ,përplasën me automjetin e një polici. Humbin jetën ne aksident

Një aksident tragjik ka ndodhur në qytetin e Malagas, ku një nën-inspektor i Policisë Kombëtare Spanjolle, 48 vjeç, dhe tre persona të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale shqiptare, humbën jetën pas një përplasjeje “kokë më kokë” mes dy automjeteve.

Ngjarja nisi pas një përpjekjeje për grabitje në një farmaci në rrugën Lope de Rueda, në lagjen Puerto de la Torre. Tre grabitësit, të cilët besohet të jenë anëtarë të një bande të njohur shqiptare, tentuan të grabisin farmacinë, por dështuan dhe u larguan me shpejtësi në një automjet të fuqishëm. Policia Kombëtare dhe ajo vendore u vu menjëherë në ndjekje të tyre.

Sipas raportimeve nga agjencia EFE, gjatë arratisjes, grabitësit morën një kthesë të gabuar duke hyrë në drejtim të kundërt në autostradën A-7 drejt Torremolinos. Pikërisht aty ndodhi përplasja fatale me makinën e nën-inspektorit 48-vjeçar, i cili nuk po merrte pjesë në operacion, por po kthehej në shtëpi pas një turni nate.

Përplasja e fuqishme çoi në shpërthimin në flakë të të dy automjeteve. Sipas autoriteteve të Këshillit të Qytetit të Malagës, zjarrfikësit nga stacionet Churriana, Carretera de Cádiz dhe Martiricos mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të nxjerrë trupat nga mjetet e djegura. Tre personat në makinën e grabitësve u gjetën të pajetë, ndërsa oficerët e Policisë Lokale nxorën nga makina nën-inspektorin, por fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Në vendngjarje ndërhynë edhe Garda Civile, Policia Kombëtare dhe shërbimet emergjente 061. Hetimet për aksidentin po drejtohen nga Departamenti i Trafikut i Gardës Civile.

Nën-inspektori i ndjerë ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte mbi 20 vite në shërbim. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe autoritetet lokale kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij.

Rriten vizitorët në Parqet Kombëtare, kryeson Karavastaja, pas saj Alpet e Shqipërisë

Mbi gjysmë milionë turistë të huaj vizituan zonat e mbrojtura në vend në 3-mujorin e parë të vitit. 

Të dhënat zyrtare të përpunuara tashmë edhe me muajin mars dhe të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë për një interes të shtuar për turizmin natyror.

“Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, tregojnë se gjatë muajit Mars 2025 zonat e mbrojtura janë vizituar nga 198,923 vizitorë vendas dhe të huaj. 

Në tre muajt e parë të vitit, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 556,792 vendas dhe të huaj, me një rritje prej 6% më shumë se tremujori i parë i vitit 2024. 

Qarku me numrin më të madh të vizitorëve është Qarku Korçës, e cila zë gati 33.6% të gjithë totalit të vizitorëve. Rritjen më të madhe e ka pasur Qarku i Gjirokastrës e cila ka një rritje 3 shifrore” thuhet në raportin e Ministrisë.

E parë në kategorinë e asaj që kanë vizituar turistët të dhënat zyrtare tregojnë se Kategoria e Parqeve Natyrore ka 13 zona të cilat janë vizituar nga 63,641 vizitorë, prej tyre 72,4% janë vizitorë vendas.

“Numri më i madh i vizitorëve për këtë kategori është në Parkun Kombëtar të Divjakës-Karavasta, numri i vizitorëve në këtë Park zë 29% të totalit që vizitoi Parqet kombëtare në Mars 2025, dhe e dyta për nga vizitueshmëria këtë muajit është Alpet e Shqipërisë nga pjesa e Shkodrës (23.5% )” thuhet në publikim.

Ndërkohë në kategorinë Monumentet e Natyrës, janë të shpallura 33 zona, por gjatë muajit Mars ka pasur vizitorë vetëm në 24 prej tyre. Këto zona janë vizituar prej 28,163 vizitorë, ku nga këta 87 % janë vizitorë vendas. Vizitorët me numrin më të madh janë në Monumentin e Natyrës Sarisalltik të Krujës (23.1% e vizitorëve), e cila ndiqet nga Ujërat Termale të Bënjës (21%).

Në kategorinë Rezervatet Natyrorë të Menaxhuar dhe Parqet Natyror Monumentet e Natyrës janë të përfshira 26 zona, por vetëm në 21 prej tyre ka pasur vizitorë për muajin Mars 2025. 

Numri i vizitorëve për këtë kategori është 31,008, ku 78 % janë vizitorë shqiptar. Numrin më të madh të vizitorëve e ka Qafështama (35%) e ndjekur nga Liqeni i Shkodrës (20%)./Monitor

Makina përplas 75-vjeçarin në vijat e bardha ne “Lungomare”, perfundon në spital

Një aksident i rëndë ka ndodhur disa minuta më parë në zonën e Lungo Mares. Një automjet tip “Benz” ka përplasur një këmbësor, një burrë rreth 75 vjeç, ndërsa ky i fundit po kalonte në vijat e bardha.

Sipas informacioneve paraprake, i moshuari ka pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton rrethanat e aksidentit. Ende nuk dihen shkaqet e sakta të ngjarjes, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar për të dhënë deklaratën.