Policia “blindon” shkollat, kontrolle blic dhe agjentë kriminalë pranë institucioneve arsimore

Policia e Shtetit ka urdhëruar masa të forta sigurie në shkolla për të parandaluar shpërndarjen e drogës dhe futjen e armëve të ftohta në ambientet arsimore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka dërguar një telegram drejtorive vendore dhe komisariateve në të gjithë vendin, ku kërkon angazhim të menjëhershëm për rritjen e kontrolleve dhe monitorimin e zonave pranë shkollave.

Sipas urdhrit, pranë institucioneve arsimore do të vendosen agjentë të policisë kriminale, të cilët do të mbikëqyrin situatën dhe do të identifikojnë persona të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Po ashtu, do të zhvillohen kontrolle të befasishme nga strukturat e narkotikëve, forcat operacionale dhe komisariatet për kapjen në flagrancë të personave që tentojnë të futen në shkolla me sende të ndaluara apo drogë.

Ky reagim vjen pas disa incidenteve të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës apo persona të tjerë kanë hyrë në shkolla me armë të ftohta dhe sende të paligjshme, duke rrezikuar sigurinë e nxënësve dhe procesin mësimor.

Ndërkohë, strukturat e Hetimit Ekonomik dhe Financiar janë urdhëruar të monitorojnë bizneset pranë shkollave për të mos lejuar shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit nën 18 vjeç.