Shqipëria, përsëri në listën gri për pastrimin e parave – FATF: Problem...

Shqipëria, përsëri në listën gri për pastrimin e parave – FATF: Problem Amnistia Fiskale

85
SHPËRNDAJE

Edhe viti 2023 e gjeti Shqipërinë përsëri në listën gri të për pastrim parash të FATF dhe MONEYVAL. Në vendimarrjen pas mbledhjes plenare të zhvilluar në datat 22-24 shkurt, Task Forca për Veprimin Financiar, e njohur si FATF ka konkluduar se vendi ynë ka përmbushur detyrimet ligjore, ashtu si dhe ka shtuar rastet e procedimeve për pastrim parash, por është Amnistia Fiskale ajo që përbën shqetësim të fortë për të ardhmen. Për këtë shkak Shqipëria gjendet përsëri në Listën Gri të juridiksioneve me rrezik të lartë për pastrim parash ku përfshihen vende si Burkina Faso, Ishujt Kajman, Kongo, Gjibraltari, Haiti, Xhamaika, Mozambiku, Nigeria, Panamaja, Filipinet, Senegali, Siria, Tanzania, Uganda, Jemeni apo Turqia.

Që në shkurt të vitit 2020, thekson Task Forca në raportin përmbledhës, kur Shqipëria ndërmori një angazhim të nivelit të lartë politik për të punuar me FATF dhe MONEYVAL për të forcuar regjimin dhe efektshmërinë kundër rrezikut të pastrimit të parave, vendi ka hedhur hapa drejt përmirësimit të këtij regjimi, përfshi këtu edhe demonstrimin e një rritje domethënëse të numrit të rasteve të proceduara për pastrim parash, veccanërisht atyre me prejardhje nga krime të kryera jashtë, dhe paratë janë pastruar në Shqipëri.

Gjithësesi, Task Forca nuk ka caktuar ende një vizitë në vend për të verifikuar implementimin e reformave të Shqipërisë në kuadrin e luftës kundër pastrimit të parave. Kjo, theksohet në dokument, pasi FATF ka shqetësime mbi planet e Shqipërisë për të zbatuar një program vetëdeklarimi të ardhurash, i cili nuk përputhet me parimet e Task Forcës për menaxhimin e rrezikut të pastrimit të parave apo praktikat më të mira në këtë fushë.

Shqipëria, thekson më tej FATF, duhet të sigurojë që çdo amnisti e përfshirë në ligjin për vetëdeklarimin e të ardhurave mos krijojë mundësi që individë apo subjekte të legalizojnë apo të atdhesojnë asete me origjinë të paligjshme.

“Shqipëria duhet të rishikojë draftin e Amnistisë dhe të punojë me Moneyval për të siguruar që çdo ligj për vetëdeklarimin e të ardhurave të ketë mekanizmat e duhur mbrojtës për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm me këtë program për ta përdorur për pastrim parash. “Alternativa tjetër është që ajo të marrë në konsideratë braktisjen tërësisht të këtij programi”.SCAN

S'KA KOMENTE