Rama inspekton zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës: Hapen dy korsitë e reja deri te mbikalimi i Rinasit

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtorin e ARRSH-së, Ami Kozeli, inspektuan këtë të martë përfundimin e punimeve në dy fazat e para të zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës, në segmentin nga kthesa e Kamzës deri te mbikalimi i Rinasit.

Gjatë inspektimit, ministri Karakaçi bëri të ditur se në këtë aks janë shtuar dy korsi të reja, ndërsa theksoi se teknologjia e përdorur për realizimin e projektit aplikohet për herë të parë në vend.

Sipas tij, projekti përfshin rreth 7 kilometra rrugë të kontraktuara, ku tashmë kanë përfunduar punimet deri te dalja për në Rinas. Ai sqaroi se dy fazat e para janë mbyllur, ndërsa puna vijon në fazën e tretë, nga mbikalimi i Rinasit deri te ai i Laknasit.

Karakaçi paralajmëroi gjithashtu ndërhyrje të tjera në vijim për përmirësimin e mëtejshëm të autostradës.

Nga ana e tij, kryeministri Rama ndau pamje nga inspektimi dhe njoftoi se segmenti i zgjeruar deri te mbikalimi i Rinasit hapet plotësisht për qarkullimin.

Ai shtoi se në vijim pritet nisja e punimeve për zgjerimin drejt Durrësit, si dhe avancimi i projekteve në segmentet e Korridorit Blu, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier. Po ashtu, në javët e ardhshme pritet të shpallet fituesi i garës për segmentin Milot-Balldren.