SHBA planifikon qendër karantine për Ebola në Kenia, epidemia vijon të përhapet në Afrikë

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë hapjen e një qendre karantine në Kenia për rastet e dyshuara ose të konfirmuara me Ebola, kryesisht për qytetarët amerikanë që largohen nga Republika Demokratike e Kongos, ndërsa epidemia vijon të përhapet.

Sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, qendra është ende në pritje të miratimit nga autoritetet keniane. Objektivi i saj do të jetë izolimi dhe monitorimi i personave të ekspozuar ndaj virusit, pa qenë nevoja që ata të transportohen menjëherë drejt SHBA-së.

Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë shtuar masat e kontrollit për udhëtarët që vijnë nga Republika Demokratike e Kongos, Uganda dhe Sudani i Jugut, duke i ridrejtuar ata për kontrolle shëndetësore në Aeroportin Ndërkombëtar “Dulles” në Washington.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë regjistruar mbi 900 raste të dyshuara me Ebola dhe rreth 220 viktima të dyshuara. Ekspertët paralajmërojnë se shifrat reale mund të jenë më të larta për shkak të vështirësive në terren dhe mungesës së aksesit në zonat e prekura.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se konfliktet e armatosura në lindje të Kongos po pengojnë rëndë përpjekjet për kontrollin e epidemisë.

Sipas OBSH-së, për variantin Bundibugyo të virusit Ebola ende nuk ekziston një vaksinë apo trajtim i miratuar. Situata humanitare po rëndohet më tej nga zhvendosjet masive të popullsisë dhe sulmet ndaj institucioneve shëndetësore.

Tedros bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në zonat e konfliktit, në mënyrë që ekipet mjekësore të kenë akses të sigurt dhe të vijojnë gjurmimin e rasteve dhe trajtimin e të infektuarve.