Paratë ruse, Rama: Drejtësia të hetojë me urgjencë peshkaqenët me konto offshore

Paratë ruse, Rama: Drejtësia të hetojë me urgjencë peshkaqenët me konto offshore

17
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama është pyetur në lidhje me financimet e supozuara ruse të disa partive politike në Shqipëri, dhe ka thënë se drejtësia duhet të hetojë me urgjencë.

Rama tha se Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s, nuk mund të ketë një “përzierje offshore me konto në drejtim të partive që duan të sjellin lirinë”, duke iu referuar deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.

Sipas dokumente të transfertave bankare të publikuara në media, pretendohet se Kryemadhi ka dërguar dhe marrë para nga dy kompani ruse në pronësi të oligarkëve që janë miq të Vladimir Putin.

Rama ironizoi drejtësinë teksa përmendi rastin e ish-zv.ministres së tij Rovena Voda të dënuar për pranimin e një rryshfeti arkë me peshq, teksa tha se duhet të hetohen edhe peshkaqenët.

“Këto rublat paskan qenë hall i madh, na kanë marrë shokë dhe shoqe në qafë. Drejtësia e re duhet t’i japë përgjigje kësaj sepse është një urgjencë e madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne jemi një vend i NATO-s. Dhe kjo përzierje offshore me konto dhe para në drejtim të partive të cilat këtu duhet të sjellin lirinë, është një problem i madh që drejtësia duhet ta hetojë me urgjencë. Unë e kuptoj që edhe arkat me peshq duhen hetuar. Por kjo nuk është punë peshqish, është punë peshkaqenësh që kanë hyrë në procesin e vendimmarrjes në Shqipëri duke paraqitur kandidatë dhe kandidate peshkaqene. Drejtësia duhet të merret me këtë”, deklaroi Rama gjatë një konference për media nga Kryeministria.

S'KA KOMENTE