Patenta tashmë 850 mijë lekë

Patenta tashmë 850 mijë lekë

523
SHPËRNDAJE

Pas 25 vitesh pritet të ndryshojnë tarifat për njohuritë teorike dhe praktike të marrjes së patentës. Nga muaji mars tarifat e kursantëve për përfitimin e lejes së drejtimit të kategorive A,B,C dhe D do të jenë 2 deri 4 herë më të shtrenjta se aktualet.

Grupet e interesit duke përfshirë Shoqatën Kombëtare të Autoshkollave, Shoqatën e Autoshkollave “Siguria në Rrugë” Drejtorinë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor nëpërmjet një draft aktmarrëveshje deklarojnë se bien dakord që tarifat e reja që variojnë sipas kategorive të lejeve të drejtimit, të përcaktohen nga 30,000 lekë deri në 125,000 lekë.

Në draftin e aktmarrëveshjes theksohet se Objekti i kësaj Marrëveshje është dakordësimi ndërmjet subjekteve që organizojnë autoshkollat (grupet e interesit), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti për kategoritë: AM, A1, A2, A, B1, B, BE, C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E, DE, për rimarrjen e leje drejtimit pas humbjes totale të pikëve ose për heqje të saj si dhe për dëshmitë dhe certifikatat të aftësimit profesional.

Bashkëpunimi midis palëve është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm pasi ndihmon në luftën ndaj konkurrencës së pandershme, rregullimin e tregut të autoshkollave, kontribuuesit në kuadër të çështjes me rëndësi të madhe publike mbi Sigurinë Rrugore me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimit të sigurisë në rrugë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në një proces zinxhir duke filluar nga përdoruesit e rrugës dhe homogjeniteti i masave në këtë drejtim”.

Autoshkollat e kontaktuara nga “Monitor” pohuan se aktualisht tarifa për dhënien e lejes së drejtimit të kategorisë B, (për veturë) duke përfshirë orët e njohurive teorike dhe praktike kushton 35,000 lekë. Aktmarrëveshja parashikon vendosjen e çmimit të ri në vlerën e 85,000 lekëve (çmimi rritet 2,5 herë), duke e ndarë në dy tarifa, si: kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive teorike në vlerën e 30,000 lekëve dhe kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive praktike në vlerën e 55,000 lekëve.

Për mjetet e kategorisë A (të gjitha llojet e motorrave) tarifa aktuale është 25,000 lekë. Për këtë kategori, nëse kursanti është i pajisur me lejen e drejtimit të kategorisë B, i njihen të vlefshme njohuritë teorike, duke mos i shtuar pagesë shtesë. Ndryshimet parashikojnë që për kategorinë A të lejes së drejtimit tarifa e re të jetë 30,000 lekë vetëm si kosto për marrjen e njohurive praktike.

Përveç lejes së drejtimit të kategorisë A për veturat, ndryshim të lartë në çmim do të ketë do të ketë për lejet e kategorisë C dhe D, pasi dhënia e njohurive praktike nga autoshkollat do të jetë e detyrueshme. Autoshkollat pohojnë se aktualisht për leje drejtimi të kategorisë C (për kamion) nga kursantët kanë detyrimin të paguajnë vetëm tarifën e regjistrimit prej 25,000 lekë. Marrja e njohurive praktike është fakultative dhe nëse kërkohen pagesa është 5,000 lekë për ore. Për këtë kategori propozohet që tarifa e re të jetë 95,000 lekë, e ndarë si: kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive teorike në vlerën e 30,000 lekëve dhe kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive praktike në vlerën e 65,000 lekëve. Ndryshimet parashikojnë detyrimin për zbatimin e njohurive praktike nga kursantët.

Ndërsa për lejen e drejtimit të kategorisë D që përfshin të gjitha mjetet e transportit të udhëtarëve, si :autobusët, furgonat dhe taksitë tarifa nga 25,000 lekë (tarifa për njohuritë teorike 25,000, ndërsa pagesa për njohuritë praktike nuk është e detyrueshme) do të jetë 125,000 lekë. Për patentën e kategorisë D kursantët do të paguajnë 30,000 lekë për njohuritë teorike dhe 95,000 për njohuritë praktike.

Drejtuesit e autoshkollës “Cena” në Tiranë thanë për Monitor se ky ndryshim i tarifave është i domosdoshëm, jo vetëm për shkak të kostove të shtuara nga shtrenjtimi i karburantit, por edhe për formalizmin e tregut dhe rritjen e sigurisë rrugore, duke shtuar orët e njohurive praktike.

“Tarifat për lejet e drejtimit nuk kanë ndryshuar që nga viti 1998. Është e nevojshme që të nisë zbatimi i tarifave të reja të propozuara, për shkak të kostove të shtuara nga rritja e çmimit të naftës dhe për të ndihmuar në formalizimin e tregut. Në vend ka shumë autoshkolla që nuk ofrojnë asgjë, që nga mungesa e mjeteve për dhënien e praktikës edhe mungesës së klasave për zhvillimin e njohurive praktike. Shumë kursantë kryejnë pagesat që ofrohen edhe më të ulëta s e 35,000 lekë, nuk iu zhvillohet as praktika dhe teoria dhe pajisen me leje drejtimi. Për këto arsye autoshkollat kanë kërkuar ndryshim të tarifave për t’u dhënë fund këtyre abuzimeve, për të formalizuar tregun. Në treg do të mbijetojnë më të fortët”, pohon ai.

S'KA KOMENTE